Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së mosekzekutimit të Vendimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë, Ac. nr. 153/2011, të 4 tetorit 2011, dhe Vendimit Nr. 02 (207) 2010, të 4 tetorit 2010, të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Republikës së Kosovës nga komuna e Junikut

Nr. të lëndës KI 50/12

Parashtruesit: Agush Lolluni

Parashtruesi i kërkesës, z. Agush Lolluni, e dorëzoi kërkesën bazuar në nenin 113.7 të Kushtetutës së Kosovës, duke e kontestuar mos-ekzekutimin e Vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPM), Nr. 02 (207) 2010, të 4 tetorit 2010, dhe të Vendimit të Gjykatës së Qarkut në Peje, Ac. nr. 153/2011, të 4 tetorit 2011, i cili i ishte dorëzuar më 4 tetor 2011. Parashtruesi pohon që mos-zbatimi i këtyre vendimeve nga organet publike ia ka shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] te Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), dhe me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Lidhur me pranueshmërinë e kërkesës, Gjykata vendosi që, bazuar në gjuhën e thjeshtë të nenit 113.7, se kërkesa ishte e pranueshme sepse në kërkesën e tanishme z. Agush Lolluni e konteston mos-ekzekutimin e Vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (ne tekstin e mëtejmë: KPM), Nr. 02 (207) 2010, të 4 tetorit 2010, dhe të Vendimit të Gjykatës së Qarkut në Peje, Ac. nr. 153/2011, të 4 tetorit 2011. Prandaj, parashtruesi i kërkesës duhet të konsiderohet palë e autorizuar, me të drejtën e adresimit të kësaj çështjeje në Gjykatë dhe se i ka shteruar të gjitha mjetet juridike, siç parashikohen me ligj, sipas nenit 113.7 të Kushtetutës. Sa i përket kërkesës së nenit 49 të Ligjit se parashtruesi është dashur ta dorëzojë kërkesën brenda një periudhe prej katër (4) muajsh, Gjykata përcaktoi se nga parashtresat e parashtruesit, situata e mos-ekzekutimit të Vendimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë, Ac. nr. 153/2011, të 4 tetorit 2011 dhe Vendimi Nr. 02 (207) 2010, i 4 tetorit 2010 i KPM-së nga Komuna e Junikut vazhdon edhe sot. (shih Rastin Nr. KI08/09, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të Fabrikës së Çelikut IMK në Ferizaj, të përfaqësuar nga z. Ali Azem, kryetar i Sindikatës, Vlerësimi Kushtetues i Vendimit të Gjykatës Komunale të Ferizajt, Vendimi C Nr. 340/2001, të 11 janarit 2002, Aktgjykimi i 17 dhjetorit 2010).Pastaj, parashtruesi i përcaktoi saktë cilat të drejta sipas Kushtetutës dhe KEDNJ pretendohen të jenë shkelur dhe nga cili autoritet publik. Prandaj, Gjykata gjithashtu gjen se parashtruesi e ka plotësuar kushtin e nenit 48 të Ligjit
Për meritat e kërkesës, Gjykata vendosi se, mos-zbatimi i vendimeve gjyqësore nga autoritetet komunale dhe dështimi i autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës për të siguruar mekanizma efektivë për zbatimin e vendimeve të autoriteteve përkatëse dhe vendimeve gjyqësore përbën shkelje të neneve 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës dhe nenit 6, si dhe nenit 13 të KEDNJ-së. Duke dështuar të zbatojë Vendimin e KPM-së të 4 tetorit 2010, autoritetet përkatëse kanë privuar dispozitat e nenit 54 të Kushtetutës dhe nenit 13 te KEDNJ nga të gjitha efektet e dobishme. Në këto rrethana, Gjykata konsideron se e drejta në gjykim të drejtë dhe efektiv, që garantohet me nenet e përmendura të Kushtetutës dhe KEDNJ, është shkelur dhe se vendimi përfundimtar përmbarimor i KPM-së, Vendimi nr. 02 (207) 2010 i 4 tetorit 2010 dhe Vendimi i Gjykatës së Qarkut në Peje, Ac. nr. 153/2011 i 4 tetorit, duhet të ekzekutohen. Në marrjen e vendimit të saj, Gjykata gjithashtu u mbështet në vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që adresojnë çështjen e njëjtë ose të ngjashme. Gjykata vendosi se vendimi përfundimtar dhe përmbarimor i KPM, Vendimi nr. 02(207) 2010 i 4 tetorit 2010, dhe Vendimi Ac. Nr. 153/201 i Gjykatës së Qarkut në Peje, i 4 tetorit 2011, duhet të ekzekutohen nga organi kompetent, në veçanti, nga Komuna e Junikut;

Parashtruesit:

Agush Lolluni

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile