Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së mosekzekutimit të Aktvendimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë Ac. nr. 158/2011 të 5 korrikut 2011 dhe vendimit nr. 02/197/2010 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Republikës së Kosovës nga ana e Komunës së Klinës

Nr. të lëndës KI 129/11

Parashtruesit: Viktor Marku

Parashtruesi e kishte dorëzuar Kërkesën në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës, duke pretenduar se me moszbatimin e vendimeve gjyqësorë nga institucioni i punësimit, Komuna e Klinës, i janë shkelur të drejtat kushtetuese të garantuara me: Nenin 3 paragrafi 2 [Barazia para Ligjit], Nenin 7 paragrafi 1 [Vlerat], Nenin 21 paragrafi 1 dhe 3 [Parimet e Përgjithshme], Nenin 22 paragrafi 1 [Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut], Nenin 22 paragrafi 2 [Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut], Nenin 23 [Dinjiteti i Njeriut], Nenin 24.2 [Barazia para Ligjit] dhe Nenin 49 paragrafi 1 [E Drejta e Punës dhe ushtrimit të Profesionit].

Gjykata në këtë rast kishte konstatuar se parashtruesi i kërkesës i kishte përfushur kriteret procedurale te kërkuara me nenin 113.7 të Kushtetutës ligj dhe rregullore te punës dhe ishte leshtuar ne meritat e kërkesës.

Ne këtë rast Gjykata kishte vërejtur se behej fjalë për moszbatimin e vendimit të KPMSHCK dhe vendimeve të gjykatave përmbaruese nga ana e autoriteteve te Komunës së Klinës. Gjykata në këtë rast ua ka rikujtuar Komunave te Republikës së Kosovës se te njëjtat janë te obliguara që t’i respektojnë dhe zbatojnë vendimet gjyqësore, e jo t’i zvarrisin procedurat e përmbarimit të tyre me arsyetime të pa qëndrueshme dhe të pa bazuara ligjërisht duke përmendur nenin 124.6 të Kushtetutës, që thotë: “Komunat obligohen të respektojnë Kushtetutën, ligjet, dhe të zbatojnë vendimet gjyqësore”.

Gjykata ka përmendur se neni 6 i Konventës, zbatohet edhe për fazat administrative të procesit gjyqësor gjegjësisht është brenda kornizave “për të drejtën në gjykim të drejtë dhe të paanshëm” e drejtë kjo e garantuar edhe me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Nga kjo rrjedh se edhe moszbatimi i vendimeve të Këshillit është element i nenit 6 të Konventës dhe shkelje e saj.

Gjykata, ka theksuar se, është e drejtë e palës së pakënaqur që të iniciojë procedurë gjyqësore në rast të dështimit të realizimit të së drejtës së fituar që parashihet me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenin 6 në lidhje me nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Dhe ka nënvizuar se do të ishte e pakuptimtë, nëse sistemi ligjor i Republikës së Kosovës do të lejonte që një vendim gjyqësor përfundimtar, i formës së prerë, të mbetej i paefektshëm në dëm të një pale. Interpretimi i neneve të lartpërmendura në mënyrë ekskluzive ka të bëjë me qasjen ndaj gjykatës. Prandaj, joefektshmëria e procedurave dhe moszbatimi i vendimeve prodhojnë efekte të cilat na sjellin para situatave që nuk janë në përputhje me parimin e sundimit të ligjit, parim të cilin autoritetet e Kosovës janë të obliguara ta respektojnë, në këtë kontekst ka përmendur vendimin e GJEDNJ-së në rastin Romashov kundër Ukrainës, Parashtresa nr. 67534/01, aktgjykimi i 25 korrikut 2004.

Gjykata pasi qe kishte analizuar themelësinë e kërkesës ka konstatuar se parashtruesit i është shkelur e drejta në gjykim të drejtë dhe efektiv, që garantohet me nenet 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës, si dhe Nenit 6 në lidhje me nenin 13 të KEDNJ-së dhe se Vendimi përfundimtar përmbarimor i KPMSHCK, Vendimi nr. 02/197/2010 i 8 tetorit 2010 dhe Vendimi Ac. nr. 158/2011 i Gjykatës së Qarkut në Pejë, i 5 korrikut 2011 duhet të ekzekutohen.

Parashtruesit:

Viktor Marku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative