Paraqitësja e kërkesës, më 18.02.2011 i ka paraqitur kërkesë Gjykatës Kushtetuese.
Paraqitësja e kërkesës e ka paraqitur parashtresën në pajtim me nenin 113. paragrafi 7. i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 49. i Ligjit, rregulli 36 paragrafi 1(b) i Rregullores së Punës.
Paraqitësja e kërkesës konsideron se me aktvendimet e kontestuara është shkelur e drejta e saj për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e veçanërisht e drejta për mbrojtje adekuate profesionale në procedurën penale të filluar kundër saj.
Kryetari i gjykatës, më 02.03.2011, me vendimin nr.GJR 21/11 e ka emëruar gjyqtaren Iliriana Islami gjyqtare raportuese.
Më 02.07.2012, kryetari e ka emëruar gjyqtarin Altay Suroy gjyqtar raportues në vend të gjyqtares Iliriana Islami.
Më 30.06.2009 me aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Prizren A.nr.187/08, paraqitësja e kërkesës është shpallur fajtore dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 18 vjetësh, për veprën e kryer penale vrasje e rëndë nga neni 147. paragrafi 1. pika 4 dhe veprën penale posedim i paautorizuar, kontroll, posedim apo përdorim i armës nga neni 328, paragrafi 2. i Ligjit të Përkohshëm Penal të Kosovës.
Paraqitësja e kërkesës kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të konstatojë se aktvendimet e marra janë në kundërshtim me të drejtat e garantuara kushtetuese, prandaj, për këtë arsye të mundësohet përsëritja e procesit penal para gjykatave të rregullta.
Më 03.07.2012, pas shqyrtimit të raportit të gjyqtarit raportues, Kolegji i shqyrtimit i ka rekomanduar Gjykatës mospranimin e kërkesës.
Gjykata vëren se kërkesa e paraqitëses së kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese, më 18.02.2011 është paraqitur jashtë afatit kohor prej katër muajsh, të paraparë me nenin 49 të Ligjit.
Prandaj, në pajtim me nenin 113. paragrafi 7. të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenin 49 të Ligjit dhe rregullit 36. të Rregullores së punës, kërkesa duhet të refuzohet si e papranueshme.
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113. paragrafi 7. i Kushtetutës, nenin 48, 49 dhe 56. të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, njëzëri ka vendosur që kërkesën e paraqitëses ta refuzojë si të papranueshme.
Valbona Zogaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Penale