Parashtruesit kërkesën e paraqitën bazuar në Nenin 113.7 të Kushtetutës së Kosovës duke pohuar se të drejtat e tyre në pronë dhe në gjykim të drejtë ishin shkelur nga Inspektorati i Komunës së Prishtinës, Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe se në fund, këto shkelje, ishin konfirmuar me aktgjykim të Gjykatës Supreme, Bazë e kërkesës së parashtruesve ishte pretendimi i tyre se Inspektorati i Komunës së Prishtinës kishte marrë vendim për rrënimin e dy shupave që ishin pronësi e parashtruesve, dhe se provat e ofruara nga parashtruesit tek Insepktorati i Komunës së Prishtinës ishin shpërfillur, Për më tepër, provat e parashtruesve ishin shpërfilur dhe nga Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe Gjykata Supreme e Kosovës, Gjykata së pari vlerësoi nëse parashtruesit përmbushnin kriteret procedurale për pranueshmëri të kërkesës. Pas konstatimit se parashtruesit i përmbushin të gjitha kriteret procedurale të pranueshmërisë, Gjykata e shqyrtoi kërkesën e tyre në përmbajtje, Gjykata kishte vërejtur se Sektori i Inspeksionit Komunal kishte vendosur të rrënonte shupat e parashtruesve, në mënyrë që të mbrojë hapësirën publike dhe të ndalojë keqpërdorimin e tyre. Sidoqoftë, vendimi i Sektorit të Inspeksionit Komunal ishte marrë pa vërtetuar në fillim nëse ka pasur ndonjë çështje pronësore që ka të bëj me shupat, Gjykata theksoi se parashtruesit kishin ofruar prova të pronësisë përkitazi me shupat që ishin objekt i kontestit në Gjykatën Supreme porse gjykata në fjalë kishte shpërfillur ato prova, nuk kishte dhënë përgjigje shprehimore ndaj provave të ofruara, dhe kishte dhënë një vendim të paarsyetuar. Duke shqyrtuar kërkesën në përmbajtje të saj, Gjykata konstatoi se të drejtat e parashtruesve për t’u dëgjuar, dhe të drejtat për vendim të arsyetuar, si komponentë të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanashëm ishin cenuar. Për shkak të arsyeve të përmendura, Gjykata vendosi: i) se ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 [E Drejta për Proces të Rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; ii) shpall të pavlefshëm Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, A. no. 1053/2008, të 31 majit 2012; iii) kthen Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për rivendosje, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese; dhe iv) lejon kërkesën për masë të përkohshme deri në rivendosjen e cështjes nga Gjykata Supreme e Kosoves sipas ratio decidendi të dhënë nga Gjykata Kushtetuese
Veton Berisha dhe Ilfete Haziri
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile