Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut P. nr. 2003/2006 të 9 nëntorit 2007 dhe aktgjykimeve të Gjykatës Supreme AP. nr. 190/2009 të 27 janarit 2010, API. nr. 1/2010 të 26 nëntorit 2010 dhe PKL-36/11 të 10 gushtit 2011.

Nr. të lëndës KI 145/11

Parashtruesit: Shkumbin Mehmeti

Parashtruesi e kishte dorëzuar Kërkesën në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës, duke pretenduar se me aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut dhe aktgjykimet e Gjykatës Supreme i janë shkelur të drejtat kushtetuese të garantuara me : Nenin 21 [Parimet e përgjithshme], Nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], Neni 24 [Barazia para Ligjit], Nenin 27 [Ndalimi i Torturës, Trajtimi Mizor, Çnjerëzor ose Poshtërues], Nenin 29 [E drejta e Lirisë dhe Sigurisë], Nenin 31 [E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm], Nenin 32 [E drejta për mjete Juridike], dhe Nenin 33 [Parimi i legalitetit dhe Proporcionalitetit në rastet Penale].

Gjykata kishte konstatuar se, parashtruesi ka dështuar të provojë që shkeljet e supozuara të të drejtave kushtetuese, të përmendura në kërkesë, përbënin elemente të pakontestuara të shkeljes/shkeljeve të të drejtave të tij. Andaj, kishte konsideruar që kërkesa e parashtruesit duhet të ishte qartazi e bazuar në mënyrë që gjykata të lëshohej në meritat e saj. Gjykata gjithashtu kishte theksuar se, nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese që të vlerësojë ligjshmërinë dhe saktësinë e vendimeve të dhëna nga institucionet kompetente gjyqësore, përveç nëse ka prova bindëse se vendimet e tilla janë dhënë në një mënyrë dukshëm të padrejtë dhe të paqartë.

Gjykata konstatoi se parashtruesi nuk kishte ofruar prova se Gjykata e Qarkut në Prishtinë dhe Gjykata Supreme, kishin vlerësuar dhe analizuar provat të ofruara nga parashtruesi në mënyrë të pasaktë. Në të vërtetë, Parashtruesi i Kërkesës kishte dështuar që të arsyetojë kërkesën e tij se Gjykatat e rregullta kanë bërë shkelje të nenit 21, 22, 24, 27, 29, 31 dhe 32 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata në këtë raste kishte cituar rastin KI 13/09, Sevdail Avdyli kundër Aktgjykimit të Gjykatës Supreme A. Nr. 533/2006 të datës 11 shtator 2006 dhe Aktgjykimit të Gjykatës Supreme A. Nr. 533/2006 të datës 2 dhjetor 2006, 17 qershor 2010. Si përfundim, Gjykata, kishte konsideruar se kërkesa nuk i kishte përmbushur kriteret procedurale të lejueshmërisë, siç kërkohen me nenin 46 të Ligjit, si dhe rregullin 36.2 (b) dhe (d) të Rregullores së punës, për faktin se parashtruesi ka dështuar të provojë që shkeljet e supozuara të të drejtave kushtetuese, përbëjnë arsyet e mjaftueshme në mënyre që Gjykata të lëshohet më tutje në meritat e rastit.

Parashtruesit:

Shkumbin Mehmeti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale