KI127/24, parashtrues E.K., Vlerësimin i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [PML. nr. 182/2024] të 16 prillit 2024 të Gjykatës Supreme;
KI127/24, Aktvendim për papranueshmëri i 4 shtatorit 2024, i publikuar më 24 shtator 2024
Fjalët kyçe: diskriminimi gjinor; refuzimi i provës; viktima e mitur;
Gjykata Themelore në Ferizaj e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak të veprës penale “keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjet”, sipas paragrafit 1.3 të nenit 235 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ia shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej tre vitesh. Ai u akuzua nga Prokuroria Themelore në Ferizaj se në vitin 2013, e kishte marrë në veturën e tij të miturin Q.A., dhe e kishte prekur për qëllime seksuale. Ekspertja A.V., kishte konstatuar se deklaratat e viktimës përputheshin me gjendjen e tij të rregullt psikologjike. Parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit me arsyetimin se kërkesa e tij për caktimin e ekspertit antropolog ishte refuzuar. Gjykata e Apelit refuzoi ankesën dhe vlerësoi se provat e administruara treguan qartë fajësinë e parashtruesit të kërkesës dhe ishte i panevojshëm caktimi i ekspertit antropolog. Edhe Gjykata Supreme refuzoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë dhe vërtetoi vendimet e instancave më të ulëta.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë në Gjykatë me pretendimet se gjykatat e rregullta cenuan nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, sepse refuzuan administrimin e provës për shkak të diskriminimit gjinor dhe mos durimit të orientimit të tij seksual. Parashtruesi i kërkesës theksoi se propozimi për caktimin e ekspertizës mjeko-ligjore u refuzua nga Gjykata Themelore me arsyetimin se “…duke marrë parasysh edhe gjininë e njëjtë të palës akuzuese së dëmtuar, konsiderojmë se nuk është i domosdoshëm mendimi i antropologut në këtë rast…”.
Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar caktimin e një eksperti antropolog, për të përcaktuar nëse në kohën e kryerjes së veprës penale ishte i mundur dallimi i moshës së viktimës. Gjykata theksoi se gjykatat e rregullta e arsyetuan në mënyrë të qartë refuzimin për caktimin e ekspertit antropolog, sepse nuk ishte kontestuese fare mosha e viktimës në kohën e kryerjes së veprës penale; dhe po ashtu ishte caktuar ekspertiza e psikologes, e cila konstatoi që viktima ishte në gjendje të mirë psikologjike dhe deklaratat e dhëna ishin të qëndrueshme. Për më tepër, është në autoritetin e gjykatave të rregullta administrimi dhe vlerësimi i provave. Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk paraqiti dëshmi dhe argumente se ai ishte diskriminuar, por refuzimi i provës së propozuar u bë për arsye të mjaftueshme.
Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për diskriminim gjinor janë “të pambështetura dhe të paarsyetuara” prandaj u shpallën si qartazi të pabazuara.
E.K.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale