KI115/20, Parashtrues: Muharem Rama, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme Rev.A.(U) nr.5/2020 të 6 majit 2020 në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [A.A.nr.918/2019] të 6 janarit 2020
KI115/20, Aktvendim për Papranueshmëri, i 3 nëntorit 2021, publikuar më 3 dhjetor 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë administrative, kërkesë e paafatshme
Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës ishte dënuar me gjobë prej 1000 (një mijë) euro nga ana e Inspektoratit Farmaceutik, për shkak se gjatë inspektimit në barnatoren qendrore të spitalit të përgjithshëm të Prizrenit, ka konstatuar se parashtruesi i kërkesës në detyrën e farmacistit përgjegjës të spitalit të përgjithshëm në Prizren, ka pranuar dhe shpërndarë produkte medicinale pa banderola të Ministrisë së Shëndetësisë. Parashtruesi i kërkesës kishte bërë ankesë në Inspektoratin Shëndetësor si shkallë e dytë brenda Ministrisë së Shëndetësisë, kundër vendimit për dënim me gjobë të Inspektoratit Farmaceutik, ku Inspektorati Shëndetësor kishte refuzuar ankesën e parashtruesit. Parashtruesi i kërkesës i pakënaqur me vendimin e inspektoratit shëndetësor, kishte parashtruar padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër vendimit të Inspektoratit Shëndetësor dhe njëherit kishte propozuar që ti shtyhet ekzekutimi i vendimit të Inspektoratit. Gjykata Themelore kishte refuzuar si të pabazuar propozimin e parashtruesit për shtyerje të ekzekutimit të vendimit. Kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore parashtruesi kishte ushtruar ankesë, e cila ishte refuzuar nga ana e Gjykatës së Apelit. Kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar revizion në Gjykatës Supreme, të cilin kjo e fundit e hodhi poshtë si të palejuar.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenet 5, 24 dhe 31 të Kushtetutës. Lidhur me pretendimet ndër të tjera parashtruesi i kërkesës theksoi “nuk i ka kushtuar vëmendje zbatimit të nenit 5, nenit 24 dhe 31, për çka as nuk ka mundur që procedura të zhvillohet në nivelin e parimit të drejtësisë e me këtë është pamundësuar njohja e temave profesionale e që është mangësi e rëndësishme”.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, ndër të tjera, ritheksoi se Gjykata rikujton se afati 4 (katër) mujor fillon nga “vendimi i fundit” në procesin e shterjes së mjeteve juridike me të cilin është refuzuar ankesa e parashtruesit. Vetëm mjetet efektive mund të merren parasysh nga Gjykata, pasi parashtruesi nuk mund të zgjasë afatet kohore strikte të parapara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojë mjete juridike që nuk janë të lejuara ose duke u ankuar në institucionet të cilat nuk kanë kompetencë që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave për të cilat ankohet parashtruesi i kërkesës. Gjykata vërejti se procedura ndaj parashtruesit e zhvilluar para gjykatave të rregullta në lidhje me kërkesën e tij për shtyerje të ekzekutimit të vendimit të Inspektoratit Shëndetësor, kishin përfunduar me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [A.A.nr.918/2019] të 6 janarit 2020, përmes të cilit ishte refuzuar ankesa kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore. Gjykata rikujton se, në rastin e parashtruesit, pas pranimit të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, asgjë nuk e ka ndaluar atë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ai ka përdorur mjete juridike, si revizionin kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, i cili nuk kanë qenë i paraparë me ligj. Andaj Gjykata vërtetoi përmes fletkthesës e cila ndodhet në dosjen e rastit që parashtruesi i kërkesës, Aktvendimin e Gjykatës së Apelit e ka pranuar më 29 janar 2020, dhe me këtë Gjykata vëren se koha në mes të pranimit të aktvendimit dhe të datës së dorëzimit të kërkesës së tij, më 22 korrik 2020, në Gjykatë ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh. Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe të parandalohet mbajtja në gjendje pasigurie për një periudhë të gjatë kohore e palëve dhe personave të tjerë të përfshirë në procese gjyqësore.
Andaj, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit ishte dorëzuar jashtë afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe si e tillë ishte e papranueshme.
Muharem Rama
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Administrative