Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit Ac.nr.4254/19 të 28 tetorit 2019

Nr. të lëndës KI 10/20

Parashtruesit: Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” SH. A. – Njësia Malësia e Re Prizren

Shkarko:

KI10/20, Parashtruesi i kërkesës: Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” SH.A. – Njësia Malësia e Re Prizren, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit Ac.nr.4254/19 të 28 tetorit 2019

KI10/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 23 shtator 2020, i publikuar më 06 tetor 2020

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë për masë të përkohshme, procedurë përmbarimore, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Kërkesa është dorëzuar nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” SH. A. – Njësia Malësia e Re Prizren, e përfaqësuar nga avokati Ahmet Tahiri nga Prishtina.

Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [Ac.nr.4254/2019] e 28 tetorit 2019 të Gjykatës së Apelit në lidhje me Urdhërin [P.nr.1694/2018] të 19 dhjetorit 2018 të Përmbaruesit Privat, me pretendimin se të njëjtat janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës si dhe nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së. Pretendimet kryesore parashtruesi i kërkesës i ndërlidh me shkeljen e Ligjit nr.05/L-043 si dhe Ligjit nr.05/L-119 për ndryshim plotësimin e Ligjit nr.05/L-043 për faljen e borxheve publike në Kosovë.

Lidhur me këto pretendime, Gjykata fillimisht thekson se si rregull i përgjithshëm, pretendimet për vërtetim të gabuar të fakteve dhe interpretimin e gabuar të ligjit që pretendohet të jetë bërë nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe si të tilla, nuk hyjnë në juridiksionin e Gjykatës, dhe për këtë arsye, në parim, Gjykata nuk mund t‘i shqyrtojë ato (shih rastin e Gjykatës nr. KI06/17, parashtrues L.G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 tetorit 2016, paragrafi 36; rastin KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 56; dhe KI49/19 parashtrues Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Aktvendim për papranueshmëri i 10 tetorit 2019, paragrafi 47). Gjykata ka përsëritur vazhdimisht se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e faktit ose të ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta (ligjshmëria), përveç dhe për aq sa ato mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Ajo vetë nuk mund të vlerësojë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Në të vërtetë, është roli i gjykatave të rregullta t’i interpretojnë dhe zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale (shih rastin e GJEDNJ-së, García Ruiz kundër Spanjës, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28; dhe shih, gjithashtu ndër të tjera, rastet e Gjykatës: KI70/11, parashtrues të kërkesës Faik Hima, Magbule Hima dhe Besart Hima, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 dhjetorit 2011, paragrafi 29; KI06/17, cituar më lart, paragrafi 37; KI122/16, cituar më lart, paragrafi 57; dhe KI49/19, cituar më lart, paragrafi 48).

Në linjë me praktikën e saj të konsoliduar gjyqësore, Gjykata më tej thekson se pakënaqësia e parashtruesit të kërkesës me rezultatin e procedurës nga gjykatat e rregullta, përkatësisht me vendimet e Gjykatës së Apelit, dhe atë të Gjykatës Themelore, apo vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës, nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, mutatis mutandis, rastin Mezotur – Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, GJEDNJ, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21; dhe shih, gjithashtu rastin KI56/17, parashtruese e kërkesës Lumturije Murtezaj, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 42).

Si rezultat, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe që me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë dhe me KEDNJ. Si përfundim, në pajtim rregullin 39 (2) të Rregullores së punës kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe, rrjedhimisht, e papranueshme. Pra siç është konkluduar më parë, kërkesa e parashtruesit të kërkesës është qartazi e pa bazuar në baza kushtetuese, prandaj edhe kërkesa e parashtruesit të kërkesës për masë të përkohshme duhet të refuzohet.

Parashtruesit:

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” SH. A. – Njësia Malësia e Re Prizren

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile