Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml.nr.366/2019, të 10 janarit 2020

Nr. të lëndës KI 50/20

Parashtruesit: Abdullah Bajra

Shkarko:

KI50/20, Parashtrues: Abdullah Bajra, vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml.nr.366/2019, të 10 janarit 2020

KI50/20 Aktvendim për papranueshmëri, i 20 janarit 2021, publikuar më 15 shkurt 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, kërkesë për masë të përkohshme, të drejtat e të akuzuarit, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese e kontestoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml.nr.366/2019, të 10 janarit 2020, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt gjyqësor] të Konventës Evropiane për të Drejtat e  Njeriut.

Gjykata, pasi analizoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës, konsideroi se parashtruesi i kërkesë e kishte ndërtuar rastin e tij në baza ligjshmërie dhe jo kushtetutshmërie. Gjykata në këtë rast përsëriti se si rregull i përgjithshëm, pretendimet për interpretimin e gabuar të ligjit që pretendohet të jetë bërë nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe si të tilla, nuk janë në juridiksionin e Gjykatës, dhe për këtë arsye, në parim, Gjykata nuk mund të shqyrtojë ato (shih rastet e Gjykatës: nr. KI06/17, parashtrues L.G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 tetorit 2016, paragrafi 36; KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 56; dhe rastin e Gjykatës KI154/17 dhe 05/18, parashtrues të kërkesës, Basri Deva, Afërdita Deva dhe Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar “Barbas”, Aktvendim për papranueshmëri i 28 gushtit 2019, paragrafi 60).

Gjykata tutje konstatoi se gjykatat e rregullta kanë respektuar kërkesat e nenit 6 të KEDNj-së, ku përfshihen dhe të drejtat e të akuzuarit, duke i dhënë mundësi parashtruesit të kërkesës që t’i paraqesë kundërshtimet e tij përkitazi me provat dhe dëshmitë në lidhje me akuzat e ngritura kundër tij, dhe atë në çdo fazë të procedurës së ndjekur. Për me tepër, të gjitha argumentet, shikuar objektivisht, që ishin relevante për zgjidhjen e rastit të tij janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga gjykatat; se arsyet faktike e ligjore ndaj vendimeve të goditura janë shtruar dhe arsyetuar hollësisht dhe se procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, nuk ishin të padrejta.

Si përmbledhje, Gjykata duke u mbështetur në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNj-së, konstatoi që parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar dhe nuk ka mbështetur mjaftueshëm pretendimin e tij për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet e sipërcekura të Kushtetutës.  Rrjedhimisht kërkesa e parashtruesit të kërkesës në baza kushtetutës ishte deklaruar qartazi e pabazuar, andaj në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës e njëjta u shpall e papranueshme.

Parashtruesit:

Abdullah Bajra

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale