Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.223/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 31 marsit 2022

Nr. të lëndës KI84/23

Parashtruesit: Shahin Shahini

Shkarko:

KI84/23, Parashtrues: Shahin Shahini, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.223/2021] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 31 marsit 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar

Çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret ndërlidhet me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për tu kthyer në vendin e punës si konduktor në kompaninë Kosovatrans, nga e cila ishte larguar nga puna në vitin 1991 si pasojë e vendosjes së masave të dhunshme në Kosovë, si dhe kërkesës për kompensimin e pagave të papaguara. I njëjti ishte larguar bazuar në arsyetimin se ai kishte refuzuar të nënshkruajë deklaratën mbi pranimin e masave të përkohshme në këtë ndërmarrje, dhe se si pasojë e kësaj parashtruesi i kërkesës kishte filluar procese gjyqësore, me qëllimin për t’u kthyer në punë dhe në lidhje me kompensimin e të ardhurave personale. Rasti i parashtruesit deri tek marrja e vendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, kaloi nëpër 4 procedura gjyqësore. Rrjedhimisht, më 19 tetor 2006, Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [Rev.nr.68/2006] kishte aprovuar kërkesën për kthim të detyruar në punë në detyrat e punës si konduktor, ndërsa pjesën e kërkesëpadisë së tij për kompensim të të ardhurave personale e kishte kthyer në rigjykim tek gjykata e shkallës së parë. Përfundimisht, Gjykata Supreme përmes vendimit të kontestuar thekson se të paditurës i mungon legjitimiteti pasiv, pasi që e njëjta përmes Ligjit Nr. 04/L-111 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike kishte kaluar në status të ndërmarrjes publike ku në pronësi të 100% të aksioneve është Komuna e Gjilanit, e cila në këtë kontest nuk është në cilësinë e palës së paditur.

Në këtë drejtim, parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, si rezultat i mënyrës së interpretimit dhe zbatimit të ligjit material.

Në këtë drejtim, Gjykata duke i trajtuar pretendimet e lartcekura konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta për sa i përket vlerësimit të dëshmitarëve dhe provave tjera, si dhe bazës ligjore për vendimmarrje, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij se gjykatat e rregullta mund të kenë aplikuar ligjin në mënyrë të gabuar, dhe rrjedhimisht pretendimet e tij për interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë” dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë“. Për pasojë, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Prandaj, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të shkallës së katërt“, prandaj deklarohet e papranueshme, në pajtim me rregullin 34 paragrafi (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Shahin Shahini

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile