KI 252/23, Parashtrues: Liridona Nuza – Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 201/2023, të 29 qershorit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
KI 252/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 prillit 2024, publikuar më 13 qershor 2024
Fjalët kyç: barazia para ligjit, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të drejta e fëmijëve , kërkesë e papranueshme, kërkesë qartazi e pabazuar
Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ka të bëj me vendosjen së gjykatave të rregullta të të tri shkallëve lidhur me mënyrën dhe kohëzgjatjen e mbajtjes së kontaktit të dy fëmijëve të parashtrueses së kërkesës me babanë e tyre – ish-bashkëshortin e parashtrueses së kërkesës pasi që qifti bashkëshortor ligjërisht ishte shkurorëzuar. V.B ish-bashkëshorti i parashtrueses së kërkesës në Gjykatën themelore në Pejë-dega në Deçan kishte bërë padi për zgjidhje të martesës me parashtruesen e kërkesës. Parashtruesja e kërkesës kishte paraqitur kundërpadi në po atë gjykatë dhe atë për çështjen e kujdestarisë mbi dy fëmijët e lindur gjatë kohës sa ishte në bashkësi martesore me paditësin. Gjykata themelore nëpërmes Aktgjykimit [C. nr. 61/2022] kishte aprovuar padinë dhe kishte vendosur që dy fëmijët T.B e lindur në vitin 2015 dhe T.B i lindur më 2019 të i besohen për mbajtje, kujdes dhe edukim parashtrueses së kërkesës. Në pikën V të Aktgjykimit gjykata themelore kishte vendosur lidhur me kontaktin e fëmijëve me babanë tyre gjatë pushimeve verore dhe mënyrën e marrjes dhe dorëzimit në QPS në Gjakovë. Kundër kësaj pike të aktgjykimit të gjykatës Themelore parashtruesja kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës duke kundërshtuar kohëzgjatjen e mbajtjes së fëmijëve nga babai i tyre gjatë pushimeve verore dhe kohën e mënyrën e kontaktit në QPS-Gjakovë. Gjykata e Apelit e Kosovës me Aktgjykimin Ac. nr. 8969/22 të 3 marsit 2023 aprovoi pjesërisht ankesën e parashtrueses së kërkesës duke vendosur që qëndrimi i fëmijëve me babanë e tyre gjatë pushimeve verore nga 30 ditë të përcaktohet në 15 ditë si dhe vendosi lidhur me mënyrën dhe kohën e kontaktit me fëmijët në QPS-Gjakovë. Gjykata Supreme e Kosovës me Aktgjykimin Rev. nr. 201/2023 të 29 qershorit 2023 refuzoi si të pabazuar Revizionin e paraqitur nga parashtruesja e kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës.
Gjykata gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtrueses së ankesës dhe pas analizimit se vendimeve të kontestuara gjyqësore gjeti se ato vendime ishin mjaftueshëm të arsyetuara, se kishin shqyrtuar pretendimet ankimore dhe se nuk ishte zbatim tej mase arbitrar të ligjit, andaj nuk gjeti se të njëjtat janë të përfshira me shkelje kushtetuese të nenit 24 dhe 31 të kushtetutës sikur u pretendua në kërkesë.
Gjykata gjithashtu konstatoi se Gjykata e Apelit e Kosovës nxori Aktgjykimin [Ac. nr. 8969/22] të 3 marsit 2023 dhe aprovoi pjesërisht ankesën e parashtrueses së kërkesës pikërisht lidhur me mënyrën dhe kohëzgjatjen e takimit të fëmijëve me prindin i cili nuk ishte i caktuar për kujdesin prindëror, analizoi gjerësisht faktet e rastit dhe interesin e fëmijëve dhe mori parasysh edhe raportin e QPS të 14 prillit 2022, i cili përmbante edhe mendimin e psikologut, e ku preferohej që kohëzgjatja e kontaktit me babanë gjatë pushimeve verore të jetë 15 ditë, pikërisht sikur edhe vendosi Gjykata e Apelit e këtë konstatim e mbështeti edhe Gjykata Supreme kur vendosi lidhur me Revizionin, andaj në këto rrethana gjykata nuk gjen te jetë shkelur as neni 9.3 i Konventës për Mbrojtjen e Fëmijëve sikur u pretendua nga parashtruesja e kërkesës.
Duke marrë parasysh faktin se parashtruesja e kërkesës, kërkesën e saj për moszbulim të identitetit e paraqiti vetëm në formularin shtesë të dërguar në gjykatë dhe fare se kishte theksuar në kërkesën origjinale sikurse dhe duke marrë për bazë karakteristikat e rastit gjykata këtë kërkesë e shqyrtoi me kujdes dhe në seancë të ndarë shtesë të rastit dhe me shumicë votash 5 kundër e 4 për refuzoi kërkesën për moszbulim të identitetit të parashtrueses së kërkesës sipas arsyetimeve të cekura në aktvendimin e saj për papranueshmëri.
Në fund, pas shqyrtimit të plotë të pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, provave të bashkëngjitur me kërkesën, duke u mbështetur në praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe GJEDNJ-së, Gjykata konstaton se pretendimet e paraqitura nga parashtruesja e kërkesës për shkelje të nenit 24, 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 9 të Konventës për të Drejtat e Fëmijës klasifikohen si pretendime të cilat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese. Prandaj, kërkesa në tërësi deklarohet e papranueshme si qartësisht e pabazuar në bazë kushtetuese, në bazë të paragrafit (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, si dhe në bazë të neneve 47 dhe 48 të Ligjit sikurse edhe kërkesa për moszbulim të identitetit të parashtrueses së kërkesës refuzohet.
Liridona Nuza
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile