Aktgjykim

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [A.A-U.ZH.nr.16.2019] të 10 tetorit 2019 të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI 27/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI27/20 Parashtrues: Lëvizja Vetëvendosje!, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [A.A-U.ZH.nr.16.2019] të 10 tetorit 2019 të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI27/20 Aktgjykim i datës 22 korrik 2020, i publikuar më 07 shtator 2020

Fjalët kyçe: Kërkesë individuale, kërkese e pranueshme, fushatë zgjedhore, liria e shprehjes, kufizimet e të drejtave të njeriut

Personi E.B  kishte ushtruar ankesë në Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (në tekstin e mëtejmë: PZAP) kundër parashtruesit të kërkesës, me pretendimin se me datë 4 tetor 2019, kandidati i parashtruesit të kërkesës për deputet M.B. për zgjedhjet e 6 tetorit 2020, kishte publikuar/shpërndarë një video incizim në rrjetin social facebook, ku, mes tjerash, në video incizim i) ishte përdorur hapësirat e objektit të Policisë së Kosovës; si dhe ii) ishte përdorur fotoja e tij pa lejen e tij duke përdhos, sipas personit E.B., emrin, dinjitetin dhe pozitën e tij si drejtor në Policinë e Kosovës. Ai pretendonte se këto veprime binin ndesh me rregullat e zgjedhore.

PZAP përmes Vendimit [nr.233/2019], kishte miratuar si të bazuar ankesën e palës E.B, dhe parashtruesit të kërkesës i shqiptoi gjobë në lartësi prej 9,500.00 (nëntëmijë e pesëqind) euro, për shkak të: i) publikimit në spotin e fushatës zgjedhore të objektit të Policisë së Kosovës në Prishtinë;  dhe ii) përfshirjen e personit privat  E.B., pa lejen e tij në aktivitetin promovues zgjedhor në kundërshtim me nenin 33 [Veprimet e Ndaluara të Subjekteve Politike] të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Vendimi i lartcekur i PZAP-së ishte konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme përmes Aktgjykimit [nr.A.A-U.ZH.nr.16/2019], me të cilin ishte refuzuar si e pa bazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës.

Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [A.A-U.ZH.nr.16/2019] të 10 tetorit 2019 të Gjykatës Supremes, përmes të cilit pretendohej se është gjobitur  në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, mes tjerash, për shkak se spoti i fushatës zgjedhore është publikuar jashtë fushatës zgjedhore. Lidhur me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendoi se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 7 [Vlerat], 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 24 [Barazia para Ligjit], dhe 40 [Liria e Shprehjes] të Kushtetutës si dhe nenet 10 [Liria e Shprehjes] dhe 14 [Ndalimi i Diskriminimit] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në teksin e mëtejmë: KEDNJ)  si dhe nenin 7 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata Kushtetuese pasi konstatoi se kërkesa e parashtruesit plotëson kriteret e pranueshmërisë, gjatë vlerësimit të meritave të rastit, fillimisht vlerësoi pretendimin kryesor të parashtruesit të kërkesës që ndërlidhej me lirinë e shprehjes të garantuar më nenin 40 të Kushtetutës dhe nenin 10 të KEDNJ. Lidhur me këtë Gjykata Kushtetuese elaboroi parimet e përgjithshme të lirisë së shprehjes të përcaktuara edhe në praktiken gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në aplikimin e këtyre parimeve në rastin konkret gjeti se kufizimi i lirisë së shprehjes i pretenduar nga parashtruesi i kërkesës ka qenë i paraparë me ligj, ka  pasur qëllim legjitim mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve dhe garantimin e një procesi zgjedhor të drejtë dhe fer, si dhe ka plotësuar parimin e proporcionalitetit. Prandaj, Gjykata konstatoi se janë të pabazuara pretendimet e parashtruesit të kërkesë se në rastin konrekt është shkelur e drejta për lirinë e shprehjes e garantuar më nenin 40 të Kushtetutës dhe nenin 10 të KEDNJ. Për me tepër, Gjykata po ashtu vlerësoi pretendimet për shkelje të të drejtave tjera të pretenduara nga parashtruesi i kërkesës dhe gjeti se me Aktgjykimin [A.A-U.ZH.nr.16.2019] të 10 tetorit 2019 të Gjykatës Supreme, po ashtu nuk jetë shkelur të drejtat e përcaktuara në nenet 7 [Vlerat], 21 [Parimet e Përgjithshme], 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, nenin 14 [Ndalimi i Diskriminimit] të KEDNJ-së, dhe nenin 7 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.

Parashtruesit:

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative