KI03/18, Parashtruesi i kërkesës: Aziz Morina, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev.no.150/2017, të 29 qershorit 2017
KI03/18, Vendim i datës 23 maj 2018, publikuar më 7 qershor 2018
Fjalët kyçe: Kërkesë e paafatshme
Parashtruesi i kërkesës ishte punëtor i Ministrisë së Drejtësisë. Në vitin 2007, punëdhënësi vendosi të ndërpresë marrëdhënien e punës për arsye se parashtruesi i kërkesës kishte kryer shkelje serioze të rregullave disiplinore, gjegjësisht, mungesë të paautorizuar në vendin e punës dhe nuk kishte parashtruar kërkesë për pushimin mjekësor.
Pasi që procedurat administrative rezultuan të pasuksesshme për parashtruesin e kërkesës, ai paraqiti padi në gjykatën e shkallës së parë, e cila hodhi poshtë padinë e parashtruesit si të pabazuar. Parashtruesi ka paraqitur ankesën por nuk ka paguar taksën e kërkuar gjyqësore në të gjitha procedurat kontestimore të ndjekura para gjykatave të rregullta. Në fund, Gjykata Supreme hodhi poshtë si të palejueshme kërkesën e parashtruesit për rishikim sepse vlera e objektit të mosmarrëveshjes ishte nën vlerën e pragut të kërkuar nga ligji përkatës.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi në Gjykatë se i ishte shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe te paanshëm, dhe se është diskriminuar për shkak se ishte i papunë dhe ka besuar se nuk ishte i detyruar të paguante ndonjë taksë gjyqësore.
Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar afatit ligjor prej katër (4) muajsh e ka shpallur kërkesën të papranueshme për shkak se ishte e paafatshme. Gjykata përsëriti se është detyrë e parashtruesit të kërkesës të veprojë me kujdes të duhur, në mënyrë që të sigurohet se kërkesa e tij për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore është paraqitur brenda afatit ligjor.
Aziz Morina
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile