KI29/18, Parashtruesit e kërkesës janë: Ajshe Bytyqi, Esat Bytyqi dhe Tagjidin Bytyqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit CMl. nr. 10/2017 të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 6 dhjetorit 2017
KI29/18, Vendim për hedhje poshtë të kërkesës, i 23 majit 2018, i publikuar më 19 qershor 2018
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, refuzim me procedurë të shkurtër, hipotekë, procedurë përmbarimore
Parashtruesit e kërkesës kanë pretenduar se me Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës Supreme janë shkelur të drejtat e tyre të garantuara me nenet 5 [Gjuhët], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Më tej, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se gjykatat e rregullta kanë vërtetuar gabimisht gjendjen faktike, dhe atë: se e drejta e hipotekës është keqpërdorur; se ata e miratuan kredinë për shfrytëzuesit e tjerë, ndërsa hipoteka është themeluar për parashtruesit; se pothuajse është kthyer kredia për shkak të së cilës është themeluar hipoteka; se parashtruesit kanë paraqitur kallëzim penal kundër bankës, etj.
Gjykata i njoftoi parashtruesit për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi që të plotësojnë formularin e kërkesës së Gjykatës Kushtetuese, të qartësojnë kërkesën dhe të dorëzojnë dokumentet e tjera mbështetëse të cilat janë të nevojshme.
Parashtruesit e kërkesës nuk i janë përgjigjur kërkesës së Gjykatës që të dorëzojnë dokumentacionin shtesë, nuk e plotësuan formularin e kërkesës së Gjykatës Kushtetuese, nuk e dorëzuan Aktvendimin CP. nr. 1357/2015 të Gjykatës Themelore në Prizren, as Aktvendimin AC nr. 213/16 të Gjykatës së Apelit.
Prandaj, Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës përveç kërkesës së tyre të përgjithshme dhe abstrakte i) nuk kanë dorëzuar formularin e plotësuar të kërkesës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ii) nuk kanë dorëzuar Aktvendimin CP. nr. 1357/2015 të Gjykatës Themelore në Prizren, anulimin e të cilit e kërkojnë; iii) nuk kanë dorëzuar Aktvendimin AC nr. 213/16 të Gjykatës së Apelit, anulimin e të cilit e kërkojnë; iv) nuk kanë qartësuar kërkesën e tyre, dhe v) nuk kanë dorëzuar dokumente mbështetëse të cilat i përmendin në kërkesën e tyre (kallëzimin penal, aktvendimin për hipotekën, etj.), me të cilat do t’i dëshmonin pretendimet e tyre.
Si përmbledhje, Gjykata konkludoi se kërkesa nuk i plotëson kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejshëm, të parashikuara me nenin 29 të Rregullores së punës. Pasi që parashtruesi nuk e bëri plotësimin dhe nuk ofroi arsyetimin e nevojshëm të kërkesës, kërkesa duhet të refuzohet në procedurë të shkurtër, në pajtim me rregullin 32 (5) të Rregullores së punës.
Ajshe Bytyqi, Esat Bytyqi dhe Tagjidin Bytyqi
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës
Civile