Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Ae. nr. 185/2017 të Gjykatës së Apelit, të 11 gushtit 2017, dhe Aktvendimit IV. EK. C. nr. 273/2016 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 14 qershorit 2017

Nr. të lëndës KI 122/17

Parashtruesit: Česká Exportní Banka A.S.

Shkarko:

KI122/17, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit Ae. nr. 185/2017 të Gjykatës së Apelit, të 11 gushtit 2017, dhe Aktvendimit IV. EK. C. nr. 273/2016 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 14 qershorit 2017

KI122/17, parashtrues i kërkesës: Česká Exportní Banka A.S.

Aktgjykim i datës 18 prill 2018

Fjalët kyçe: res judicata, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siguria juridike, masë e sigurisë, aplikueshmëria e nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së në procedura paraprake.

Parashtruesi i kërkesës ishte një shoqëri e huaj, Česká Exportní Banka A.S., me seli në Republikën Çeke e cila kishte lidhur kontratë pune me një shoqëri vendore, Compact Group Sh.P.K., me seli në Republikën e Kosovës. Palët kontraktuale ishin pajtuar që mosmarrëveshjet e tyre do t’i zgjidhnin përmes arbitrazhit dhe atë në Gjykatën e Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike të Republikës Çeke. Kjo e fundit, pas kërkesës së parashtruesit, nxori një Vendim të Arbitrazhit përmes së cilit e detyroi Compact Group Sh.P.K. që t’i paguaj parashtruesit të kërkesës shumën prej 1,364,527.00 € plus kamatëvonesë. Vendimi i Arbitrazhit u vërtetua nga gjykatat e rregullta dhe u shpall si vendim i ekzekutueshëm në Republikën e Kosovës. Për më tepër, u vërtetua edhe Urdhëri Përmbarimor i lëshuar nga Përmbaruesi Privat që kërkonte përmbarimin e Vendimit të Arbitrazhit.

Një ditë pasi që Vendimi i Arbitrazhit u vërtetua si vendim përfundimtar, i detyrueshëm dhe i zbatueshëm në Republikën e Kosovës, Compact Group Sh.P.K. morri Vendim për shpërbërje vullnetare të shoqërisë së tyre. Nëpërmjet këtij vendimi, Compact Group Sh.P.K. deklaroi se nuk kishte asnjë detyrim të papaguar ndaj personave të tretë. Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Ekonomike, anulimin e Vendimit për shpërbërje vullnetare si të paligjshëm. Përveç kërkesave në padinë e tij kryesore, parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata Themelore që të vendosë masë të sigurisë që kishte për qëllim ruajtjen e aseteve dhe mjeteve të nevojshme për ekzekutimin e Vendimit të Arbitrazhit.

Sa i përket kërkesës së parashtruesit për masë të sigurisë, gjykatat e rregullta morën gjithsej tetë vendime. U morën katër grupe të vendimeve në nivel të shkallës së parë dhe të apelit, përkatësisht katër vendime të Gjykatës Themelore dhe katër vendime të Gjykatës së Apelit. Në Gjykatën Kushtetuese u kontestua grupi i katërt i vendimeve. Parashtruesi i kërkesës pretendoi se grupi i katërt i vendimeve i ka cenuar të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm sepse ato vendime anuluan vendimet e mëhershme për të cilat parashtruesi i kërkesës konsideroi se ishin përfundimtare dhe detyruese, dhe si të tilla, res judicata.

Parashtruesi i kërkesës, përveç që kërkoi që vendimet e kontestuara të shpallen të pavlefshme, ai po ashtu kërkoi që vendimet që kishin arritë formën e prerë dhe detyruese, të shpalleshin si vendime res judicata. Argumenti kryesor i parashtruesit të kërkesës ishte që Gjykata e Apelit kishte rihapur me vetë-iniciativë dhe përtej kërkesave të palëve ndërgjyqëse, çështje të cilat veçse i kishte konfirmuar vetë përmes një vendimi të saj të mëhershme.

Gjykata Kushtetuese e shpalli kërkesën të pranueshme dhe gjeti shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së sepse konsideroi që, Gjykata e Apelit nuk kishte respektuar parimin e sigurisë juridike si dhe nuk kishte respektuar një vendimi të formës së prerë. Më tutje, Gjykata po ashtu gjeti se Gjykata e Apelit kishte injoruar në tërësi të gjitha pretendimet e parashtruesit në lidhje me çështjet res judicata dhe nuk iu ishte përgjigjur argumenteve të parashtruesit lidhur me këtë çështje. Si rezultat i këtyre shkeljeve, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës është privuar nga përfitimi që sjell një vendim përfundimtar dhe i detyrueshëm i gjykatës.

Sa i përket procedurës në tërësi, Gjykata po ashtu shprehu shqetësimin e saj që parashtruesi është i detyruar të ndërmarrë këto procedura shtesë kundër shpërbërjes vullnetare të shoqërisë së paditurit në mënyrë që të realizojë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor përfundimtar dhe të detyrueshëm lidhur me Vendimin e saj të Arbitrazhit.

Një pikë tjetër e rëndësishme e këtij Aktgjykimi është që, për herë të parë, Gjykata ka bërë interpretimin e zbatueshmërisë së nenit 31 të Kushtetutës (dhe nenit 6 KEDNJ) në procedurat paraprake. Bazuar në praktikën e GJEDNJ-së (Micallef kundër Maltës, kërkesa nr. 17056/06, Aktgjykim, [DHM], 15 tetor 2009), Gjykata vendosi testin dy-hapësh në bazë të të cilit duhet të shqyrtohet zbatueshmëria e këtyre garancive, rast-për-rast.

Përfundimisht, Gjykata e deklaroi kërkesën të pranueshme; konstatoi se ka pasë shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së; konstatoi se grupi i katërt i vendimeve (të kontestuara) janë të pavlefshme dhe nule; konstatoi se Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [Ae. nr. 185/2017, i datës 16 dhjetor 2017] është përfundimtar dhe i detyrueshëm, dhe si i tillë res judicata lidhur me tri pika specifike, të cilat duhet të ekzekutohen.

Parashtruesit:

Česká Exportní Banka A.S.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile