KI126/17, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës PML. nr. 83/2017, të 26 majit 2017
KI126/17, Parashtrues i kërkesës: A. K.
Aktvendim për papranueshmëri i 23.05.2018
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, masë e përkohshme, zbulimi i identitetit, qartazi e pabazuar
Parashtruesi i kërkesës, në cilësinë e ngasësit, kishte goditur personin A. C., i cili kishte ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra nga ky aksident trafiku. Prokuroria paditi parashtruesin e kërkesës dhe gjykatat e rregullta e shpallën atë fajtor për kryerjen e veprës penale “rrezikim të trafikut publik” dhe e dënuan me burg efektiv në kohëzgjatje prej 1 (një) viti.
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës Supreme, me të cilin pretendohet se ishte shkelur e drejta e parashtruesit të kërkesës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm e garantuar me Kushtetutë dhe KEDNJ. Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata që ta urdhërojë Gjykatën Supreme të nxjerrë një aktgjykim të ri me anë të të cilit do të anulonte vendimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore dhe do ta kthente rastin për rigjykim. Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës gjithashtu kërkoi nga Gjykata: i) të vendosë masë të përkohshme, me të cilën do të pezullohej fillimi i ekzekutimit të dënimit me burg derisa të merret një vendim nga Gjykata; dhe ii) të mos zbulojë identitetin e parashtruesit për shkak të çështjeve të ndjeshme familjare.
Gjykata e deklaroi kërkesën të papranueshme dhe e refuzoi kërkesën e parashtruesit për masë të përkohshme si të pabazuar. Gjykata konsideroi se kërkesa e parashtruesit nuk i kishte përmbushur kriteret e pranueshmërisë, sepse kërkesa ishte qartazi e pabazuar në baza kushtetuese. Pas shqyrtimit të procedurave të gjykatave të rregullta, Gjykata konstatoi se Gjykata Supreme dhe gjykatat e tjera më të ulëta arsyetuan vendimet e tyre dhe këto të fundit nuk ishin në asnjë mënyrë të padrejta apo arbitrare. Argumentet e parashtruesit të kërkesës i përkisnin sferës së ligjshmërisë dhe nuk ishin ngritur në nivel kushtetues. Faktet e paraqitura në asnjë mënyrë nuk e arsyetuan shkeljen e pretenduar dhe mungonte arsyetimi në nivel kushtetues nga parashtruesi i kërkesës, i cili kishte barrën e provës për ta bindur Gjykatën për shkeljen e pretenduar.
Gjykata përsëriti rëndësinë e doktrinës së “gjykatës së shkallës së katërt”, duke theksuar se nuk është roli i saj të merret me gabimet e fakteve apo të ligjit që pretendohet të jenë kryer nga gjykatat e rregullta gjatë vlerësimit të provave apo zbatimit të ligjit (ligjshmërisë) përveç dhe për aq sa ato mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria).
Gjykata e aprovoi si të bazuar kërkesën e parashtruesit për moszbulimin e identitetit të tij publikisht duke marrë parasysh se parashtruesi i kërkesës ofroi arsyetim të mjaftueshëm, siç kërkohet me Rregulloren e punës, se pse identiteti i tij nuk duhet të zbulohet.
A. K.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale