Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë të Aktvendimit [E.Rev.nr.68/2019] të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 27 janarit 2020

Nr. të lëndës KI 87/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI87/20, Parashtruesi i kërkesës: Suva Rechtsabteilung, Vlerësim i kushtetutshmërisë të Aktvendimit [E.Rev.nr.68/2019] të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 27 janarit 2020

KI87/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 26 mars 2021, publikuar më 13 prill 2021

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, arsyetim i vendimit gjyqësor, divergjencë në praktikën gjyqësore, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një aksidenti të ndodhur në vitin 2012, i cili ishte shkaktuar nga i siguruari i Kompanisë “Siguria”, ndërsa i siguruari i parashtruesit të kërkesës B.I., kishte pësuar dëme materiale. Parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar padi pranë Gjykatës Themelore më 8 dhjetor 2015 për kompensim të dëmit material në kuadër të drejtës së tij për subrogim. Kërkesa për kompensim të dëmit material ishte aprovuar nga Gjykata Themelore, dhe ishte caktuar kamatëvonesa në lartësi prej 12% duke filluar nga 20 shtatori 2013 deri në pagesën definitive. Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ae.nr.130/2018], të 3 shtatorit 2019 aprovoi pjesërisht ankesën e Kompanisë “Siguria” dhe Aktgjykimin [III.Ek.nr. 561/2015] e 5 prillit 2018 të Gjykatës Themelore e ndryshoi vetëm sa i përket pjesës përkitazi me lartësinë e kamatëvonesës, duke e detyruar Kompaninë ”Siguria” që parashtruesit të kërkesës t’ia paguajë kamatëvonesën sipas normës vjetore prej 8 % në vit, duke konstatuar se Gjykata Themelore në këtë pikë gabimisht ka zbatuar të drejtën materiale, respektivisht neni 26, paragrafi 6 i Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nuk është i aplikueshëm në rastet e kërkesave në bazë të të drejtës për subrogim, por në këtë rast është i aplikueshëm neni 382 i LMD-së. Rrjedhimisht, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion në Gjykatën Supreme, duke e kontestuar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit vetëm sa i përket pjesës së vendimit të saj përkitazi me kamatëvonesën. Në këtë rast, Gjykata Supreme, përmes Aktvendimit [E.Rev.nr.28/2019] të 27 janarit 2020  revizionin e parashtruesit të kërkesës e hodhi poshtë si të palejuar me arsyetimin se  në bazë të nenit 30 paragrafit 2 të LPK-së, kamatëvonesa si kërkesë akcesore nuk merret parasysh nëse nuk përbën kërkesën kryesore, e cila në këtë rast është kërkesa për kompensim në bazë të të drejtës për subrogim.

Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e lartcekura të Gjykatës Supreme, duke pretenduar (i) shkelje të drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Gjykata rikujton se në lidhje me pretendimin e tij për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi pretendon: (i) mosarsyetim të vendimit gjyqësor; (ii) mohim të së drejtës së tij për qasje në gjykatë; dhe (iii)  divergjencë në praktikën gjyqësore, si rezultat i vendimeve kundërthënëse të Gjykatës Supreme; dhe (ii) shkelje të së drejtës së tij në pronë, të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës, ne lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Gjykata pas vlerësimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, duke aplikuar edhe  standardet e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konstatoi se kërkesa është e papranueshme, sepse, pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe nenit 46 të Kushtetutës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese ashtu siç përcaktohet me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Suva Rechtsabteilung

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile