KI290/23, Parashtrues: Qazim Saliuka, Vlerësim i kushtetutshmërisë së veprimeve të Prokurorisë Themelore në Gjakovë
KI290/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 prillit 2024, publikuar më 20 qershor 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, pretendime të paarsyetuara, qartazi e pabazuar
Nga shkresat e lëndës, Gjykata konstatoi se kërkesa në fjalë e parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me çështjen e vërtetimit të të drejtave pronësore mbi ngastrën [nr. 5059]. Më konkretisht, për shkak të mosmarrëveshjeve me vëllain e tij në lidhje me çështjen e të drejtave pronësore mbi ngastrën kontestuese, parashtruesi i kërkesës ka iniciuar dhe zhvilluar disa procedura gjyqësore, disa prej të cilave ishin të natyrës civile dhe disa të tjera të natyrës penale.
Në mbështetje të kësaj, parashtruesi i kërkesës i dërgoi një shkresë Prokurorit të Shtetit, në të cilën ka theksuar se ai është subjekt i veprës penale të falsifikimit dhe se me këtë janë rrezikuar të drejtat e tij pronësore. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njoftoi parashtruesin e kërkesës se parashtresa ishte dërguar në kompetencë të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ku kishin kërkuar nga ai që të verifikojë këto pretendime. Si rezultat i këtij veprimi, parashtruesi i kërkesës është marrë në pyetje nga Policia e Kosovës në cilësinë e të dëmtuarit dhe të dëshmitarit. Me këtë rast, ai theksoi se anëtarët e familjes së tij, posaçërisht vëllai i tij, J.S., duke përdorur dokumente të falsifikuara, ka arritur që paluajtshmërinë me vlerë kapitale ta bartë në pronësi personale ku tani të njëjtën e ka dhënë për ndërtimin e bllokut banesor shumëkatësh me afarizëm.
Gjykata konstaton se në ndërkohë, parashtruesi i kërkesës ka paraqitur kallëzim penal kundër vëllait të tij, si dhe një parashtresë të re në Prokurorinë e Shtetit, për shkak të mosveprimit të pretenduar të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Parashtruesi i kërkesës ka paraqitur kërkesë në Gjykatë, duke konsideruar se veprimet e Prokurorisë Themelore në Gjakovë janë në kundërshtim me të drejtat dhe liritë themelore të përcaktuara me nenin 23 [Dinjiteti i Njeriut], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E drejta për Mjete Juridike], nenin 37 [E Drejta e Martesës dhe Familjes], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës], nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Mirëpo, parashtruesi i kërkesës, përveç pretendimeve për shkelje të neneve të përmendura të Kushtetutës, nuk ka ofruar asnjë shpjegim se si ka ndodhur shkelja e tyre nga Prokuroria.
Duke pasur parasysh këtë, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk i ka theksuar qartë pretendimet e tij për shkeljen e të drejtave dhe lirive të garantuara me Kushtetutë dhe, rrjedhimisht, nuk ka përmbushur kushtet e përcaktuara me nenin 48 të Ligjit në lidhje me rregullin 34 (1) (d) të Rregullores së punës dhe si rrjedhojë e deklaroi kërkesën të papranueshme.
Qazim Saliuka
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar