Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”

Nr. të lëndës KO160/23

Parashtruesit: Abelard Tahiri dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Shkarko:

KO160/23, parashtrues Abelard Tahiri dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”

KO160/23, Aktvendim për papranueshmëri  i 1 nëntorit 2023, publikuar më 21 nëntor 2023 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KO160/23 me parashtrues Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të parashtruar në Gjykatën Kushtetuese bazuar në përcaktimet e paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Gjykata, njëzëri, ka vendosur që të deklarojë kërkesën e papranueshme për shqyrtim në merita sepse e njëjta nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën.

Aktvendimi i Gjykatës sqaron që parashtruesit e kërkesës kërkuan vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, përkatësisht shkresës së 11 korrikut 2023 drejtuar deputetëve të Kuvendit nga Kryetari i Kuvendit, përmes të cilës të njëjtit u njoftuan dhe u ftuan për seancën plenare të 13 korrikut 2023, duke bashkëngjitur rendin e ditës. Parashtruesit e kërkesës pretenduan që akti i lartcekur nuk është në përputhshmëri me (i) nenin 68 [Seancat], nenin 69 [Orari i Seancave dhe Kuorumi] dhe nenin 76 [Rregullorja e Punës] të Kushtetutës në ndërlidhje me (ii) nenin 16 (Kryetari i Kuvendit), nenin 19 (Detyrat e Kryesisë) dhe nenin 52 (Rendi i ditës për seancë plenare) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke theksuar, ndër tjerash, që (i) nuk është respektuar afati për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare sipas nenit 52 (Rendi i ditës për seancë plenare) të Rregullores së Kuvendit, sipas të cilit, mes tjerash, rendi i ditës së bashku me materialet përkatëse u shpërndahen deputetëve së paku dy (2) ditë pune para mbajtjes së seancës plenare; dhe që (ii) në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 19 (Detyrat e Kryesisë) të Rregullores së Kuvendit, rendi i ditës nuk është paraqitur për miratim në seancën plenare të Kuvendit të 13 korrikut 2023, duke marrë parasysh që nuk ka pasur konsensus në Kryesinë e Kuvendit lidhur me rendin përkatës të ditës. Rrjedhimisht, parashtruesit e kërkesës kërkuan nga Gjykata që (i) aktin në fjalë ta shpallë në kundërshtim me Kushtetutën; dhe për pasojë (ii) të anulojë seancën plenare të Kuvendit të Republikës, të mbajtur më 13 korrik 2023, me pasojën e anulimit të të gjitha vendimeve, përfshirë ligjet e miratuara në këtë seancë.

Aktvendimi i Gjykatës gjithashtu rikujton që, parashtruesit e kërkesës kërkuan nga Gjykata që deri në vendosjen meritore të saj lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar, të vendos masën e përkohshme ndaj aktit të lartcekur, duke pezulluar për pasojë edhe efektin e të gjitha vendimeve të miratuara nga Kuvendi në seancën plenare të 13 korrikut 2023, përfshirë edhe hyrjen në fuqi të ligjeve të miratuara në atë seancë.

Gjykata, përmes Vendimit për Masë të Përkohshme në rastin KO 160/23, të datës 1 gusht 2023, kishte vendosur për refuzimin e masës së përkohshme përkitazi me aktin e kontestuar.

Në kontekst të përmbushjes së kritereve kushtetuese për shqyrtimin meritor të kërkesës, Aktvendimi i Gjykatës sqaron se, në mënyrë që një kërkesë e parashtruar bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës të jetë e pranueshme, e njëjta (i) duhet të parashtrohet nga së paku 10 (dhjetë) deputetë të Kuvendit; (ii) duhet të parashtrohet brenda afatit prej 8 (tetë) ditësh nga dita e miratimit të aktit të kontestuar; si dhe (iii) parashtruesit duhet të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi “të miratuar” nga Kuvendi, për përmbajtjen dhe/ose për procedurën e ndjekur, kritere këto të cilat duhet të plotësohen kumulativisht.

Në rrethanat e rastit konkret, çështje kontestuese ishte nëse akti i kontestuar i Kuvendit është akt i cili i është nënshtruar “miratimit” nga Kuvendi, siç kërkohet specifikisht në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës.  Në këtë kontekst, Aktvendimi sqaron që para Gjykatës është kontestuar “Vendimi Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe që i njëjti nuk i është nënshtruar votimit nga deputetët e Kuvendit dhe për pasojë nuk mund të cilësohet si “vendim i miratuar nga Kuvendi” për qëllime të paragrafit 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës dhe rrjedhimisht nuk mund të i nënshtrohet vlerësimit meritor të Gjykatës. Aktvendimi më tej nënvizon që, një qëndrim i tillë i Gjykatës është konsistent që nga viti 2013, përkatësisht Aktvendimi për Papranueshmëri në rastin KO115/13, me parashtrues Ardian Gjini dhe njëmbëdhjetë (11) deputetë të tjerë të Kuvendit, ndërsa gjithashtu sqaron që bazuar në praktikën e konsoliduar gjyqësore të Gjykatës, përderisa emërtimi formal i akteve, përfshirë ato të miratuara nga Kuvendi, nuk është përcaktues për vlerësimin e pranueshmërisë së një kërkese, Gjykata, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, ka vlerësuar vetëm kushtetutshmërinë e akteve të Kuvendit të cilat i janë nënshtruar “miratimit” nga Kuvendi, ndërsa në rrethanat e rastit konkret ky nuk është rasti.

Aktvendimi i Gjykatës në fund sqaron që, kjo vendimmarrje nuk ndërlidhet dhe/ose nuk afekton dy vendime të Kuvendit të miratuara në seancën plenare të 13 korrikut 2023, të cilat janë kontestuar ndaras në Gjykatë nga deputetë të Kuvendit, sipas autorizimeve të përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, përkatësisht (i) kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-583] për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, të regjistruar në Gjykatë si kërkesa KO 157/23; dhe (ii) kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit  nr. 08/L-142 për “ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”, të regjistruar në Gjykatë si kërkesa KO 158/23.

Parashtruesit:

Abelard Tahiri dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 68, Neni 69, Neni 76

Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër