KI198/19, Parashtrues: Besnik Kavaja, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. HPCC/REC/85/2006] të 11 dhjetorit 2006 të Komisionit për Çështje Pronësore Banesore
KI198/19 Aktvendim për Papranueshmëri i 16 janarit 2020, i publikuar më 28 janar 2020
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kontest pronësor, kërkesë për masë të përkohshme, ratione temporis
Parashtrues i kërkesës është Besnik Kavaja nga Prishtina, i cili konteston Vendimin [nr. HPCC/REC/85/2006] e Komisionit për Çështje Pronësore Banesore (në tekstin e mëtejmë: KÇPB) të 11 dhjetorit 2006.
Parashtruesi i kërkesës pretendonte se i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenin 1 të Protokollit 1, nenin 6 [ E Drejta për një proces të rregullt], nenin 13 [E Drejta për zgjidhje efektive] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Po ashtu parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) të caktojë masën e përkohshme me të cilën do të vendoste “që të ndalohet Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës që të më dëboj nga banesa, deri sa të zgjidhet kjo kërkesë”.
Gjykata konkludoi se shkelja e pretenduar e të drejtave të parashtruesit të kërkesës, të garantuara me Kushtetutë, ka ndodhur me vendimin i cili është bërë res judikata para 15 qershorit 2008, që është data e hyrjes në fuqi të Kushtetutës, dhe nga e cila datë Gjykata ka jurisdiksion kohor.
Prandaj, ne pajtim me rregullin 39 (3) (d) të Rregullores së punës, Gjykata konstatoi se kërkesa, në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës, duhet të shpallet e papranueshme sepse nuk është ratione temporis në pajtim me Kushtetutën.
Besnik Kavaja
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është ratione temporis jashtë juridiksionit të Gjykatës
Civile