Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 329/2021 të 15 tetorit 2021 të Administratës Tatimore të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI15/22

Parashtruesit: “Kel” Sh.A.

Shkarko:

KI15/22, Parashtrues: “Kel” Sh.A., Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 329/2021 të 15 tetorit 2021 të Administratës Tatimore të Republikës së Kosovës

KI15/22, Aktvendim për papranueshmëri i 22 dhjetorit 2022, i publikuar më 12 janar 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, subjekt juridik, e drejta e privatësisë, kërkesë e parakohshme, mosshterimi i mjeteve juridike, kërkesë e papranueshme 

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontroll të zhvilluar nga Administrata Tatimore e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: ATK) te parashtruesi i kërkesës, gjegjësisht shoqëria aksionare “Kel” Sh. A., objekt i të cilit ishin periudhat tatimore, 2 janar 2018 – dhjetor 2018 dhe 1 janar 2015 – dhjetor 2020, përkitazi me TVSh-në. Gjatë kontrollit të kryer, autoritetet e ATK-së kishin konstatuar se parashtruesi i kërkesës, si tatimpagues, nuk kishte mbajtur regjistër kontabël, sipas Ligjit nr.03/L-222 dhe aktit nënligjor përcjellës. ATK-ja ia kishte dorëzuar parashtruesit të kërkesës Raportin nr.14131, me të gjeturat e saj dhe e kishte njoftuar për rivlerësimin e tatimit shtesë. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë pranë divizionit të ankesave në ATK kundër të gjeturave të raportit të ATK-së, me pretendimin se kjo e fundit nuk kishte vërtetuar drejtë të gjitha faturat dhe pagesat që i kishte bërë. Më 2 nëntor 2021, ATK-ja kishte nxjerrë Vendimin nr.329/2021, me të cilin e kishte aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës, kundër vendimit të lartcekur të ATK-së, ka kërkuar mbrojte gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për çështje administrative dhe është në pritje të përfundimit të procedurave të rregullta.

Parashtruesi i kërkesës e kontestoi Vendimin e ATK-së në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se i njëjti është nxjerrë në shkelje të ligjit dhe të Kushtetutës, sepse ATK: (i) ka ngatërruar të hyrat e aksionarit me të hyrat e shoqërisë aksionare, duke shkelur kështu të drejtën e privatësisë së aksionarit J.U., të garantuar me nenin 36.1 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës; (ii) se nuk ka mbajtur seancë dëgjimore për çështjen;  (iii) se vendimi i saj është i njëanshëm, sepse nuk ka marrë parasysh pretendimet e ngritura në ankesë; (vi) se ka vendosur kamata të larta dhe kamata mbi kamata; (v) se nuk ka marrë parasysh gjendjen socio-ekonomike të tij, si tatimpagues; dhe (vi) se është ngarkuar me tatim vetëm mbi bazën e qarkullimit bankar. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës pretendon se Ligji nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat është i njëanshëm, dhe si i tillë jokushtetues dhe joligjor, sikundër dhe neni 9 i Ligjit nr. 04/L-102 për Ndryshim Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat.

Gjykata fillimisht vlerësoi nëse kërkesa e parashtruesit të kërkesës i kishte përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë kontest, Gjykata vlerësoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte e parakohshme, sepse parashtruesi i kërkesës nuk dëshmoi se kishte shteruar të gjitha mjetet e rregullta juridike për çështjen e tij, sa i përket kontestimit të kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 329/2021] të 15 tetorit 2021 të ATK-së, por edhe sa i përket kontestimit të kushtetutshmërisë së Ligjit te kontestuar nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat.

Përfundimisht, sikurse është cekur në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konstatoi se në rrethanat e rastit konkret parashtruesi i kërkesës ka ende në dispozicion mekanizma ligjor për t’u ankuar dhe për t’i realizuar  të drejtat e tij, të cilat pretendon se i janë shkelur. Rrjedhimisht, Gjykata vjen në përfundim se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhej deklaruar e papranueshme, për shkak të mosshterimit të mjeteve të rregullta juridike, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47.2 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

“Kel” Sh.A.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative