KO157/23, parashtrues: Vlora Dumoshi dhe 11 deputetë tjerë, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 08-V-583 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 13 korrikut 2023, për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit
KO157/23, Aktgjykim i 17 majit 2024 i publikuar më 1 korrik 2024
Fjalët kyç: kërkesë institucionale, kërkesë e pranueshme, procedurat e prokurimit, kompetencat e kuvendit, pavarësia institucionale e OSHP-së
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së përmes Vendimit të kontestuar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 13 korrikut 2023. Siç sqarohet në Aktgjykim, shkarkimit të anëtares së Bordit të OSHP-së, i kishte paraprirë Vendimi [PSH. 397/409/22] i Bordit të OSHP-së i 11 tetorit 2022, përmes të cilit ishte anuluar njoftimi i Autoritetit Kontraktues, përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë, për anulimin e aktivitetit të prokurimit me titull “Furnizimi me Insulina Analoge nga Lista Esenciale Lot 1 dhe Lot 3”. Vendimi i lartcekur i Panelit Shqyrtues të OSHP-së ishte nxjerrë në mënyrë unanime, pas ankesës së dy (2) operatorëve ekonomikë dhe pas shqyrtimit të ekspertizës së ekspertit përkatës të prokurimit, duke saktësuar që anulohet Njoftimi për anulimin e aktivitetit të prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe që çështja kthehet në rivlerësim. Vendimi i lartcekur i Panelit Shqyrtues të OSHP-së, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, i është nënshtruar vlerësimit të gjykatave të rregullta, Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, respektivisht, të cilat kanë hedhur poshtë padinë, përkatësisht ankesën e Ministrisë së Shëndetësisë si të palejueshme. Si rrjedhojë, Qeveria e Republikës së Kosovës kishte propozuar shkarkimin e kryesueses së Panelit Shqyrtues të OSHP-së që kishte nxjerrë vendimin e lartcekur, me arsyetimin e “shkeljes së etikës profesionale”. Ky propozim i Qeverisë, ishte shqyrtuar nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe i cili, vendosi që Kuvendit t’i rekomandojë mosmiratimin, përkatësisht refuzimin e propozimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së. Megjithatë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën plenare të 13 korrikut 2023, bazuar në propozimin e Qeverisë, përmes Vendimit të kontestuar, e shkarkoi anëtaren e Bordit të OSHP-së.
Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës kontestuan kushtetutshmërinë e këtij Vendimi të Kuvendit, duke pretenduar, ndër të tjera, që i njëjti është nxjerrë në kundërshtim me kompetencën mbikëqyrëse të Kuvendit, sipas përcaktimeve të paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, në esencë, duke vënë theks, në (i) mungesën e bazës ligjore për shkarkimin përkatës; (ii) cenimin e pavarësisë funksionale të OSHP-së; (iii) ndërhyrjen në kompetencën e pushtetit gjyqësor për të vlerësuar ligjshmërinë e vendimmarrjes së OSHP-së; dhe (iv) cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të anëtares së shkarkuar të OSHP-së. Pretendimet e parashtruesve të kërkesës u kundërshtuan nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Në kontekst të çështjeve të mësipërme, Aktgjykimi fillimisht vë theks në faktin që, rrethanat dhe pretendimet e lartcekura, ndër tjerash, kanë ngritur çështje që ndërlidhen me: (i) kompetencën kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Kosovës për të mbikëqyrur punën e institucioneve publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit si dhe kufizimet përkatëse në ushtrimin e këtij funksioni mbikëqyrës bazuar në Kushtetutë dhe ligjet e miratuara nga Kuvendi; (ii) pavarësinë e Agjencive të Pavarura të themeluara bazuar në nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, përfshirë statusin dhe pavarësinë funksionale e vendimmarrëse të OSHP-së sipas ligjeve të aplikueshme për prokurimin publik; dhe (iii) kompetencën e Kuvendit që në ushtrimin e funksionit mbikëqyrës, të shkarkojë anëtarët e OSHP-së dhe kufizimet përkatëse bazuar në ligjet e aplikueshme për prokurimin publik.
Në kontekstin e parimeve që burojnë nga analiza e parimeve kushtetuese, Aktgjykimi fillimisht sqaron që Kuvendi e ushtron funksionin e tij bazuar, ndër të tjera, në nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe nenin 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës, përfshirë kompetencën për të (i) miratuar ligje, rezoluta dhe akte tjera të përgjithshme; dhe (ii) për të mbikëqyrur punën e Qeverisë dhe të institucioneve tjera publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, që të dy këto kompetenca, përbëjnë thelbin e funksionit kushtetues të Kuvendit. Thënë këtë dhe bazuar, ndër të tjera, në nenet 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës, në kontekst të kompetencës kushtetuese të mbikëqyrjes, Kuvendi është i kushtëzuar në ushtrimin e këtij funksioni në pajtueshmëri me (i) dispozitat kushtetuese, përfshirë ato të përcaktuara me nenet 3 [Barazi para Ligji], 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës, respektivisht; dhe (ii) kufijtë dhe autorizimet e përcaktuara në ligjet e miratuara nga vet Kuvendi përkitazi me institucionet publike që i raportojnë/mbikëqyren nga Kuvendi. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, në kontekst të ushtrimit të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit lidhur me Agjencitë e Pavarura të themeluara bazuar në nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, në kuadër të të cilave hyn edhe OSHP-ja bazuar në karakteristikat e saj sipas ligjeve të aplikueshme të prokurimit publik, por edhe vet Ligjin nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, rëndësi të veçantë ngërthejnë kufizimet mbikëqyrëse të Kuvendit bazuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës dhe ligjet që ndërlidhen me prokurimin publik në Republikën e Kosovës, siç janë miratuar nga vet Kuvendi.
Aktgjykimi tutje sqaron se, përderisa bazuar në nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, Agjencitë e Pavarura themelohen me ligje të Kuvendit dhe të cilat, rregullojnë themelimin, funksionimin dhe kompetencat e tyre, të njëjtat, bazuar në nenin e lartcekur të Kushtetutës, funksionet e tyre i kryejnë në mënyrë të pavarur nga çdo organ ose autoritet tjetër në Republikën e Kosovës dhe për më tepër, secili organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar të bashkëpunojë dhe t’u përgjigjet kërkesave të tyre gjatë ushtrimit të kompetencave ligjore, në pajtim me ligj. Për më tepër, bazuar në dispozitat e Ligjit nr.04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës dhe ndryshimet dhe plotësimet respektive të këtij ligji, ndër tjerash, (i) OSHP është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara në Ligjin për Prokurimin Publik; dhe (ii) asnjë person ose zyrtar publik nuk mund të ushtrojë ose të përpiqet të ushtrojë ndikim politik ose ndikim të paligjshëm në OSHP apo ndaj ndonjë punonjësi të tij për ndonjë vendim. Më tej dhe sipas sqarimeve të dhëna, Ligji i lartcekur, përcakton raportin e OSHP-së me pushtetin gjyqësor dhe pushtetin legjislativ. Në kontekst të të parit, ligji i aplikueshëm përcakton që ligjshmëria e vendimmarrjes së OSHP-së i nënshtrohet kontrollit gjyqësor. Ndërsa, në kontekst të të dytit, ligji i aplikueshëm përcakton raportin në mes të Kuvendit dhe OSHP-së, ndërlidhur me emërimin e anëtarëve të OSHP-së, detyrimet e raportimit dhe shkarkimin e anëtarëve të OSHP-së. Lidhur me këtë të fundit, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, marrë parasysh rëndësinë e pavarësisë funksionale të OSHP-së, ligjet e aplikueshme, ndër vite, kanë saktësuar që shkarkimi i anëtarëve të OSHP-së mund të bëhet vetëm pasi arsyet për shkarkim të vërtetohen përmes vendimmarrjes së gjykatave, ndërsa me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Prokurimin Publik të marsit të vitit 2016, përjashtimisht, është përcaktuar edhe mundësia që Qeveria t’i propozojë Kuvendit shkarkimin e kryetarit apo një anëtari të OSHP-së, “nëse ai/ajo vepron në kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj”, bazë mbi të cilën ka rezultuar shkarkimi i anëtares së OSHP-së në rrethanat e rastit konkret.
Megjithatë, bazuar në sqarimet e dhëna në Aktgjykim, as Qeveria dhe as Kuvendi nuk kanë dhënë asnjë arsyetim lidhur me cenimin e pretenduar të “etikës profesionale” të anëtares së OSHP-së, bazë kjo mbi të cilën ishte bërë propozimi dhe shkarkimi i saj. Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit i kishte rekomanduar këtij të fundit të mos e miratojë propozimin e Qeverisë për shkarkim. Për më tepër, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, kishin hedhur si të palejuar padinë dhe ankesën e Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e Vendimit të OSHP-së. Në fakt, bazuar në rrethanat e rastit, rezulton që anëtarja e OSHP-së është shkarkuar për vendimmarrjen e saj lidhur me nxjerrjen e Vendimit të OSHP-së për anulimin dhe kthimin në rivlerësim të Njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e aktivitetit përkatës të prokurimit.
Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim dhe duke u mbështetur në garancitë kushtetuese dhe ligjore, si dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës, përfshirë në kontekst të shkarkimeve të anëtarëve të institucioneve/agjencive dhe/ose organeve të pavarura për shkak të vendimmarrjes, Gjykata thekson që pavarësia individuale dhe kolegjiale e anëtarëve të OSHP-së, nënkupton jo vetëm pavarësinë përballë ndikimeve të jashtme që mund të kenë anëtarët e OSHP-së, por edhe përballë ndikimeve nga organi, i cili i ka emëruar në pozitat përkatëse – në këtë rast, Kuvendi. Kjo pavarësi ngërthen qëllimin që anëtarët e organeve përkatëse të jenë të lirë të ushtrojnë funksionet e tyre pa frikën e pasojave për kryerjen e funksioneve të tyre bazuar në autorizimet e dhëna përmes ligjeve të aplikueshme. Këto të fundit, për aq sa është relevante në rrethanat e rastit, përcaktojnë saktë që (i) ligjshmëria e vendimmarrjes së OSHP-së, i nënshtrohet kontrollit gjyqësor; ndërsa (ii) anëtarët e OSHP-së, suspendohen dhe/ose largohen nga detyra, me rastin e ngritjes së një aktakuze apo një vendimi gjyqësor të formës së prerë, respektivisht. Mundësia e shkarkimit të një anëtari të OSHP-së për “etikë profesionale” nuk mund të përdoret në mënyrë formaliste për të arsyetuar shkarkimin e një anëtari të OSHP-së për vendimmarrje në raste konkrete, nëse nuk argumentohet në mënyrë bindëse shkelja e rregullave të “etikës profesionale”. Një precedent i tillë, bazuar në të cilin anëtarët e OSHP-së do të mund të shkarkoheshin për vendimmarrjen e tyre, do të cenonte thellë pavarësinë funksionale të OSHP-së dhe vet qëllimin e ekzistencës së saj, sipas përcaktimeve të ligjeve të aplikueshme.
Gjykata në Aktgjykimin e saj, përfundimisht ka ritheksuar që është i padiskutueshëm autorizimi i Kuvendit që bazuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës të mbikëqyrë OSHP-në, por që në ushtrimin e këtij autorizimi, Kuvendi është i kufizuar në dispozitat kushtetuese, përfshirë pavarësinë e Agjencive të Pavarura sipas përcaktimeve të vet Kushtetutës dhe ligjeve të cilat vet Kuvendi i ka miratuar bazuar në paragrafin 1 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës. Aktgjykimi gjithashtu vë theks në vlerat e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, përfshirë parimet e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, sundimit të ligjit dhe ndarjes e ndërveprimit të pushteteve, të cilat janë shtjelluar përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës, ndër vite, përfshirë në kontekst të rëndësisë së pavarësisë në vendimmarrje në ushtrimin e funksioneve publike sipas përcaktimeve të Kushtetutës dhe ligjeve të aplikueshme.
Bazuar si në shtjellimin e mësipërm, Gjykata vendosi, njëzëri, që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që Vendimi [nr.08-V-583] i 13 korrikut 2023 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafin 1 të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës.
Vlora Dumoshi dhe 11 deputetë tjerë
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 65, Neni 142