Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 08-V-029, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës

Nr. të lëndës KO 127/21

Shkarko:
Përmbledhje

KO127/21, parashtrues, Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 08-V-029, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës

KO127/21, Aktgjykim, i 9 dhjetorit 2021, publikuar më 22 dhjetor 2021

Fjalët kyçe: Kërkesë institucionale, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, pavarësi institucionale, pavarësi e anëtarëve, mbikëqyrje e Kuvendit, shkarkim, vendimmarrje, imunitet;

Në rrethanat e këtij rasti, Gjykata ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit [nr. 08-V-029], të 30 qershorit 2021, të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes të cilit janë shkarkuar pesë (5) anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij akti është parashtruar në Gjykatë nga njëmbëdhjetë (11) deputetë të Kuvendit, bazuar në autorizimet e përcaktuara përmes paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar të Kuvendit, Gjykata njëzëri vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.08/V-029] i 30 qershorit 2021 i Kuvendit nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; (iii) të shfuqizojë Vendimin e lartcekur; (iv) të shfuqizojë Masën e Përkohshme të përcaktuar përmes Vendimit të Gjykatës, të 21 tetorit 2021; dhe (v) të refuzojë kërkesën për seancë dëgjimore.

Gjykata rikujton që më 30 qershor 2021, duke u bazuar në rekomandimin e Komisionit të Kuvendit për Administratë Publike, Kuvendi votoi për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Duke kontestuar kushtetutshmërinë e këtij akti, parashtruesit e kërkesës, pretenduan para Gjykatës se Vendimi i kontestuar i Kuvendit, cenon pavarësinë e Këshillit, të garantuar me nenin 101 [Shërbimi Civil] dhe nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, duke theksuar se Këshilli, si organ i pavarur kushtetues, nuk mund t’i nënshtrohet ndërhyrjeve nga ana e Kuvendit dhe se për shkarkimin kolektiv të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, nuk janë përmbushur asnjë nga kriteret ligjore të përcaktuara përmes Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Kundërargumentet e dorëzuara në Gjykatë nga deputetja përkatëse e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, në esencë, theksojnë se Kuvendi në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar ka vepruar në përputhshmëri me funksionin e tij mbikëqyrës, ndërsa rasti i ngritur para Gjykatës, nuk ngërthen çështje kushtetuese, sepse Kushtetuta nuk përcakton procedurën e zgjedhjes dhe të shkarkimit të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

Në vlerësimin e argumenteve dhe kundërargumenteve përkatëse dhe rrethanave që ngërthen rasti, Gjykata (i) fillimisht elaboroi statusin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe anëtarëve të tij, duke u referuar në Kushtetutë, ligjet e aplikueshme dhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës; (ii) elaboroi kompetencën e Kuvendit dhe kufizimet përkatëse në ushtrimin e funksionit të mbikëqyrjes së Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës; dhe në fund (iii) aplikoi këto parime në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar të Kuvendit.

Përkitazi me pavarësinë institucionale të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, Gjykata, ndër të tjera, theksoi se (i) Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës është institucion i themeluar me nenin 101 të Kushtetutës; (ii) Kushtetuta i ka përcaktuar Këshillit statusin e institucionit të “pavarur” në ushtrimin e funksionit të tij kushtetues, përkatësisht, “sigurimin e respektimit të rregullave  dhe  parimeve  që  rregullojnë  shërbimin  civil”; (iii) bazuar në praktikën gjyqësore të konsoliduar të Gjykatës, është përcaktuar se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës gëzon prerogativat e një “tribunali” në kuptim të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe se vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës janë “përfundimtare, të detyrueshme dhe të ekzekutueshme”; dhe (iv) kontrolli i ligjshmërisë së vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës bëhet përmes inicimit të konflikt administrativ në gjykatën kompetente, rrjedhimisht, ato i nënshtrohen kontrollit të pushtetit gjyqësor.

Përkitazi me pavarësinë e anëtarëve Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, Gjykata theksoi se (i) pavarësia e ushtrimit të funksionit kushtetues të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për “sigurimin e respektimit të rregullave  dhe  parimeve  që  rregullojnë  shërbimin  civil” nënkupton edhe pavarësinë e anëtarëve të tij në vendimmarrje; dhe (ii) për të njëjtin qëllim, vetë Kuvendi përmes Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ka përcaktuar imunitetin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi “lidhur me vendimmarrjen në kuadër të funksioneve kushtetuese dhe ligjore të Këshillit”, përkatësisht, për pikëpamjet e shprehura, mënyrën e votimit apo vendimet e marra gjatë punës së tyre si anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

Përkitazi me kompetencën e Kuvendit për të mbikëqyrur Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, Gjykata theksoi se (i) kompetenca e Kuvendit për të mbikëqyrë punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit është e përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës; dhe (ii) në rastin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, kjo kompetencë e Kuvendit është më tej e detajuar përmes Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe përfshinë, ndër tjerash, edhe autorizimin e Kuvendit për ndërprerjen e mandatit të anëtarëve të Këshillit në rrethanat e përcaktuara përmes nenit 15 (Ndërprerja e mandatit të anëtarit të Këshillit) të këtij ligji. Megjithatë, Gjykata tutje theksoi se, ushtrimi i kompetencës për ndërprerje të mandatit, përjashton ndërprerjen e të njëjtit për shkak të “vendimmarrjes” së anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, sepse rrethana të tilla, (i) do të cenonin pavarësinë institucionale të Këshillit dhe anëtarëve të tij, siç është përcaktuar përmes paragrafit 2 të nenit 101 të Kushtetutës; dhe (ii) do të ishin në kundërshtim me vetë përcaktimin e Kuvendit që anëtarët e Këshillit të gëzojnë imunitet nga shkarkimi për vendimmarrjen, siç është përcaktuar përmes dispozitave përkatëse të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar të Kuvendit, Gjykata rikujtoi se i njëjti është referuar në pikat 1.3 dhe 1.1 të paragrafit 1 të nenit 15 të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. E para, përkatësisht pika 1.3 e nenit 15 e këtij ligji, përcakton mundësinë e ndërprerjes së mandatit “në rastet e kryerjes së detyrave në papajtueshmëri me funksionin e tij”. Megjithatë, Vendimi i kontestuar i Kuvendit, nuk përmban asnjë fakt e arsyetim se si pesë (5) anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës kolektivisht, mund të kenë ushtruar detyrat e anëtarit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës në papajtueshmëri me funksionin e tyre. Ndërsa, e dyta, përkatësisht pika 1.1 e nenit 15 të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, përcakton mundësinë e ndërprerjes së mandatit “për shkelje të dispozitave të këtij ligji”. Në kontekst të kësaj të fundit, Vendimi i kontestuar i Kuvendit, thekson se “është vlerësuar se Këshilli ka vepruar në kundërshtim me Nenin 12 të Ligjit për KPMSHCK, për arsye se nuk ka zbatuar ligjet e aplikueshme gjatë vendimmarrjes.” Gjykata theksoi se Vendimi i kontestuar i Kuvendit, nuk i referohet asnjë fakti e arsyetimi në mbështetje të shkeljes së pretenduar të kësaj dispozite nga pesë (5) anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës kolektivisht, përpos vënies theks në “vendimmarrjen” e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Kjo për më tepër, rezulton nga fakti që Vendimit të kontestuar, i kishin paraprirë një sërë veprimesh dhe pyetjesh të Komisionit përkatës të Kuvendit drejtuar Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës përkitazi me vendimmarrjen në raste konkrete.

Në këtë kontekst, Gjykata ritheksoi se (i) Kuvendi ka kompetencë kushtetuese të mbikëqyrë Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, duke përfshirë mundësinë e ndërprerjes së mandatit të anëtarëve të tij në rastet e përcaktuara në Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; por se (ii) anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nuk mund të shkarkohen vetëm për shkak të “vendimmarrjes” së tyre sepse përkitazi me të njëjtën kanë pavarësi kushtetuese dhe ligjore, si dhe imunitet nga shkarkimi, siç është përcaktuar në vetë ligjin që ka miratuar Kuvendi. Për më tepër që, bazuar në po të njëjtin ligj, ligjshmëria e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës i nënshtrohet kontrollit të pushtetit gjyqësor dhe jo atij legjislativ.

Në këtë kontekst, Gjykata theksoi se Kuvendi duke shkarkuar (5) pesë anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës në mënyrë kolektive dhe pa shtjellimin e asnjë fakti e të bazuar në ligj, por vetëm me arsyetimin se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës “nuk ka zbatuar ligjet e aplikueshme gjatë vendimmarrjes”, përkatësisht për shkak të vendimmarrjes së tyre në raste konkrete, për të cilën anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës gëzojnë pavarësi dhe imunitet nga shkarkimi dhe e cila vendimmarrje, për më tepër, i nënshtrohet kontrollit të pushtetit gjyqësor dhe jo atij legjislativ, ka tejkaluar kufijtë e kompetencës së mbikëqyrjes së punës së institucioneve publike, të përcaktuar me paragrafin 9 të nenit 65 të Kushtetutës, në cenim të garancive përkitazi me pavarësinë e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës në ushtrimin e funksionit të tij të përcaktuar përmes paragrafit 2 të nenit 101 të Kushtetutës. Në këtë kontekst, Gjykata theksoi që në ushtrimin e kompetencës kushtetuese për mbikëqyrjen e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, Kuvendi ka gjithashtu detyrimin që të ruajë pavarësinë e Këshillit, të cilën vetë ia ka atribuuar përmes miratimit të Kushtetutës dhe Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Për pasojë dhe përfundimisht, Gjykata konstatoi se Vendimi [nr. 08/V-029] i Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Parashtruesit:

Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese