Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit 06/375, të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës për rekomandimin e kandidatëve për zgjedhjen e Drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, të 22 majit 2018, dhe Vendimit nr. 06-V-151, të Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e Drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, të 6 qershorit 2018
Nr. të lëndës KI 147/18
Parashtruesit: Arbër Hadri
KI147/18, Parashtrues: Arbër Hadri, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit 06/375, të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës për rekomandimin e kandidatëve për zgjedhjen e Drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, të 22 majit 2018, dhe Vendimit, Nr. 06-V-151, të Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e Drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, të 6 qershorit 2018.
KI147/18, Aktvendim për papranueshmëri i 4 shtatorit 2019, publikuar më 22 tetor 2019
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, procedura administrative, kontest pune, mosshterim i mjeteve juridike
Parashtruesi i kërkesës kishte aplikuar për t’u zgjedhur Drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, pas konkursit të shpallur nga Kuvendi i Kosovës. Pasi Komisioni relevant Parlamentar zhvilloi intervistat me kandidatët për Drejtor të Agjencisë, përmes Vendimit [06/375] vendosi t’i paraqes rekomandim Kuvendit për votim të dy kandidatëve në Seancë Plenare të Kuvendit, përkatësisht B. Z. dhe B. M., të cilët ishin vlerësuar me më së shumti pikë nga Komisioni përkatës. Parashtruesi i kërkesës nuk u përfshi në Vendimin [06/375] e propozuar nga Komisioni Parlamentar, pasi ishte vlerësuar si kandidati i tretë me më së shumti pikë për Drejtor të Agjencisë. Kuvendi votoi për Drejtorin e Agjencisë, dhe me votim të fshehtë, me 45 (dyzet e pesë) vota “për” nga 85 (tetëdhjetë e pesë) deputetë që morën pjesë në votim, dhe përmes Vendimit [Nr. 06-V-151] zgjodhi njërin nga kandidatët e propozuar nga Komisioni Parlamentar, përkatësisht B. Z. në pozitën e Drejtorit të Agjencisë.
Parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar Kuvendit dy herë lidhur me përzgjedhjen e Drejtorit të Agjencisë, herën e parë përmes Kërkesës për dhënien e udhëzimit, ndërsa herën e dytë, përmes në Ankesës në lidhje me procedurat e ndjekura për zgjedhjen e Drejtorit të Agjencisë dhe sipas shkresave të lëndës, nuk ka marrë përgjigje asnjëherë nga Kuvendi. Sipas shkresave të lëndës, parashtruesi i kërkesës nuk kishte marrë përgjigje.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës Kushtetuese se Vendimi [06-375] i Komisionit Parlamentar dhe Vendimi [Nr. 06-V-151] i Kuvendit për përzgjedhjen e Drejtorit të Agjencisë ishte nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës.
Në trajtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shqyrtoi nëse parashtruesi i kërkesës e ka plotësuar kriterin e shterimit të të gjitha mjeteve juridike të përcaktuara me ligji, siç është specifikisht e kërkuar përmes paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe dispozitave përkatëse ligjore dhe të Rregullores së punës. Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës, (i) nuk i kishte përdorur të gjitha mjetet juridike në dispozicionin e tij për të kontestuar Vendimet përkatëse të Kuvendit; dhe për më tepër (ii) nuk kishte argumentuar para Gjykatës pse të njëjtat nuk ishin efektive dhe/ose mjaftueshëm të sigurta në teori dhe në praktikë në rrethanat e rastit të tij. Andaj, Gjykata duke u mbështetur edhe në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk i plotëson kriteret për pranueshmërisë pasi që nuk kishte shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës, dhe si e tillë, kërkesa u deklarua e papranueshme.
Arbër Hadri
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Administrative