Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Urdhrit, I. GJA. nr. 1/2018-141, të Kryetarit të Gjykatës Themelore të Prizrenit, z. Ymer Hoxha, të 8 gushtit 2018

Nr. të lëndës KI 138/18

Parashtruesit: Gent Gjini

Shkarko:

KI138/18, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Urdhrit, I. GJA. nr. 1/2018-141, të Kryetarit të Gjykatës Themelore të Prizrenit, z. Ymer Hoxha, të 8 gushtit 2018

KI138/18, Gent Gjini

Aktvendim për papranueshmëri i 23 janarit 2019

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kërkesë e parakohshme, mosshterje e mjeteve juridike, kërkesë për masë të përkohshme, kërkesë për seancë dëgjimore, procedurë administrative

Parashtruesi i kërkesës është avokat i cili ushtron profesionin e tij të avokatisë në Prizren.

Objekt i çështjes ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së një Urdhri të nxjerrë nga Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, përmes së cilit “Urdhërohet [shin] punëtorët e sigurimit dhe recepcionistja, që të mos lejojnë hyrjen e avokatëve dhe palëve në objektin e gjykatës, pa ftesa ose leje gojore të kryetarit të gjykatës, apo gjyqtarit, me përjashtim në zyrën e dorëzimit të shkresave”.

Parashtruesi i kërkesës pretendonte se ky Urdhër i ka shkelur atij të drejtat e garantuara me nenet 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës. Ai po ashtu pretendonte shkelje të nenit 41 të Ligjit për Avokatinë, të nenit 25 të Ligjit për Gjykatat, si dhe nenit 6.1 të Statutit të Odës së Avokatëve. Në lidhje me këto pretendime, parashtruesi i kërkesës kërkoi edhe caktimin e masës së përkohshme për të ndaluar zbatimin e Urdhrit të kontestuar si dhe caktimin e një seance dëgjimore ku do të paraqiteshin argumentet lidhur me këtë rast.

Gjykata Kushtetuese e deklaroi kërkesën të papranueshme, duke qenë se ajo ishte parashtruar para se parashtruesi të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike në procedurë administrative dhe, si e tillë, ishte e parakohshme. Për të arritur në këtë konkluzion, Gjykata theksoi të gjitha dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore që qartazi tregonin se parashtruesi kishte pasur mundësi që të kontestojë Urdhrin në fjalë në procedurë administrative. Gjykata iu referua parimeve themelore për shterim të mjeteve juridike të ndërtuara ndër vite nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe praktikës së vet gjyqësore. Në këtë drejtim, Gjykata po ashtu theksoi që parashtruesi i kërkesës nuk kishte argumentuar që mjetet juridike të parapara me Ligjin për Procedurën Kontestimore ishin joefektive në rastin e tij. Ai thjesht kishte konsideruar, edhe pas kërkesës së Gjykatës për sqarim, që Gjykata Kushtetuese është i vetmi mjet juridik.

Për një mori arsyesh të elaboruara gjerësisht në aktvendim, Gjykata nuk u pajtua me këtë pohimin e parashtruesit se nuk ka mjete juridike në dispozicion dhe si rrjedhojë e shpalli kërkesën të papranueshme për arsye të mosshterimit të të gjitha mjeteve juridike në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës. Duke qenë se kërkesa u shpall e papranueshme, Gjykata gjithashtu refuzoi kërkesën e parashtruesit për masë të përkohshme dhe për seancë dëgjimore – duke i konsideruar ato si të pabazuara dhe të panevojshme.

Parashtruesit:

Gent Gjini

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative