KI246/23, Parashtrues: Rexhep Bajraktari, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Njoftimit [KML. C. nr. 89/23] të 7 gushtit 2023 të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Aktvendimit [Ac. nr. 8938/2022] të 24 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës
KI246/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 qershorit 2024, publikuar më 26 korrik 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta në gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil, gjegjësisht pronësor ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe Komunës së Suharekës, përkitazi me shpronësimin e një paluajtshmërie. Më 14 dhjetor 1989, Gjykata Komunale në Suharekë, nëpërmjet Aktvendimit [Nd. nr. 271/89], kishte vendosur për kërkesën e parashtruesit të kërkesës për kompensim monetar të paluajtshmërisë së shpronësuar. Ky aktvendim ishte bërë i plotfuqishëm më 14 mars 1990. Më 7 qershor 2002, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për përmbarimin e aktvendimit në fjalë në Gjykatën Komunale në Suharekë, e cila me Aktvendimin [E. nr. 84/2002] e 11 qershorit 2003 e kishte ndërprerë përmbarimin për shkak të parashkrimit të së drejtës. Aktvendimi u apelua në Gjykatën e Qarkut në Prizren. Kjo gjykatë, më 3 janar 2003, kishte aprovuar ankesën e parashtruesit me Aktvendimin [Ac. nr. 237/2002], duke kthyer çështjen në rivendosje në gjykatën e shkallës së parë, e cila me Aktvendimin [E. nr. 13/2003], sërish e kishte ndërprerë procedurën e përmbarimit, me arsyetimin se nga 14 marsi 1990, e deri në marrjen e vendimit më 9 maj 2003, kishin kaluar dymbëdhjetë vite, dhe se kjo e drejtë tashmë ishte parashkruar në kuptim të nenit 371 të Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve. Aktvendimi në fjalë u apelua përsëri në Gjykatën e Qarkut në Prizren. Gjykata në fjalë e kishte prishur aktvendimin e shkallës së parë, duke e kthyer çështjen sërish në rivendosje pranë së njëjtës. Më 17 maj 2013, Gjykata Themelore, në riprocedurë me Aktvendimin [CP. nr. 132/03] e kishte lejuar përmbarimin, sipas propozimit të parashtruesit të kërkesës. Megjithatë, Komuna e Suharekës duke u thirrur sërish në parashkrim kishte parashtruar prapsim pranë gjykatës së shkallës së parë, e cila më 23 nëntor 2022 e kishte aprovuar prapësimin, duke u thirrur në parashkrim. Ky aktvendim u apelua nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën e Apelit dhe kjo e fundit përfundimisht e kishte konfirmuar aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë, duke e refuzuar kërkesën për përmbarim të parashtruesit të kërkesës. Kundër këtij aktvendimi parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar propozim pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për ngritjen e kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme. Kjo zyrë megjithatë e kishte hedhur poshtë si të paafatshme propozimin e tij.
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatë pretendoi se Aktvendimi [Ac. nr. 8938/2022] i 24 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit, në ndërlidhje me Aktvendimin [CP. nr. 132/03] e 23 nëntorit 2022 të Gjykatës Themelore, i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij, të garantuara me nenet 3 dhe 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata në rrethanat e rastit konkret iu referua parimeve të përgjithshme të përcaktuara nëpërmjet jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës, dhe në aplikimin e këtyre parimeve iu referua rastit Stojanovski kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, ku GjEDNj nuk kishte marrë për bazë njoftimin e Prokurorit të Shtetit për qëllim të llogaritjes së afatit, sepse sipas GjEDNj mjetet juridike të cilat nuk janë në diskrecion të plotë të parashtruesve të kërkesës nuk mund të konsiderohen efektive dhe nuk duhet shteruar. Në këtë kontekst, Gjykata për qëllime të llogaritjes së afatit, rikujtoi se “vendim i fundit”, sipas nenit 49 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës ishte Aktvendimi [Ac. nr. 8938/2022] i 24 marsit 2023 i Gjykatës së Apelit, me të cilin ishte refuzuar ankesa e parashtruesit të kërkesës, kundër Aktvendimit [CP. nr. 132/03] të 23 nëntorit 2022 të Gjykatës Themelore dhe jo njoftimi i Zyrës se Kryeprokurorit të Shtetit. Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte dorëzuar jashtë afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.
Prishtinë, më 24 korrik 2024
Nr. ref.:RK 2495/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI246/23
Parashtrues
Rexhep Bajraktari
Vlerësim i kushtetutshmërisë së
Njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit [KML.C.nr89/23] të 7 gushtit 2023 dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës
[A.c.nr.8938/2022] të 24 marsit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Rexhep Bajraktari, me vendbanim në Suharekë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i përfaqësuar nga Dafina Bajraktari-Haziraj, avokate nga Suhareka.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Njoftimit [KML.C.nr89/23] të 7 gushtit 2023 të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe kushtetutshmërinë e Aktvendimit [A.c.nr.8938/2022] të 24 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit, në ndërlidhje me Aktvendimin [CP.nr.132/03] e 23 nëntorit 2022 të Gjykatës Themelore në Prizren - Dega në Suharekë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Aktvendimi i Gjykatës së Apelit i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 7 prill 2023
Objekti i çështjes
Objekti i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [A.c.nr8938/2022], të 24 marsit 2023, të Gjykatës së Apelit, në ndërlidhje me Aktvendimin [CP.nr.132/03], e 23 nëntorit 2022, të Gjykatës Themelore, përmes së cilëve parashtruesi i kërkesës pretendon se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 3 dhe 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNJ-së.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 1 nëntor 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 8 nëntor 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin [GJR. KI246/23] caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe me Vendimin [Nr.KSH.KI 246/23] caktoi Kolegjin shqyrtues të përbërë gjyqtarët: Remzije Istrefi-Peci (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 13 mars 2024, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Të njëjtën datë nga një kopje e kërkesës iu dërgua Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Gjykatës së Apelit. Po ashtu, Gjykata nga Gjykata Themelore në Prizren kërkoi informata lidhur me datën e dorëzimit të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, tek parashtruesi i kërkesës.
Më 24 mars 2024, Gjykata Themelore në Prizren informoi Gjykatën se Aktvendimi i kontestuar i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës më 7 prill 2023.
Më 26 qershor 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe me shumicë votash i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve të rastit
Bazuar në shkresat e lëndës, Gjykata vëren se me Aktvendimin e 3 tetorit 1989, Kuvendi Komunal i Suharekës kishte shprehur interes për shpronësimin e një paluajtshmërie, e cila i përkiste parashtruesit të kërkesës.
Më 14 dhjetor 1989, Gjykata Komunale në Suharekë nxori Aktvendimin [Nd.nr. 271/89] përkitazi me kërkesën e parashtruesit të kërkesës për kompensimin e paluajtshmërisë së shpronësuar, duke e obliguar Komunën e Suharekës që të njëjtit t’ia paguajë shumën prej katërmbëdhjetëmijë (14,000) dinarë për çdo metër katrorë (m2) të tokës së shpronësuar dhe shumën e përgjithshme prej njëqind e gjashtëdhjetë e tetëmijë (168.000) dinarë, duke përfshirë edhe kamatën ligjore. Aktvendimi në fjalë ishte bërë i plotfuqishëm, më 14 mars 1990.
Më 7 qershor 2002, parashtruesi i kërkesës parashtroi propozim për lejimin e përmbarimit, bazuar në titullin ekzekutiv, përkatësisht Aktvendimin [Nd.nr.271/89], e 4 dhjetorit 1989 të Gjykatës Komunale në Suharekë.
Më 11 qershor 2002, Gjykata Komunale në Suharekë nëpërmjet Aktvendimit [E.nr.84/2002], e ndërpreu procedurën e përmbarimit të propozuar nga parashtruesi i kërkesës, për shkak të parashkrimit të çështjes. Në arsyetimin e Aktvendimit të saj, Gjykata Komunale në Suhareke, theksoi se, meqë Aktvendimi [Nd.nr.271/89], i 4 dhjetorit 1989, i po kësaj gjykate, ishte bërë i plotfuqishëm nga 14 marsi 1990 dhe nga koha e plotfuqishmërisë së të njëjtit, kreditori nuk ka kërkuar ekzekutimin e tij, deri më 7 qershor 2002, në bazë të nenit 371 të LMD-së që ishte i aplikueshëm sipas Rregullores së UNMIK-ut nr. 24/99, kërkesa e tij është parashkruar, pasi që kanë kaluar më shumë se pesë (5) vite.
Më 24 qershor 2002, parashtruesi i kërkesës e apeloi Aktvendimin [E.nr.84/2002], e 11 qershorit 2002, të Gjykatës Komunale në Suharekë, në Gjykatën e Qarkut në Prizren me pretendimin se: “...është shkelur Ligji për Procedurën Kontestimore pasi nuk është ftuar propozuesi i përmbarimit i cili do të deklarohej në lidhje me rrethanat e vonesës, pasi ai deri pas përfundimit të luftës, në muajin janar të vitit 2000, është njoftuar se është i plotfuqishëm aktvendimi i kësaj gjykate pasi ai nuk ka kërkuar të holla, por që: paluajtshmërinë e eksproprijuar ka kërkuar kompensimit t’i bëhet me dhënies në shfrytëzim të pasurisë së komunës në sipërfaqen që i është eksproprijuar propozuesit”.
Më 3 janar 2003, Gjykata e Qarkut në Prizren, nëpërmjet Aktvendimit [A.c.nr 237/2002], aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe prishi Aktvendimin [E.nr.48/02], e 11 qershorit 2002 të Gjykatës Komunale në Suharekë, duke e kthyer lëndën pranë së njëjtës gjykatë për rivendosje. Në arsyetimin e Aktvendimit të saj, Gjykata e Qarkut në Prizren, theksoi se, kishte analizuar Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës Komunale në Suharekë dhe kishte arritur në përfundimin, se i njëjti ishte i padrejtë.
Më 9 maj 2003, Gjykata Komunale në Suhareke, duke vendosur në riprocedurë, nxori Aktvendimin [E.nr.13/2003], me të cilin e ndërpreu propozimin për përmbarim, ndaj debitorit Komuna e Suharekës, me arsyetimin se nga 14 marsi 1990, kur ishte bërë propozimi për përmbarim, gjegjësisht kërkesa për kompensim në të holla, e deri në marrjen e vendimit të tanishëm, më 9 majit 2003, kishin kaluar dymbëdhjetë (12) vite, dhe se sipas Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve kjo e drejtë është parashkruar në kuptim të nenit 371 të po të njëjtit ligj.
Më 20 maj 2003, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Qarkut në Prizren, kundër Aktvendimit të lartcekur të 9 majit 2003, me pretendimin se përkitazi me çështjen e parashkrimit, i njëjti kishte paraqitur paraprakisht ankesë, ku kishte theksuar se: “Gjykata e shkallës së parë nuk ka vepruar sipas udhëzimeve të Gjykatës së Qarkut në Prizren, por ka vendosur në mënyrë të njëjtë si në rastin e parë, me arsyetim se kërkesa e përmbarimit është parashkruar, duke mos i marrë parasysh rrethanat në të cilat afati i parashkrimit ka pushuar me ligje të cilat janë publikisht të njohura”.
Më 14 tetor 2003, Gjykata e Qarkut në Prizren nxori Aktvendimin [A.c.nr216/2003], nëpërmjet të cilit prishi Aktvendimin [E.nr.13/2003], e 9 majit 2003 të Gjykatës Komunale në Suharekë, duke e kthyer sërish lëndën në rigjykim tek e njëjta gjykatë. Në arsyetim e Aktvendimit të saj, Gjykata e Qarkut në Prizren, ndër të tjera, theksoi: “[...]. Gjykata e shkallës së parë bën gabim edhe në procedurë, në të vërtetë pas parashtrimit të propozimit për përmbarim, gjykata vërteton parashkrimin e kërkesës, mirëpo në parashkrim gjykata nuk shikon sipas detyrës zyrtare, por sipas kundërshtimit të palëve”.
Më 17 maj 2013, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktvendimit [CP.nr.132/03] e lejoi përmbarimin sipas propozimit të parashtruesit të kërkesës.
Më 23 maj 2013, Komuna e Suharekës parashtroi prapsim në Gjykatën Themelore, kundër Aktvendimit të 17 majit 2013, të po të njëjtës gjykatë, duke ngritur sërish çështjen e parashkrimit bazuar në paragrafin 1 të nenit 379 të LMD-së të vitit 1978, ku parashihet se: “Të gjitha kërkesat që janë të përcaktuara me vendim gjyqësore të formës së prerë, [...], parashkruhet për dhjetë (10) vite”.
Më 23 nëntor 2022, Gjykata Themelore, nxori Aktvendimin [CP.nr.132/13], nëpërmjet të cilit aprovoi prapësimin e Komunës së Suharekës, të ushtruar kundër Aktvendimit [CP.nr.132/03], të 17 majit 2013, të po kësaj gjykate, për lejimin e përmbarimit sipas titullit ekzekutiv. Në pjesën e arsyetimit të Aktvendimit, Gjykata Themelore theksoi: “Gjykata Themelore Prizren ka gjetur se në këtë çështje përmbarimore kërkesa është parashkruar pasi që propozimi për përmbarim është ushtruar më datë 7 qershor 2002, ndërsa Aktvendimi që kërkohet të përmbarimoret është i plotfuqishëm që nga data 14 mars 1990 dhe se janë plotësuar kushtet e parapara me nenin 71, paragrafi 1, pika 1.4, të LPP-së, mbi bazën e të cilave mund të ushtrohet prapësimi dhe prapësimin e aprovoj si të bazuar”.
Më 8 dhjetor 2022, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër Aktvendimit [CP.nr.132/03], të 23 nëntorit 2022, të Gjykatës Themelore, me pretendimin për vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale. Në ankesën e tij parashtruesi i kërkesës kishte theksuar se debitori pasi kishte bërë shpronësimin e pronës së paluajtshme, i njëjti që nga viti 1989 nuk kishte kompensuar asgjë, dhe që nga ajo kohë është pasuruar pa bazë ligjore, duke pasur pushtetin faktik dhe juridik mbi atë paluajtshmëri. Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës kishte ngritur shkeljen e paragrafit 1 të nenit 194 të LMD-së në fuqi, i cili përcakton se “Secili person që pasurohet pa bazë ligjore në dëm të një tjetrit, është i detyruar të kthej atë që ka marrë nga tjetri, ose ndryshe do të kompensojë vlerën e fitimit të arritur”.
Më 24 mars 2023, Gjykata e Apelit, nëpërmjet Aktvendimit [Ac.nr.8938/2022], (i) refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, dhe (ii) vërtetoi Aktvendimin [CP.nr. 132/03], e 23 nëntorit 2022, të Gjykatës Themelore, si të drejtë dhe të bazuar në ligj. Në pjesën e arsyetimit të Aktvendimit, Gjykata e Apelit, ndër të tjera, theksoi se kërkesa për kompensimin e detyrimit (borxhit) ishte parashkruar në kuptim të paragrafit 1 të nenit 379 të LMD-së.
Më 6 korrik 2023, parashtruesi i kërkesës pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit parashtroi propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, kundër Aktvendimit [Ac.nr.8938/2022], të 24 marsit 2023, të Gjykatës së Apelit. Në këtë kërkesë, ndër të tjera, potencohet: “Konsiderojmë se Gjykata e Apelit me rastin e vendosjes sipas kërkesës së kreditorit në lidhje me këtë çështje ka bëre shkelje esenciale të dispozitave të procedurës, ngase nuk është vërtetuar drejt fakti se ka pasur ndërprerje të parashkrimit dhe se kreditori që nga ajo kohë nuk ka marr asnjëherë kompensim në lidhje me eksproprijimin që i është bërë dhe as kompensimet për dëmet e tjera që i janë shkaktuar [...]”.
Më 7 gusht 2023, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nxori Njoftimin [KML.C.nr89/23], nëpërmjet të cilit e njoftoi parashtruesin e kërkesës, si në vijim: “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, bazuar në shkresat e lëndës ka gjetur se: “Ka kaluar afati ligjor për të ngritur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë. [...]. Andaj nga koha kur ka filluar të rrjedh afati nga data 7 prill 2023 dhe deri me datën 18 korrik 2023 kur edhe kemi pranuar propozimin e juaj për ngritjen e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë kanë kaluar më shumë së 3 muaj”.
Gjykata vëren se përfaqësuesja e autorizuar e parashtruesit të kërkesës ka potencuar se propozimi për mbrojtjen e ligjshmërisë, dërguar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është dërguar përmes postës më 6 korrik 2023, për të cilën ka bashkëngjitur si dëshmi fletëkthesën e dorëzimit të kërkesës në postë.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatë konteston kushtetutshmërinë e Njoftimit [KML.C.nr89/23], të 7 gushtit 2023 të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe kushtetutshmërinë e Aktvendimit [A.c.nr8938/2022], të 24 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit, në ndërlidhje me Aktvendimin [CP.nr.132/03], e 23 nëntorit 2022 të Gjykatës Themelore, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 3 dhe 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNJ-së.
Rreth pritjes së realizimit të së drejtës së tij, parashtruesi i kërkesës pretendon se që nga koha kur është iniciuar kjo çështje e deri më tani ka qenë në pritje për të realizuar kërkesën e tij, pasi gjithmonë ka atakuar vendimet e pakënaqshme me të cilat, siç thekson ai, është ndërprerë rrjedhja e afatit të parashkrimit, duke iu referuar kësisoj nenit 369 të LMD-së që përcakton: “Parashkrimi ndërprehet me paraqitjen e padisë dhe me çdo veprim tjetër të kreditorit të ndërmarra kundër debitorit para gjykatës ose autoriteti tjetër kompetent me qëllim vërtetimi, sigurimi ose realizimi të kërkesës”.
Parashtruesi i kërkesës tutje thekson se provat e paraqitura pranë gjykatave të rregullta hedhin poshtë pretendimin e debitorit, gjegjësisht të Komunës së Suharekës, se kërkesa e tij për kompensim është parashkruar, edhe pse debitori nga plotfuqishmëria e Aktvendimit të 4 dhjetor 1989, gjegjësisht nga 14 marsi 1990, e deri më sot asnjëherë nuk e ka kundërshtuar faktin se ka borxh ndaj parashtruesit të kërkesës, pasi që pranimi i borxhit gjithashtu e ndërprenë rrjedhjen e afatit të parashkrimit. Në ketë kontekst, parashtruesi i kërkesës i referohet paragrafit 1 të nenit 368 të LMD-së që përcakton: “Parashkrimi ndërpritet kur debitori e pranon borxhin”, duke shtuar se pranimi i borxhit është bërë në vitin 1989, por asnjëherë nuk ka ndodhur kompensimi. Mbi këto fakte, parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykata e shkallës së parë gabimisht vlerësoi provat e administruara dhe gabimisht aplikoi të drejtën materiale në dëm të tij, kur mori vendim për aprovimin e prapësimit të debitorit, gjegjësisht të Komunës së Suharekës.
Në këtë kuptim, parashtruesi i kërkesës pretendon se edhe Njoftimi i Zyrës së Kryeprokurorit të shtetit, shkel të drejtat e tij sepse gabimisht e ka hedhur propozimin e tij për ngritje të kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë si të pasafatshme, duke shtuar se: “Pas vlerësimit të kërkesës tonë dhe pas analizimit të detajuar të aktvendimit kundër të cilit kemi kërkuar që të paraqitet kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë si dhe shkresat e tjera të lëndës, ka gjetur se ka kaluar afati ligjor për të ngritur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë. Pasi që me datën 6 korrik 2023 kemi dorëzuar me postë këtë kërkesë dhe se zyrtari i postës ka thënë se sot i shkon kjo porosi në adresën e caktuar dhe fakti që Zyra e Kryeprokurorit ka pranuar më datën 18 korrik 2023, duhet llogaritur data në të cilën është dorëzuar me postë”.
Në fund, parashtruesi i kërkesës nga Gjykata kërkon: (i) Ta obligojë Gjykatën e Apelit që të prish vendimin e Gjykatës Themelore Prizren - Dega Suharekë dhe çështjen ta kthejë në rigjykim dhe se nuk ka parashkrim në këtë çështje, kreditorit i është bërë e padrejta dhe se kjo duhet zgjidhur në mënyrë të drejtë ashtu sikur është paraparë edhe në legjislacionin tonë dhe t’i jepet edhe një herë mundësia që të gjykohet në mënyre të drejtë për të realizuar kërkesat e tij ndaj debitorit.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 3
[Barazia para Ligjit]
1. “Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit, përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.
2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.”
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1. “Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë,
mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë
komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së
kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.”
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. “Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj”.
Neni 54
[Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave]
“Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore në rast të shkeljes ose mohimit të ndonjë të drejte të garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj, si dhe të drejtën në mjete efektive ligjore nëse konstatohet se një e drejtë e tillë është shkelur.”
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6
(E Drejta për një proces të rregullt)
1. “Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
[...]”
Neni 14
(Ndalimi i diskriminimit)
“Gëzimi i të drejtave dhe i lirive të përcaktuara në këtë Konventë duhet të sigurohet, pa asnjë dallim të bazuar në shkaqe të tilla si seksi, raca, ngjyra, gjuha, feja, mendimet politike ose çdo mendim tjetër, origjina kombëtare ose shoqërore, përkatësia në një minoritet kombëtar, pasuria, lindja ose çdo status tjetër.”
LIGJI MBI MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE, i RSFJ-së, i 30 marsit 1978
Neni 371
Kërkesat parashkruhen për pesë vjet në qoftë se me ligj nuk është caktuar ndonjë afat tjetër i parashkrimit.”
Kërkesat e përcaktuara para gjykatës ose
organeve të tjera kompetente
Neni 379
Të gjitha kërkesat që janë përcaktuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose me vendim gjyqësor të formës së prerë ose me vendim të organit tjetër kompetent, ose me anë të pajtimit para gjykatës ose organit tjetër kompetent, parashkruhën për dhjetë vjet dhe ato për të cilat ligji edhe ashtu parashikon afat më të shkurtër parashikrimi. [...].”
Pranueshmëria e kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe të parapara me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata, fillimisht, i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
Nenin 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
[…]
Gjykata, gjithashtu, shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë të kërkuara me nenet 47 (Kërkesa individuale) dhe 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Përkitazi me përmbushjen e kritereve të lartcekura, Gjykata konstaton se: (i) parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar në kuptim të paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës; (ii) i njëjti konteston aktet e autoriteteve publike, përkatësisht Njoftimin [KML.C.nr89/23], e 7 gushtit 2023 të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Aktvendimin [Ac.nr 8938/2022], e 24 marsit 2023 të Gjykatës së Apelit; (iii) ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj; (iv) ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur nga aktet e autoriteteve publike, në pajtim me kërkesat e nenit 48 (Saktësimi i kërkesës) të Ligji.
Megjithatë, përveç kritereve të lartcekura, Gjykata po ashtu shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesës e tij në pajtim me dispozitat e nenit 49 të Ligjit dhe shkronjën (c), të nënrregullit 1 të rregullit 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës, që përcaktojnë:
Neni 49
(Afati)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor [...].”
Rregulli 34
[Kriteret e pranueshmërisë]
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].”
Në këtë kontekst, Gjykata si rregull, rikujton se afati 4 (katër) mujor fillon nga “vendimi i fundit” në procesin e shterjes së mjeteve juridike me të cilin është refuzuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës (shih, mutatis mutandis, rastet e GJEDNJ-së, Gavrilov kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, aplikimi nr.7837/10, Vendim i 1 korrikut 2014, paragrafi 25; dhe Paul dhe Audrey Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 46477/99, Vendim i 14 marsit 2002; shih gjithashtu rastin e Gjykatës: KI234/21, me parashtrues N.P.N Çlirimi, Aktvendim i 27 qershorit 2022, paragrafi 35).
Në këtë vazhdë, Gjykata përsërit se parashtruesit e kërkesës duhet t’i shterojë të gjitha mjetet juridike të cilat pritet të jenë efektive dhe të mjaftueshme. Vetëm mjetet efektive mund të merren parasysh nga Gjykata, pasi parashtruesi i kërkesës nuk mund të zgjasë afatet kohore strikte të parapara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të shfrytëzojë mjete juridike të cilat nuk janë efektive për të ofruar mbrojtje të të drejtave për të cilat ankohet parashtruesi i kërkesës (shih, mutatis mutandis, rastet e GJEDNJ-së, Gavrilov kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, cituar më lart, paragrafi 25; dhe, Fernie kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 14881/04, Vendim i 5 janarit 2006). Lidhur me kriteret e lartcekura, Gjykata fillimisht vlerëson se kërkesa për shterjen e mjeteve juridike, dhe kriteri që kërkesa të paraqitet brenda afatit prej katër (4) muajve janë të ndërlidhura ngushtësisht (shih, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së Jeronovičs kundër Letonisë, nr.44898/10, Aktgjykim i 5 korrikut 2016, paragrafi 75; shih gjithashtu rastin e Gjykatës: KI234/21, cituar më lartë, paragrafi 36).
Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se procedura gjyqësore e parashtruesit të kërkesës është zhvilluar para gjykatave të rregullta në lidhje me mospërmbarimin e një Aktvendimi të vitit 1989 që ishte bërë i plotfuqishëm, më 14 mars 1990, për kompensimin e një paluajtshmërie, e cila i ishte shpronësuar parashtruesit të kërkesës nga Komuna e Suharekës për qëllime të interesit publik. Kjo procedurë përmbarimore u zhvillua pranë Gjykatëse Themelore dhe Gjykatës së Apelit. Megjithatë, pas pranimit të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës i ishte drejtuar edhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me propozimin që kjo e fundit, në emër të tij, të paraqesë kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit.
Gjykata verën se pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës, ndërlidhen me rregullsinë e procesit gjyqësorë të zhvilluar pranë gjykatave të rregullta, konkretisht me mënyrën e zbatimit të ligjit të aplikueshëm, që përcaktojnë kriteret e parashkrimit të së drejtës së realizuar me një vendim të plotfuqishëm. Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës ka ngritur pretendime edhe ndaj Njoftimit [KMLC.nr.1/23], të 7 gushtit 2023, të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke kontestuar mënyrën e verifikimit të afatshmërisë së propozimit për ngritjen e kërkesës së ligjshmërisë në Gjykatën Supreme. Në këtë aspekt, nëpërmjet Njoftimit [KMLC.nr.1/23], të 7 gushtit 2023, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informoi parashtruesin e kërkesës, si në vijim: “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, bazuar në shkresat e lëndës ka gjetur se: “Ka kaluar afati ligjor për të ngritur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë. [...]. Andaj nga koha kur ka filluar të rrjedh afati nga data 7 prill 2023 dhe deri me datën 18 korrik 2023 kur edhe kemi pranuar propozimin e juaj për ngritjen e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë kanë kaluar më shumë së 3 muaj”.
Në këtë aspekt, duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, KEDNJ nuk kërkon që mjetet juridike diskrecionale, apo mjetet juridike që nuk janë drejtpërdrejtë në dispozicion të parashtruesve të kërkesës dhe që varen nga ushtrimi i diskrecionit nga ndërmjetësi, siç është rasti me propozimin e ngritur pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, të shteren para se parashtruesit e kërkesave t’i drejtohen GJEDNJ-së (shih, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së, X dhe të tjerët kundër Letonisë, nr. 277773/08, Vendim i 6 qershorit 2008, paragrafi 20, dhe referencat e cekura aty; shih po ashtu rastin e Gjykatës KI174/20, me parashtrues DE-KO Sh.p.k, Aktvendimi i 25 shkurtit 2021, paragrafi 38; dhe KI234/21, me parashtrues N.P.N Çlirimi, cituar më lart, paragrafi 41).
Më konkretisht, lidhur me propozimet e ngjashme, siç është propozimi që ngritët pranë Zyrës së Prokurorit të Shtetit, duke kërkuar që ky i fundit të paraqesë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë para organeve gjyqësore në emër të parashtruesve të kërkesave, GJEDNJ e kishte trajtuar në rastin Lepojić kundër Serbisë. Në këtë rast, GJEDNJ kishte vlerësuar nëse propozimi i paraqitur para prokurorit të shtetit, duke kërkuar që ky i fundit të paraqesë kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë ishte mjet juridik efektiv. Në këtë kuptim, GJEDNJ kishte theksuar si në vijim: “[GjEDNj] gjen se është vetëm prokurori i shtetit ai që mund të dorëzoj [kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë] në emër të parashtruesit, dhe, për më tepër, ky i fundit ka diskrecion nëse dëshiron të bëjë një gjë të tillë. Përderisa parashtruesi i kërkesës mund të kërkoj një veprim të tillë të prokurorit, ai nuk ka të drejtë sipas ligjit për të përdorur një mjetë të tillë juridik [kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë] personalisht [...] Kërkesa për mbrojte të ligjshmërisë, për këtë arsye, ishte jo efektive [...]” (shih, për më shumë, rastin Lepojić kundër Serbisë, nr. 13909/05, Aktgjykim i 6 nëntorit 2007, paragrafi 54; po ashtu rastin e Gjykatës KI174/20, cituar më lartë, paragrafi 39).
Po ashtu, duke u thirrur në rastin Lepojić kundër Serbisë, GJEDNJ në trajtimin e rastit Stojanovski kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, nuk kishte marrë për bazë njoftimin e prokurorit të shtetit për qëllim të llogaritjes së afatit, kur ky i fundit kishte konstatuar se nuk kishte bazë të mjaftueshme për të paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme të Maqedonisë. GJEDNJ në këtë rast kishte theksuar se “kërkesa e parashtruesit, para prokurorit publik, nuk ishte mjet që duhej të shterej. Rrjedhimisht, periudha kohore për të përdorur atë mjet juridik nuk e ndal rrjedhjen e afatit gjashtë (6) mujor [për të paraqitur kërkesë pranë GjEDNj-së lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit”. Rrjedhimisht, GJEDNJ gjeti se kërkesa e parashtruesit ishte parashtruar jashtë afatit të paraparë me KEDNJ (shih për më shumë rastin e GJEDNJ-së, Stojanovski kundër ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, nr. 1431/03, Vendim i 16 shtatorit 2008). Në rrethana të ngjashme, GJEDNJ kishte mbajtur këtë qëndrim edhe në rastin e saj Knapić kundër Kroacisë, nr. 2839/08, Vendim i 4 qershorit 2009).
Prandaj, bazuar në sa më sipër, Gjykata vlerëson se “vendim i fundit”, sipas nenit 49 të Ligjit dhe shkronjës (c), të nënrregullit (1) të rregullit 34 të Rregullores së punës në rrethanat e rasti konkret është Aktvendimi [A.c.nr.8938/2022], i 24 marsit 2023, i Gjykatës së Apelit, me të cilin ishte refuzuar ankesa e parashtruesit të kërkesës, kundër Aktvendimit [CP.nr.132/03], të 23 nëntorit 2022, të Gjykatës Themelore (shih, mutatis mutandis, rastin e GJEDNJ-së Paul dhe Audrey Edwards kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 46477/99, Vendim i 14 marsit 2002; shih po ashtu rastin e Gjykatës KI115/20, parashtrues Muharem Rama, Aktvendimi i 2 dhjetorit 2021, paragrafi 51).
Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se Aktvendimi [A.c.nr.8938/2022], i Gjykatës së Apelit, ishte nxjerrë më 24 mars 2023. Në bazë të shkresave të lëndës, rezulton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar këtë Aktvendim më 7 prill 2023. Lidhur me këtë, Gjykata vëren se koha në mes të pranimit të Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit dhe të datës së parashtrimit të kërkesës në Gjykatë, më 8 nëntor 2023, ka më shumë se katër (4) muaj. Si pasojë, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [Ac.nr.1726/2022], të 24 marsit 2023, është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve.
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t’u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e GJEDNJ-së Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesat nr. (10865/09, 45886/07 dhe 32431/08), të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258; Lopes de Sousa Fernandes kundër Portugalisë, nr. 56080/13, Aktgjykimi i 19 dhjetorit 2017, paragrafi 129; shih gjithashtu rastet e Gjykatës KI120/17, parashtrues Hafiz Rizahu, Aktvendimi i 7 dhjetorit 2017, paragrafi 39; KI115/20, cituar më lart, paragrafi 54).
Ky afat gjithashtu i mundëson parashtruesit potencial të kërkesës që të shqyrtojë nëse dëshiron të paraqesë kërkesë dhe, nëse dëshiron, të vendosë për ankesat dhe argumentet konkrete që duhet ngritur dhe në të njëjtën kohë lehtëson vërtetimin e fakteve në këtë rast, meqë me kalimin e kohës, çdo shqyrtim i drejtë i çështjeve të ngritura bëhet problematik (shih rastin e GJEDNJ-së Sabri Gunes kundër Turqisë, nr. 27396/06, Aktgjykimi i 29 qershorit 2012, paragrafi 39; po ashtu rastin e Gjykatës KI12/20, parashtruese Hamijete Dinarama-Daija, Aktvendim i 6 nëntorit 2020, paragrafi 42).
Ky rregull specifikon afatin kohor për kontrollin e ushtruar nga Gjykata dhe paralajmëron individët dhe autoritetet shtetërore për afatin pas të cilit kontroll i tillë nuk është më i mundur (shih Vendimin e GJEDNJ-së Walker kundër Mbretërisë së Bashkuar, nr. 34979/97, e 25 janarit 2000; shih gjithashtu rastin e GJEDNJ -së, Sabri Gunes kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 40; shih po ashtu rastet e Gjykatës KI53/18, parashtrues Hajri Ramadani, Aktvendimi i 6 dhjetorit 2018, paragrafi 45; KI115/20, cituar më lart, paragrafi 56).
Prandaj, mbi bazën e arsyetimeve të mësipërme, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar jashtë afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe si e tillë e njëjta është e papranueshme si e pasafatshme.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafët 1 dhe 7 të nenin 113 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (1) (c) dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 26 qershor 2024:
VENDOS
TA DEKLAROJË, me pesë (5) vota për, dhe katër (4) kundër, kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka Nimani
Rexhep Bajraktari
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile