Vendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit Nr. 08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për  Tatimin në Pronën e Paluajtshme

Nr. të lëndës KO177/23

Parashtruesit: Komuna e Prizrenit

Shkarko:

KO177/23, Parashtrues i kërkesës: Komuna e Prizrenit, Vlerësim i kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit Nr. 08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për  Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

KO177/23, Masë e përkohshme e miratuar më 1 shtator 2023, e publikuar më 15 shtator 2023

Fjalët kyçe: kërkesë e parashtruar nga Komuna, vlerësim i kushtetutshmërisë së nenit të ligjit, kompetencat e Komunës  

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur përkitazi me kërkesën për masë të përkohshme në rastin KO 177/23, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, i cili ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit të lartcekur të Kuvendit është parashtruar në Gjykatë nga Komuna e Prizrenit, bazuar në autorizimet e përcaktuara nëpërmjet paragrafit 4 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, njëzëri, ka vendosur që kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023 dhe për pasojë, të pezullohet zbatimi i nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

Vendimi i Gjykatës fillimisht sqaron që bazuar në paragrafin 4 të nenit 113 të Kushtetutës, komuna është e autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve ose të akteve të Qeverisë, të cilat cenojnë përgjegjësitë komunale ose zvogëlojnë të hyrat e komunës, në rast se komuna përkatëse është prekur nga ai ligj ose akt. Bazuar në këtë dispozitë, Komuna e Prizrenit kërkon vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit Nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Ky nen përcakton që (i) çdo tatimpagues që është i detyruar të paguajë tatimin mbi pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, kualifikohet për faljen e tatimit; (ii) shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro; (iii) vendimi për faljen e tatimit në pronë merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji; (iv) në rast që tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese; dhe (v) zbatimi i kësaj dispozite mbetet e përgjegjësinë e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës dhe që Ministria përgjegjëse për financa nxjerr vendime që mund të jenë të nevojshme për zbatimin e kësaj dispozite.

Komuna e Prizrenit pretendon se, dispozita e lartcekur cenon përgjegjësitë komunale dhe zvogëlon të hyrat e komunës në kundërshtim me (i) garancitë kushtetuese të përcaktuara në paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2, 3 dhe 5 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (ii) Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale; dhe (iii) Ligjin Nr. 03/L-40për Vetëqeverisë Lokale, Ligjin Nr. 03/L-49 për Financat e Pushtetit Lokal; dhe Ligjin 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, në esencë dhe ndër tjerash sepse, ndërhynë në ushtrimin e kompetencave vetanake të komunës përkitazi me të hyrat nga tatimi në pronën e paluajtshme dhe afekton buxhetin komunal deri në vlerën prej 3 milion euro, ndërsa në nivel të pushtetit lokal në Republikën e Kosovës, deri në vlerën prej 27 milion euro sipas të dhënave të referuara të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Sipas sqarimeve të dhëna në Vendimin e Gjykatës, Komuna e Prizrenit gjithashtu kërkon nga Gjykata që deri në vendosjen meritore të saj lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit të kontestuar, të vendos masën e përkohshme, duke pezulluar efektet e tij. 

Në ndërlidhje me kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme, për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, kriteret për vendosjen e saj janë të përcaktuara me nenin 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, nenin 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe rregullat 44 (Kërkesa për masë të përkohshme) dhe 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesën për masë të përkohshme) të Rregullores së punës së Gjykatës. Sipas këtyre dispozitave, kërkohet, ndër tjerash, që masa e përkohshme të ndërlidhet me (i) “çështjen që është objekt i procedurës para saj [Gjykatës]”, me kushtin që pala që kërkon masë të përkohshme të dëshmojë se (ii) masa e përkohshme është e nevojshme “për t’u evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme” ose që masa e përkohshme është në “interes publik.”

Në kontekstin e lartcekur, Vendimi i Gjykatës sqaron që objekt shqyrtimi para Gjykatës është neni 5 i Ligjit të kontestuar dhe që i njëjti, bazuar në faktet dhe pretendimet e parashtruara, ngrit çështje të nivelit kushtetues që, ndër tjerash, ndërlidhen me ushtrimin dhe menaxhimin e kompetencave vetanake të komunave si dhe të drejtën e tyre për të vendosur, mbledhur dhe shpenzuar të hyrat e veta sipas përcaktimeve të Kushtetutës dhe ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës. Për më tepër, zbatimi i neni 5 i Ligjit të kontestuar brenda afateve të përcaktuara në të, përkatësisht tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e ligjit, (i) në njërën anë  mund të afekton ushtrimin e kompetencave komunale në ndërlidhje me të hyrat nga tatimi në pronën e paluajtshme për vitin 2023; ndërsa (ii) në anën tjetër, mund të afekton edhe të drejtat dhe detyrimet e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës në lidhje me tatimin në pronën e paluajtshme.

Vendimi i Gjykatës gjithashtu sqaron që në rrethanat e rastit konkret, pezullimi i efekteve të nenit 5 të Ligjit të kontestuar, mund të (i) “eviton rreziqe apo dëme të pariparueshme” që ndërlidhen me marrjen e veprimeve nga pushteti lokal sipas përcaktimeve dhe afateve të saktësuara në Ligjin e kontestuar;  dhe se (ii) vlerësimi i kushtetutshmërisë së tij, përkatësisht nenit 5 të Ligjit të kontestuar, para zbatimit të tij, është në “interesin publik”, pasi i shërben sigurisë juridike në ndërlidhje me pasojat juridike të Ligjit të kontestuar lidhur me ushtrimin e përgjegjësive komunale dhe menaxhimin e të hyrave të komunës nga tatimit në pronë të paluajtshme në njërën anë dhe faljen e tatimit në pronë të paluajtshme për tatimpaguesit në anën tjetër.

Për më tepër, vendosja e masës së përkohshme ndaj nenit 5 të Ligjit të kontestuar, përkatësisht pezullimi i efekteve të tij deri në vendimmarrjen e Gjykatës, nuk krijon pasoja për qytetarët e Republikës së Kosovës në kontekst të të drejtave që mund të burojnë nga dispozita e lartcekur. Kjo dhe pa paragjykimin në vlerësimin e Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dispozitës së kontestuar, sepse, në rast të vlerësimit të Gjykatës që neni 5 i Ligjit të kontestuar (i) nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën, do të evitohej cenimi i përgjegjësive komunale dhe/ose zvogëlimi i të hyrave të komunës; ndërsa në rast të vlerësimit që i njëjti (ii) është në përputhje me Kushtetutën, komunat do të mund të zbatonin nenin 5 të Ligjit të kontestuar, dhe qytetarët edhe më tej do të mund të përfitonin nga falja e tatimit në pronë të paluajtshme sipas vendimeve përkatëse të kuvendeve komunale dhe shuma e falur do të llogaritej si paradhënie për vitet pasuese sipas vet përcaktimeve të nenit të lartcekur.

Për pasojë, Gjykata, në dritën e sqarimeve të lartcekura, duke theksuar që miratimi i masës së përkohshme deri më 30 nëntor 2023, nuk paragjykon në asnjë mënyrë pranueshmërinë dhe/ose meritat e kërkesës, vlerëson që kërkesa e parashtruesve të kërkesës për masë të përkohshme ndaj efekteve të nenit 5 të Ligjit të kontestuar, duhet të miratohet, sepse i shërben mundësisë së  “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe për pasojë, është në “interes publik”. 

Vërejtje:  

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org

Parashtruesit:

Komuna e Prizrenit

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Vendim

Vendim për masë të përkohshme

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër