Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së neneve 3, 4, 5, 6, 7 dhe 9 të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) nr. 104/2020 për “Kriteret dhe Procedurat e Themelimit dhe Pushimit të Veprimtarisë së Institucioneve të Arsimit Parauniversitar”

Nr. të lëndës KO173/21

Parashtruesit: Komuna e Kamenicës

Shkarko:

KO173/21, parashtrues, Komuna e Kamenicës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së neneve 3, 4, 5, 6, 7 dhe 9 të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) nr. 104/2020 për “Kriteret dhe Procedurat e Themelimit dhe Pushimit të Veprimtarisë së Institucioneve të Arsimit Parauniversitar”

KO173/21, Aktgjykim, i 7 dhjetorit 2022, publikuar më 30 dhjetor 2022

Fjalët kyçe: Kërkesë e parashtruar nga Komuna e Kamenicës, themelimi i institucioneve edukative-arsimore të nivelit parauniversitar në komuna; vetëqeverisje lokale, kompetenca vetanake të komunës në fushën e arsimit parauniversitar, kërkesë e pranueshme

Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Udhëzimit Administrativ të kontestuar, Gjykata, njëzëri vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) neni 3 (Themeluesi), paragrafët 5, 6 dhe 7 të nenit 6 (Verifikimi i kushteve), paragrafët 2 dhe 3 të nenit 7 (Vendimi) dhe paragrafët 6, 7 dhe 8 të nenit 9 (Pushimi i veprimtarisë së institucionit edukativ-arsimor ose paraleles së ndarë) të Udhëzimit Administrativ të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafin 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe me paragrafin 2 dhe 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe si të tilla, shfuqizohen.

Thelbi që ngërthejnë rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me kompetencat që i janë përcaktuar pushtetit qendror, përkatësisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në njërën anë, dhe pushtetit lokal, përkatësisht komunave në anën tjetër, përkitazi me themelimin e institucioneve edukative-arsimore dhe paraleleve të ndara në komuna, përmes Udhëzimit të lartcekur Administrativ. I njëjti, ndër tjerash, saktëson se vendimi për themelimin dhe pushimin e institucioneve edukative-arsimore dhe paraleleve të ndara të nivelit parauniversitar, merret nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, bazuar në propozimin e komunës përkatëse. Vendimmarrja në nivel të pushtetit qendror, përkatësisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përkitazi me themelimin/pushimin e institucioneve edukative-arsimore dhe paraleleve të ndara në nivel parauniversitar, sipas parashtruesit të kërkesës, cenon përgjegjësitë komunale, në kundërshtim me dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ato të ligjeve të aplikueshme, përkatësisht të Ligjit nr.04/L-032 për Arsimin Parauniversitar, Ligjit nr.03/L-68 për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës  dhe Ligjit nr.03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, sipas të cilit, “ofrimi i arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, pagesën e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve dhe administratorëve të arsimit”, përbën kompetencë vetanake të komunave dhe si e tillë, është kompetencë e  “plotë dhe ekskluzive” në nivel komunal.

Fillimisht dhe sa i përket pranueshmërisë së kërkesës, Gjykata sqaron se, pas parashtrimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Udhëzimit Administrativ të kontestuar nga Kryetari i Komunës së Kamenicës, z. Qëndron Kastrati, më 17 tetor 2021, respektivisht 14 nëntor 2021, pas zhvillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës, Kryetar i Komunës së Kamenicës u zgjodh, z. Kadri Rahimaj. Ky i fundit, përmes përfaqësuesit të tij, më 5 janar 2022, parashtroi në Gjykatë kërkesën për tërheqje të lëndës KO173/21, me arsyetimin se nuk ka interes juridik për shqyrtimin e saj. Gjykata, bazuar në praktikën e saj gjyqësore dhe rregullin 35 (Tërheqja, hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së Punës, sipas të cilit, pavarësisht kërkesës për tërheqje, Gjykata mund të përcaktojë të vendosë përkitazi me kërkesën fillestare, fillimisht vlerësoi kërkesën e Kryetarit të ri të Komunës dhe vendosi të refuzojë të njëjtën, duke pasur parasysh interesin publik për vazhdimin e shqyrtimit dhe vendosjes meritore në rast, me theks në rëndësinë e qartësimit të pretendimeve për shkelje të parimeve kushtetuese lidhur me vetëqeverisjen lokale.

Ndërsa, sa i përket meritave të rastit, në adresimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me vetëqeverisjen lokale sipas Kushtetutës, Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, Opinioneve relevante të Komisionit të Venecias, ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës, si dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata, duke u bazuar në nenet 12, 123 dhe 124 të Kushtetutës, respektivisht, ndër të tjerash, ritheksoi se: (i) njësi themelore territoriale të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës janë komunat; (ii) organizimi dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes lokale rregullohen me ligj; (iii) komunat kanë kompetenca “vetanake”, “të zgjeruara” dhe  “të  deleguara”; dhe (iv) rishikimi administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave  të  tyre,  kufizohet  në  sigurimin  e  përputhjes  me  Kushtetutën  dhe me ligjin. Për më tepër, bazuar në këto nene kushtetuese, Gjykata theksoi që, veprimtaria  e  organeve  të  vetëqeverisjes  lokale  bazohet  në  Kushtetutë  dhe  në  ligje dhe respekton Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Kjo e fundit, ndër të tjerash, dhe për aq sa është e rëndësishme për rrethanat e rastit konkret, përcakton që: (i) autoritetet lokale, brenda kufijve të ligjit, do të kenë diskrecionin e plotë për të ushtruar iniciativën e tyre në lidhje me çdo çështje që nuk përjashtohet nga kompetenca e tyre dhe nuk i është caktuar në kompetencë ndonjë autoriteti tjetër; (ii) kompetencat që u besohen autoriteteve lokale, normalisht duhet të jenë të plota dhe ekskluzive dhe ato nuk mund të minohen apo të kufizohen nga një autoritet tjetër, qendror apo rajonal, përveç siç përcaktohet me ligj; dhe (iii) çdo kontroll administrativ mbi autoritetet lokale mund të ushtrohet vetëm sipas formave dhe në rastet e parashikuara nga Kushtetuta ose me ligj.

Gjykata gjithashtu ritheksoi se, vetëqeverisja lokale është e një rëndësie të tillë në rendin kushtetues, sa që Kushtetuta (i) ka përcaktuar këto garanci, ndër tjerash, në Dispozitat Themelore të saj; (ii) ka përcaktuar respektimin e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale; dhe (iii) me qëllim të sigurimit të mbrojtjes së këtyre garancive, në nenin 113 të saj, u ka dhënë komunave qasje të drejtpërdrejtë në Gjykatën Kushtetuese, në cilësi të palëve të autorizuara, që të kontestojnë kushtetutshmërinë e ligjeve ose të akteve të Qeverisë, të cilat cenojnë përgjegjësitë komunale ose zvogëlojnë të hyrat e komunës, në rast se komuna përkatëse është prekur nga ai ligj ose akt.

Në përputhje me garancitë e lartcekura të Kushtetutës dhe Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, dhe referimin e të njëjtave në detyrimin që këto garanci të zbatohen edhe përmes ligjeve të aplikueshme, Gjykata gjithashtu rikujtoi që, bazuar në nenin 17 (Kompetencat vetanake) të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, komunat kanë kompetenca “të  plota  dhe  ekskluzive” në ofrimin e arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, pagesën e rrogave dhe trajnimin e instruktorëve dhe administratorëve të arsimit. Në anën tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, bazuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjin për Arsimin në Komuna, ndër tjerash, mban përgjegjësinë kryesore për planifikimin, caktimin e standardeve dhe sigurimin e cilësisë së sistemit të arsimit parauniversitar, dhe ka përgjegjësinë të promovojë dhe të përmirësojë cilësinë dhe efikasitetin e arsimit dhe aftësimit përmes inspektimit të arsimit, monitorimit dhe vlerësimit me qëllim të ngritjes së cilësisë dhe mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit në fuqi.

Duke zbatuar parimet e lartcekura në rrethanat e rastit konkret, përkatësisht vlerësimin kushtetues nëse Udhëzimi Administrativ i kontestuar cenon përgjegjësitë komunale, Gjykata, ndër tjerash, theksoi se kompetenca për vendimmarrje të plotë të pushtetit qendror për themelimin dhe shuarjen e institucioneve të nivelit parauniversitar në komuna, që i është dhënë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës përmes neneve 3, 6, 7 dhe 9 të Udhëzimit Administrativ të kontestuar, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin e publikuar, cenon “kompetencat vetanake” të komunës. Kjo sepse, bazuar në mënyrën e saktësuar në dispozitat përkatëse të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, Ligjin për Arsimin në Komuna dhe Ligji për Arsimin Parauniversitar, vendimmarrja për themelimin e institucioneve të nivelit parauniversitar i takon komunave. Ndërsa, sa i përket neneve 4 (Kushtet për themelimin e institucionit edukativ-arsimor ose paraleles së ndarë) dhe 5 (Propozimi për themelimin e institucionit edukativ-arsimor ose paraleles së ndarë) të Udhëzimit Administrativ të kontestuar, të cilat, ndër tjerash, përcaktojnë kompetencën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të përcaktuar kushtet që duhet të plotësojnë institucionet edukative-arsimore dhe paralelet e ndara, dhe dokumentacionit të nevojshëm përmes të cilit mund të vërtetohet plotësimi i të njëjtave, Gjykata vlerësoi se të njëjtat nuk cenojnë “kompetencat vetanake” komunale. Kjo sepse, në parim, kompetenca për përcaktimin e kritereve dhe kushteve të përgjithshme që një institucion edukativ-arsimor ose paralele e ndarë duhet t’i plotësojë, përmes ligjeve të lartcekura të aplikueshme dhe siç është sqaruar në Aktgjykimin publikuar, i është përcaktuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Gjykata përfundimisht ritheksoi se, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 123 të saj, vetëqeverisja lokale është e garantuar dhe e rregulluar me ligj dhe bazuar në nenin 124 të saj, çdo rishikim administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutë dhe ligj. Në kuptim të kësaj, Gjykata theksoi se pushteti qendror dhe në rrethanat e rastit konkret, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përmes akteve nënligjore nuk mund t’i përcaktojë vetes kompetenca që nuk i janë përcaktuar me ligj të miratuar nga Kuvendi i Republikës, e të cilat kompetenca mund të ndërhyjnë në veprimtarinë e vetëqeverisjes lokale në fushën e arsimit apo të cenojnë përgjegjësitë komunale në këtë fushë. Një parim i tillë, në kuptim të vetëqeverisjes lokale, buron edhe nga dispozitat e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Gjykata vëren se, Kushtetuta dhe ligjet e aplikueshme qartësisht saktësojnë ndarjen e kompetencave përkatëse, duke përfshirë edhe në fushën e arsimit dhe që të dy nivelet e qeverisjes, janë të detyruara të veprojnë në përputhje të plotë me të njëjtat.

Parashtruesit:

Komuna e Kamenicës

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 12, Neni 123, Neni 124