Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së mospërmbarimit të Vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës, [A/02/68/2016] të 12 prillit 2016

Nr. të lëndës KI51/19

Parashtruesit: Qamil Lupçi

Shkarko:

KI51/19, Parashtrues i kërkesës: Qamil Lupçi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ. UZVP. nr. 37/2018 të 5 dhjetorit 2018

KI51/19, Aktgjykim i miratuar më 28 prill 2021, publikuar më 7 qershor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, përmbarim i vendimit të formës së prerë

Në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës iu drejtua Komisionit të Ankesave të MPMS-së dhe kërkoi që t’i paguhen tri paga pas daljes në pension dhe një pagë si shpërblim jubilar ashtu siç parasheh neni 52 dhe neni 53 i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës i 18 marsit 2014. Parashtruesi i kërkesës kishte pohuar se si paraqitës i kërkesës i ka plotësuar kushtet për pensionim dhe ka mbi dhjetë vjet përvojë pune pandërprerë në MPMS dhe se kërkesa e tij është e bazuar. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës nuk pranoi ndonjë përgjigje nga Komisioni i Ankesave i MPMS-së lidhur me kërkesën e tij. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës (KMPSHCK) kishte theksuar se Komisioni i Ankesave i MPMS-së është i obliguar për shqyrtimin e ankesës  së parashtruesit të kërkesës dhe nxjerrjen e vendimit meritor në pajtim me legjislacionin për shërbimin civil. Herën e dytë, Komisioni i Ankesave i MPMS-së kishte konstatuar se nuk ka kompetencë lëndore për ta vlerësuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës. Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi administrative për realizmin e kërkesës së tij, mirëpo, gjykatat e rregullta kishin konstatuar se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të zgjidhet në merita porse nuk kishin urdhëruar Komisionin e Ankesave të MPMS-së që të nxjerrë vendim meritor përkitazi me kërkesën e parashtruesit të kërkesës.

Gjykata vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës, përkitazi me qasjen në gjykatë, si një ndër garancitë e përcaktuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së, duke mbështetur këtë vlerësim në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ). Gjykata shtjelloi parimet e përgjithshme që burojnë nga GJEDNJ-ja dhe praktika e saj gjyqësore përkitazi me të drejtën për përmbarim të vendimit të formës së prerë.

Gjykata vlerësoi: (i) zbatimi i një vendimi të formës së prerë dhe të detyrueshëm, brenda një afati të arsyeshëm, është e drejtë e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së; (ii) mosmarrëveshja e parashtruesit me Komisionin e Ankesave të MPMS-së nuk ka qenë posaçërisht e ndërlikuar, sepse KPMSHCK-ja kishte urdhëruar nxjerrjen e një vendimi meritor që do t’i adresonte pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shpërblimin jubilar dhe pagesën e tri (3) pagave përcjellëse, në pajtim me ligjin në fuqi; (iii) Vendimi i KPMSHCK-së ka mbetur i pazbatuar nga Komisioni i Ankesave i MPMS-së edhe sot e kësaj dite.

Gjykata përfundoi se do të ishte e pakuptimtë nëse sistemi juridik i Republikës së Kosovës do të lejonte që një vendim i formës së prerë në procedurë administrative dhe i përmbarueshëm, të mbetej i paefektshëm në dëm të një pale. Prandaj, joefektshmëria e procedurave dhe moszbatimi i vendimeve prodhojnë efekte të cilat sjellin para situatave që janë në shpërputhje me parimin e sundimit të ligjit (neni 7 i Kushtetutës) – parim ky të cilin të gjitha autoritetet publike në Kosovë janë të detyruara ta respektojnë.

Gjykata konstatoi se moszbatimi i Vendimit të KPMSHCK-së nga Komisioni i Ankesave të MPMS-së ka rezultuar me shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së.

 

Parashtruesit:

Qamil Lupçi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative