Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Kontratës Kolektive Sektoriale, Nr. 05-3815, të 12 qershorit 2018

Nr. të lëndës KO 139/18

Shkarko:
Përmbledhje

KO139/18, Parashtrues: Komuna e Skënderajt, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Kontratës Kolektive Sektoriale, Nr. 05-3815, të 12 qershorit 2018

KO139/18, Aktvendim i miratuar më 30 shtator 2020, i publikuar më 12 nëntor 2020

Fjalët kyç: kërkesë institucionale, buxheti komunal, pagat jubilare, kontratë kolektive, kërkesë e papranueshme.

Në rrethanat e rastit konkret, Komuna e Skënderajt konteston Kontratën Kolektive Sektoriale (KKS) të nënshkruar në mes të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë më 12 qershor 2018. Kjo Kontratë, në nenin 17 të saj, kishte përcaktuar pagesën e shpërblimeve jubilare për punëtorët shëndetësorë, duke përcaktuar gjithashtu se shumat përkatëse paguhen nga punëdhënësi i fundit. Këtë dispozitë, parashtruesi i kërkesës e konteston para Gjykatës, duke pretenduar se e njëjta është në kundërshtim me paragrafin 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës dhe paragrafin 3 të nenit 18 (Kompetencat e deleguara) të Ligjit nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale. Parashtruesi i kërkesës pretendon se detyrimi i komunës për të paguar shpërblimet jubilare përbën barrë financiare shtesë për komunën, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore, bazuar në të cilat, ndër tjerash, autoriteti i cili delegon kompetencën bartë edhe detyrimin e mbulimit të kostos financiare.

Lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata gjithashtu shqyrtoi edhe këndvështrimet e (i) Ministrisë së Shëndetësisë; (ii) Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë; dhe (iii) Ministrisë së Financave. E para, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, kryesisht argumentoi se (i) KKS buron nga Kontrata e Përgjithshme Kolektive e Kosovës e 18 marsit 2014; (ii) detyrimet për pagesën e shpërblimeve jubilare burojnë nga Kontrata e Përgjithshme Kolektive dhe jo nga KKS e kontestuar; dhe (iii) bazuar në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, rrethanat e rastit konkret nuk ndërlidhen me kompetenca të deleguara në nivel komunal, por me zbatimin e Ligjit nr. 03/L-212 të Punës dhe Kontratës së Përgjithshme Kolektive të Kosovës.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht theksoi se kërkesat e dorëzuara në Gjykatë bazuar në paragrafin 4 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, duhet t’i plotësojnë kriteret kushtetuese si në vijim: (i) Komuna duhet të kontestojë kushtetutshmërinë e një ligji të Kuvendit ose të një akti të Qeverisë; dhe (ii) Komuna duhet të argumentojë se ligji ose akti i kontestuar cenon përgjegjësitë komunale ose zvogëlon të hyrat e saj. Prandaj, Gjykata theksoi se në vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës përkatëse, çështja më esenciale është vlerësimi nëse në rrethanat e rastit konkret para Gjykatës kontestohet një “akt i Qeverisë”.

Gjykata në këtë kontekst theksoi se (i) në rrethanat e rastit konkret, kontestohet një marrëveshje e nënshkruar në mes të dy palëve, në njërën anë Ministrisë së Shëndetësisë dhe në anën tjetër Federatës së Sindikatave së Shëndetësisë, përkatësisht Kontratë Kolektive e nënshkruar në nivel dege, siç është përcaktuar përmes Ligjit të Punës; (ii) Ministria e Shëndetësisë është vetëm njëra palë e Marrëveshjes, përkatësisht aktit të kontestuar, dhe rrjedhimisht, ky i fundit nuk buron nga vendimmarrja e Qeverisë, por është rezultat i një marrëveshje dypalëshe bazuar në Ligjin e Punës dhe Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës; dhe (iii) bazuar në analizën krahasimore të Kushtetutave të rajonit dhe praktikën gjyqësore të Gjykatave Kushtetuese përkatëse, marrëveshjet e tilla nuk mund të shqyrtohen nga Gjykatat Kushtetuese para se të jenë shterur mjetet juridike në procedurë të rregullt, përpos nëse Kushtetutat përkatëse specifikisht e përcaktojnë kompetencën e Gjykatave Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Marrëveshjeve Kolektive ose të njëjtat i mundësojnë Gjykatave Kushtetuese përkatëse të bëjnë vlerësimin e “akteve tjera” e të cilat jodetyrimisht kualifikohen si akte të Qeverisë. Duke u bazuar në vështrimet e mësipërme, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk konteston një “akt Qeverie” siç kërkohet përmes paragrafit 4 të nenit 113 të Kushtetutës, dhe për pasojë, nuk është i nevojshëm edhe vlerësimi nëse Marrëveshja Kolektive mund të ketë cenuar përgjegjësitë komunale ose zvogëluar të hyrat e saj, sepse kriteri i parë i një testi kumulativ të përcaktuar përmes nenit të lartcekur nuk është plotësuar.

Në fund, duke u bazuar në praktikën e saj gjyqësore lidhur me rastet e parashtruara bazuar në paragrafin 4 të nenit 113  të Kushtetutës, Gjykata gjithashtu theksoi se edhe po të parashtronte Komuna e Skenderajt kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së KKS-së, në cilësinë e saj si person juridik dhe bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, kërkesa do të ishte e papranueshme për shkak të mos-shterimit të mjeteve juridike, sepse (i) bazuar në paragrafin 9 të nenit 90 të Ligjit të Punës, për zgjidhjen e kontesteve të ndryshme nga përfaqësuesit e punëdhënësve, punëmarrësve dhe Qeverisë në cilësi të partnerëve socialë, është kompetent Këshilli Ekonomiko-Social; dhe (ii) bazuar në paragrafët 1 dhe 2 të nenit 32 të KKS-së, kontestet në mes palëve zgjidhen fillimisht përmes “konsultimeve dhe dialogut të ndërsjellë” dhe në të kundërtën, përmes “Gjykatës kompetente në Prishtinë”.

Rrjedhimisht dhe në përfundim, bazuar në paragrafët 1 dhe 4 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 40 (Saktësimi i kërkesës) të Ligjit dhe paragrafin 1 të rregullit 73 (Kërkesa në pajtim me nenin 113.4 të Kushtetutës dhe me nenet 40 dhe 41 të Ligjit) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit të kërkesës u  shpall e papranueshme për shqyrtim në merita.

Parashtruesit:

Komuna Skënderaj

Lloji i kërkesës:

KO - Kërkesë nga organet shtetërore

Lloji i aktit:

Aktvendim