Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës në lëndën [KA.nr.09/22] në Gjykatën Komerciale të Kosovës

Nr. të lëndës KI202/22

Parashtruesit: NP “Elektroprivreda Srbije”

Shkarko:

KI202/22, Parashtrues NP “Elektroprivreda Srbije”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës në lëndën [KA.nr.09/22] në Gjykatën Komerciale të Kosovës

KI202/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 30 janarit 2024, publikuar më 13 mars 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të arsyeshëm, tejzgjatje e procedurës, qartazi e pabazuar, mungesë evidente e shkeljes

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me faktin se parashtruesi i kërkesës më 26 prill 2017 kishte paraqitur kërkesë për regjistrimin e biznesit të tij në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve të Kosovës (ARBK). Më 2 maj 2017, ABRK-ja përmes Letrës Qarkore [nr. 600] kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës se kërkesa e tij për regjistrim të biznesit të tij është e pakompletuar. Si rezultat i kësaj, parashtruesi i kërkesës më 10 maj 2017 kundër Letrës Qarkore të ABRK-së, të 2 majit 2017 kishte parashtruar ankesë te Drejtori i Përgjithshëm i ARBK-së. Në mungesë të përgjigjes nga ARBK, më 8 qershor 2017, parashtruesi i kërkesës kundër Letrës Qarkore [nr. 600], të 2 majit 2017 të ARBK-së kishte parashtruar padi për konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku kjo e fundit padinë e tij e kishte regjistruar me numër [A. nr. 1142/2017]. Në vijim të padisë së tij, më 16 tetor 2017, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Themelore kishte parashtruar edhe një “urgjencë” për marrjen e një vendimi gjyqësor përkitazi me padinë e tij, ndërsa, më 1 dhjetor 2021, paraqiti ankesë në KGJK dhe te Avokati i Popullit. Me themelimin e Gjykatës Komerciale në gusht të vitit 2022, lënda ishte bartur në juridiksionin e kësaj gjykate.

Parashtruesi i kërkesës pretendon tejzgjatje të procedurës së zhvilluar të lëndës [A. nr. 1142/2017] para Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe procedurës që është duke u zhvilluar pranë Gjykatës Komerciale nga data e transferimit të kësaj lënde në këtë gjykatë më 1 gusht 2022. Ai pretendoi shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar më nenin 31 të Kushtetutës, si rezultat i tejzgjatjes së procedurës së shqyrtimit të kërkesëpadisë së tij.

Gjykata, për të konstatuar nëse ka pasur tejzgjatje të procedurës, elaboroi dhe aplikoi kriteret e zhvilluara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me gjykimin e një rasti brenda një afati të arsyeshëm kohor, kritere këto të afirmuara edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës, përkatësisht mori parasysh faktorët që i referohen: (a) ndërlikueshmërisë së rastit; (b) sjelljes së parashtruesit të kërkesës; (c) sjelljes së autoriteteve relevante gjyqësore; dhe (d) rëndësisë së asaj çfarë është në rrezik për parashtruesin e kërkesës në kontest. Gjykata, pas aplikimit të kritereve të lartcekura në rrethanat e parashtruesit të kërkesës, gjeti se kohëzgjatja e procedurës në Gjykatën Themelore prej 5 (pesë) viteve, 6 (gjashtë) muajve e 8 (tetë) ditëve përkitazi me shqyrtimin e lëndës me numër [A.nr. 1142/2017] gjatë procedurës së zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjegjësisht lëndës me numër [KA.nr.9/22] në Gjykatën Komerciale, të parashtruesit të kërkesës nuk mund të konsiderohet e paarsyeshme.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimi i parashtruesit të kërkesës lidhur me tejzgjatjen e procedurës dhe moszgjidhjen e rastit brenda një afati të arsyeshëm të lëndës së tij, është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” dhe duhet të deklarohet i papranueshëm në pajtim me paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

NP “Elektroprivreda Srbije”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative