KI255/23, Parashtrues Genc Qorri, Vlerësim i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës në lëndën [C.nr.4671/19], të Gjykatës Themelore në Prishtinë
KI255/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 30 tetorit 2024, publikuar më 19 nëntor 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, tejzgjatje e procedurës, qartazi e pabazuar, mungesë evidente e shkeljes
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me faktin se parashtruesit të kërkesës më 30 qershor 2005 iu kishin sekuestruar nga Policia e Kosovës, të hollat në vlerë prej 9,330.00 (nëntë mijë e treqind e tridhjetë) euro, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale “Kontrabandimi me Migrantë”, e cila aktakuzë, më 25 qershor 2018, u refuzua përmes Aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë si rezultat i parashkrimit të ndjekjes penale, ku ndër të tjerash, u përcaktua që t’i kthehen mjetet e lartcekura monetare parashtruesit të kërkesës. Më 21 janar 2019, Gjykata Themelore po ashtu, me urdhër të veçantë, urdhëroi kthimin e sendeve, respektivisht mjeteve të lartcekura montetare. Që nga 11 tetori 2018, parashtruesi parashtroi një mori kërkesash pranë Prokurorisë së Shtetit, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar për kthimin e të hollave të sekuestruara, si dhe zhvilloi një procedurë përmbarimore kundër Këshillit Prokurorial të Kosovës, e cila përfundoi më 25 maj 2022 në Gjykatën e Apelit, e cila vërtetoi aktvendimin e Gjykatës Themelore me të cilën refuzohej përmbarimi i Aktgjykimit dhe urdhrit të Gjykatës Themelore me arsyetimin se i njëjti nuk i kishte tiparet e një dokumenti përmbarues. Më 5 korrik 2019, parashtruesi i kërkesës gjithashtu kishte iniciuar procedurë penale ndaj personave të panjohur në KPK për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Përvetësim në detyrë”, për të cilën procedurë, më 20 tetor 2020, Prokuroria Themelore përmes një Shënimi Zyrtar konsideroi se nuk ka elemente për inicimin e procedurës penale për shkak se prokurori i çështjes në rastin e sekuestrimit të mjeteve monetare të parashtruesit kishte vdekur së bashku me personat e tjerë përgjegjës të cilët do të mund të dëshmonin në këtë rast. Më 17 dhjetor 2019, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar në Gjykatën Themelore edhe një padi kundër KPK-së për kthimin e mjeteve monetare, kohëzgjatjen e së cilës procedurë gjyqësore specifikisht e konteston para Gjykatës Kushtetuese.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi shkelje të (i) së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe (ii) të drejtës së tij në pronë, të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës, si rezultat i tejzgjatjes së procedurës së shqyrtimit të kërkesëpadisë së tij përkitazi me lëndën [C.nr.4671/19], procedurë e cila është duke u zhvilluar para Gjykatës Themelore
Gjykata, për të konstatuar nëse ka pasur tejzgjatje të procedurës, elaboroi dhe aplikoi kriteret e zhvilluara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me gjykimin e një rasti brenda një afati të arsyeshëm kohor, kritere këto të afirmuara edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës, përkatësisht mori parasysh faktorët që i referohen: (a) ndërlikueshmërisë së rastit; (b) sjelljes së parashtruesit të kërkesës; (c) sjelljes së autoriteteve relevante gjyqësore; dhe (d) rëndësisë së asaj çfarë është në rrezik për parashtruesin e kërkesës në kontest. Gjykata, pas aplikimit të kritereve të lartcekura në rrethanat e parashtruesit të kërkesës, gjeti se kohëzgjatja e procedurës në Gjykatën Themelore prej 3 (tre) viteve e 11 (njëmbëdhjetë) muajve përkitazi me shqyrtimin e lëndës me numër [C.nr. 4671/19] nuk mund të konsiderohet e paarsyeshme.
Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimi i parashtruesit të kërkesës (i) lidhur me tejzgjatjen e procedurës dhe moszgjidhjen e rastit brenda një afati të arsyeshëm të lëndës së tij, është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” dhe duhet të deklarohet i papranueshëm në pajtim me paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, ndërsa (ii) lidhur me shkeljen e të drejtës në pronë është qartazi e pabazuar në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, siç përcaktohet me nenin 48 të Ligjit dhe pikën (d) të paragrafit (1) dhe paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Genc Qorri
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile