Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës në çështjen [A. nr. 695/2021] në Gjykatën Themelore të Prishtinës-Departamenti për Çështje Administrative

Nr. të lëndës KI03/22

Parashtruesit: “EPS TRGOVINA”

Shkarko:

KI03/22, Parashtrues: “EPS TRGOVINA”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës në çështjen [A. nr. 695/2021] në Gjykatën Themelore të Prishtinës-Departamenti për Çështje Administrative 

KI03/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 29 shtatorit 2022, publikuar më 1 nëntor 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për një gjykim brenda afatit të arsyeshëm kohor

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë se parashtruesi i kërkesës më 17 dhjetor 2020 kishte paraqitur kërkesë për regjistrimin e biznesit të tij në ARBK. Më 24 dhjetor 2021, ABRK-ja përmes Qarkores [nr. 894] kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës se kërkesa e tij për regjistrim të biznesit të tij është e pakompletuar. Si rezultat i kësaj, parashtruesi i kërkesës më 26 janar 2021 kundër Qarkores së ABRK-së, të 24 dhjetorit 2020 kishte parashtruar ankesë te Drejtorja e Përgjithshme e ARBK-së. Kjo e fundit, përmes Vendimit [nr. 2224], të 25 shkurtit 2021 kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës si të paafatshme. Më 9 mars 2021 kundër Vendimit të 25 shkurtit 2021, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Komisionin për Shqyrtimin e Parashtresave dhe Ankesave, ku ky i fundit më 16 mars 2021 vërtetoi se ankesa e tij kundër Qarkores së ARBK-së, të 24 dhjetorit 2020 e paraqitur te Drejtorja e Përgjithshme e ARBK-së ishte e paafatshme. Rrjedhimisht, më 29 mars 2021, parashtruesi i kërkesës kundër Vendimit të Komisionit për Shqyrtimin e Parashtresave dhe Ankesave kishte parashtruar padi administrative në Gjykatën Themelore, ku kjo e fundit padinë e tij e kishte regjistruar me numër [A. nr. 695/2021].

Parashtruesi i kërkesës, para Gjykatës konteston kohëzgjatjen e procedurës në Gjykatën Themelore, dhe si rrjedhojë pretendon shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 Gjykata vuri në dukje se që nga dita e paraqitjes së padisë së tij në Gjykatën Themelore, përkatësisht më 29 mars 2021 deri tek dorëzimi i kërkesës së tij në Gjykatë më 5 janar 2022 nuk ka kaluar as një (1) vit dhe rrjedhimisht, kjo periudhë e kaluar prej dhjetë (10) muajve e njëzet e katër (24) ditëve, nuk mund të konsiderohet si periudhë e paarsyeshme në rastin e parashtruesit të kërkesës. Për më tepër, Gjykata po ashtu konsideron se çështja e parashtruesit të kërkesës nuk hyn në kategorinë e çështjes e cila kërkon një zgjidhje të përshpejtuar. Rrjedhimisht, Gjykata duke aplikuar kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të afirmuara edhe përmes praktikës gjyqësore të vet Gjykatës e që ndërlidhen me të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, të garantuar me paragrafin 2 të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata konstaton se pretendimi i parashtruesit të kërkesës lidhur me tejzgjatjen e procedurës dhe moszgjidhjen brenda një afati të arsyeshëm të lëndës [A. nr. 695/2021], është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” dhe duhet të shpallet i papranueshëm në pajtim me paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

“EPS TRGOVINA”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative