Vendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së disa vendimeve të autoriteteve publike 

Nr. të lëndës KI 141/21

Parashtruesit: Naser Berisha

Shkarko:

KI141/21, Parashtrues: Naser Berisha, vlerësim i kushtetutshmërisë së disa vendimeve të autoriteteve publike 

 KI141/21, Vendim për refuzim të kërkesës, i 16 shkurtit 2022, publikuar më 02 mars 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, mbrojtja e pronës, përsëritje e kërkesës, procedurë e shkurtër

Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me një kontest pronësorë në lidhje me disa paluajtshmëri të ndodhura në fshatin Mazgit, të komunës se Obiliqit, për të cilat parashtruesi i kërkesës pretendonte të drejtën e pronësisë, si trashëgimtar i paraardhësve të tij. Gjykata Kushtetuese që në fillim vërejti se për të njëjtën çështje  parashtruesi i kërkesës, më parë kishte parashtruar kërkesat KI104/17 dhe KI08/18, të cilat ishin shqyrtuar dhe vendosur nga Gjykata, e para më 14 nëntor 2017 me Aktvendim për papranueshmëri, si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe e dyta me Vendim për refuzim të kërkesës, pasi parashtrimi i kërkesës së dytë KI08/18 nuk paraqiste asnjë provë apo rrethanë të re, të cilat Gjykata nuk i kishte trajtuar dhe shqyrtuar në kërkesën paraprake KI104/17.

 

Parashtruesi i kërkesës nëpërmjet parashtrimit të kërkesës së tretë, KI141/21, pranë Gjykatës Kushtetuese, pretendoi shkeljen e të drejtave të tij pronësore nga autoritetet publike, gjegjësisht Kolegjit të DhPGjS-së, për shkak të refuzimit të padive dhe ankesave dhe mosnjohjes së të drejtave pronësore mbi paluajtshmëritë kontestuese. Në të vërtetë, përmes kërkesës së tanishme KI141/21, parashtruesi i kërkesës në njëfarë mënyre kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që t’i merrte sërish në konsideratë pretendimet e tij të ngritura në kërkesat e mëparshme KI104/17 dhe KI08/18 dhe t’i rivlerësojë të gjitha vendimet e autoriteteve publike, përkatësisht të kolegjeve të DhPGjS-së, të cilat ishin objekt i vlerësimit nga Gjykata, në rastet e lartcekura.

 

Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar praktikës së saj gjyqësore dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) konsideroi se kërkesa e tanishme KI141/21, nuk paraqiste asnjë rrethanë të re faktike dhe juridike dhe asnjë vendim gjyqësor të ri, për t’iu nënshtruar vlerësimit kushtetues nga ana e saj, duke ia rikujtuar parashtruesit të kërkesës praktikën e saj gjyqësore, përkatësisht  rastin KI26/14, me parashtrues Bajrush Gashi, të 26 marsit 2015, paragrafi 24, ku në rrethana të ngjashme Gjykata e kishte refuzuar kërkesën me procedurë të shkurtër. Sipas vlerësimit të Gjykatës, kërkesa e tanishme përmban të njëjtat fakte dhe vendime gjyqësore të gjykatave të rregullta, të cilat tashmë kjo Gjykatë i kishte trajtuar në rastin KI104/17 me Aktvendimin për papranueshmëri, të 14 nëntorit 2017. Gjykata Kushtetuese, në dritën e rrethanave të këtij rasti, qartësoi se ankimi individual sipas kuptimit të nenit 113.7 të Kushtetutës, nuk duhet të shikohet nga parashtruesit e kërkesës si mundësi për të kërkuar në mënyrë të përsëritshme nga Gjykata, rivlerësimin ose rihapjen e vendimeve të Gjykatës, për çështjet për të cilat ajo ka vendosur njëherë.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në vendimin e publikuar Gjykata Kushtetuese, konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës, në fakt, është përsëritje e një kërkese të mëparshme të vendosur nga Gjykata. Prandaj, në pajtim me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, e njëjta u refuzua me procedurë të shkurtër.

 

Parashtruesit:

Naser Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Vendim

Vendim për refuzim të kërkesës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile