Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Dekretit nr.165/2020, të 25 nëntorit 2020 të u.d. të Presidentes së Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI74/21

Parashtruesit: Halim Krasniqi

Shkarko:

KI74/21, Parashtrues: Halim Krasniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Dekretit nr.165/2020, të 25 nëntorit 2020 të u.d. të Presidentes së Republikës së Kosovës

KI74/21, Aktvendim për papranueshmëri i 27 tetorit 2022, publikuar më 15 dhjetor 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, dekreti presidencial, shterimi i mjeteve juridike, kërkesë e papranueshme   

Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me të liruarit nga pozita e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Tiranë, Republika e Shqipërisë, përkatësisht parashtruesit të kërkesës, përmes Dekretit të u.d. Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu. Në zbatim të Dekretit të lartcekur, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kishte nxjerr po ashtu vendim për lirimin e parashtruesit të kërkesës nga pozita e Konsullit të Përgjithshëm. Parashtruesi i kërkesës, fillimisht kishte parashtruar ankesë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke pretenduar  kundërligjshmërinë  e Dekretit përkatës. I njëjti,  po ashtu i ishte drejtuar u.d. Presidentes së Republikës së Kosovës, me kërkesë për “eliminimin e të gjitha pasojave juridike” që rezultonin nga Dekreti i kontestuar. Parashtruesi i kërkesës nuk kishte iniciuar procedura gjyqësore në gjykatat e rregullta ndaj Dekretit për lirim nga pozita, me pretendimin se nuk ka mjete efektive juridike në procedurë administrative për t’i adresuar pretendimet lidhur me shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i një Dekreti të nxjerrë nga u.d e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Në procedurën e zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës, në thelb, pretendoi (i) shkelje të neneve: 7 [Vlerat], 24 [Barazia para Ligjit] dhe 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, duke theksuar mes terash se, Dekreti i kontestuar është  nxjerrë në kundërshtim me nenet përkatëse të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Gjykata vlerësoi fillimisht nëse parashtruesi i kërkesës kishte shterur të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Në këtë kontest, Gjykata sqaroi: (i) parimet e përgjithshme për shterimin e mjeteve juridike; (ii) opinionet përkatëse për qasje individuale në drejtësinë kushtetuese të Komisionit të Venecias; (iii) kontributet përkatësisht përgjigjet e dhjetë (10) vendeve anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias sa i përket subsidiaritetit të vlerësimit kushtetues të dekreteve presidenciale me karakter individual; si dhe (iv) shpjegoi – si çështje paraprake – natyrën dhe karakterin subsidiar të vlerësimit kushtetues të dekreteve presidenciale me karakter individual.

Gjykata vlerësoi se, Kushtetuta nuk parashikon që individët drejtpërdrejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin kushtetues të dekreteve presidenciale, për dallim siç e përcakton për palët e autorizuara nga paragrafi 2 i nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës. Gjykata tutje shtoi se, dekreti presidencial i kontestuar nga parashtruesi i kërkesës ka karakter konkret individual dhe si i tillë i vë obligim individit që së pari t’u drejtohet gjykatave të rregullta me qëllim të shterimit të mjeteve juridike, siç përcaktohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës. Gjykata po ashtu theksoi se, bazuar në rendin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës, dekretet presidenciale me karakter individual i nënshtrohen kontrollit gjyqësor dhe atij kushtetues, pasi të jenë shteruar mjetet përkatëse juridike. Për më tepër, Gjykata gjithashtu sqaroi se gjykatat kushtetuese dhe supreme, me juridiksion kushtetues të vendeve anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, që kriterin për shterim të mjeteve juridike e kanë të rregulluar ngjashëm me sistemin juridik kosovar,  kanë shpjeguar se: (i) gjykatat e rregullta kanë kompetencë për të gjykuar çështjen e shkarkimit të të emëruarit politik; (ii) në rast të shkarkimit të të emëruarit politik, ai/ajo së pari, ka për obligim që të shterojë të gjitha mjetet juridike pranë gjykatave të rregullta; dhe, (iii) ankesa e drejtpërdrejtë në Gjykatën Kushtetuese mund të paraqitet vetëm në rastet kur provohet se nuk ekziston mjeti efektiv juridik.

Duke marrë parasysh rrethanat e rastit konkret, Gjykata në fund konstatoi se, parashtruesi i kërkesës nuk i ka plotësuar kushtet e pranueshmërisë, pasi që nuk i ka shteruar mjetet juridike siç përcaktohet në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, dhe rrjedhimisht e shpalli kërkesën të papranueshme si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj.

Parashtruesit:

Halim Krasniqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative