KI218/23, Parashtrues: Rifadije-Berisha-Bekteshi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit [AC-I-22-0262] të 1 qershorit 2023
KI218/23, Aktvendim për papranueshmëri i 22 janarit 2024, publikuar më 12 mars 2024
Fjalët kyçe: taksa gjyqësore; vërejtja për pagesë; lëshim i afatit
Parashtruesja e kërkesës parashtroi kërkesëpadi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGJS) përmes së cilës kërkoi ekzekutimin e pagave të mbetura nga ndërmarrja shoqërore “Auto Prishtina” në Prishtinë. Zyra për financa e DHPGJS-së e njoftoi parashtruesen e kërkesës për obligimin pagesën së taksës gjyqësore brenda afatit 15 (pesëmbëdhjetë) ditor, në të kundërtën kërkesëpadia e saj do të konsiderohej e tërhequr. DHPGJS-ja përmes aktvendimit e konsideroi të tërhequr kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës, me arsyetimin se kjo e fundit nuk e kishte bërë pagesën e taksës gjyqësore përkundër njoftimit dhe as nuk kishte bërë kërkesë për lirim nga pagesa. Parashtruesja e kërkesës paraqiti ankesë në Kolegjin e Apelit dhe argumentoi se vërejtjen për pagesën e taksës gjyqësore e kishte pranuar avokati i saj dhe jo personalisht ajo. Sipas parashtrueses së kërkesës, vërejtja dhe njoftimi për pagesën e taksës gjyqësore do duhej t’i shkonte asaj dhe jo avokatit. Kolegji i Apelit ia refuzoi ankesën dhe arsyetoi se parashtruesja e kërkesës ishte e obliguar të paguante taksën gjyqësore. Parashtruesja e kërkesës dorëzoi kërkesë në Gjykatë me pretendimin se vendimi i DHPGJS-së dhe Kolegjit të Apelit shkelën të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Gjykata sqaroi se në praktikën e saj gjyqësore kishte gjetur shkelje kushtetuese në rastet kur Kolegji i Apelit nuk e kishte trajtuar fare kërkesën e parashtruesit të kërkesës për lirim nga pagesa e taksës gjyqësore; dhe kur Kolegji i Apelit nuk e kishte trajtuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për zgjatje të afatit për pagesën e taksës gjyqësore. Gjykata theksoi se pagesa e taksës gjyqësore është përcaktim ligjor për palët dhe dështimi për ta përmbushur këtë obligim sjell pasoja juridike. Palët duhet të jenë të vetëdijshëm për një gjë të tillë dhe të jenë të kujdesshëm në respektimin e rregullave procedurale. Gjykata konstatoi se në rastin konkret, parashtruesja e kërkesës ishte njoftuar për detyrimin e pagesës së taksës gjyqësore mirëpo nuk e kishte paguar dhe as nuk kishte bërë kërkesë për lirim nga pagesa. Gjykata theksoi se komunikimi i parashtrueses së kërkesës me avokatin e saj është çështje e tyre dhe dështimi eventual i koordinimit nuk është përgjegjësi e gjykatave të rregullta.
Rifadije-Berisha-Bekteshi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile