Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, AC-I-16-0209-A0001, të 7 shkurtit 2019

Nr. të lëndës KI 101/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI101/19, Parashtruesja e kërkesës: Lubisha Trajkoviq, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, AC-I-16-0209-A0001, të 7 shkurtit 2019

KI101/19, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 10 nëntor 2020, i publikuar më 4 dhjetor 2020

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kontest pronësor,  kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Kërkesa është parashtruar nga Lubisha Trajkoviq me vendbanim në Vranjë, Serbi. Parashtruesi i kërkesës e konteston Aktvendimin [AC-I-16-0209-A0001] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kolegji i Apelit i DHPGJS) të 7 shkurtit 2019.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se Kolegji i Apelit i DHPGJS, duke refuzuar ankesën e tij si të pabazuar, i ka shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 3, 24, dhe 46 të Kushtetutës. Pretendim kryesor i parashtruesit të kërkesës ishte “ mos zbatimi i vendimit të plotfuqishëm dhe përfundimtar të Komunës së Kamenicës, Komisionit për kthim të tokës numër: 04-453-9/91 të 24.11.1998”.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të dëshmojë para Kolegjit të Apelit të DHPGJS, përmes ndonjë akti se ai është trashëgimtar i pronës në fjalë, dhe me këtë Gjykata thekson se Kolegji i Apelit ka vepruar drejtë kur ka hedhur poshtë padinë e tij, për arsye të mungesës së legjitimitetit aktiv.

Gjykata thekson se fakti i thjeshtë se parashtruesi i kërkesës nuk është i kënaqur me rezultatin e Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të DHPGJS apo vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës, nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse. (Shih, në ketë kontekst, rastin e Gjykatës KI136/14, Abdullah Bajqinca, Aktvendim për papranueshmëri i 10 shkurtit 2015, paragrafi 33; KI49/19, cituar më lart, paragrafi 58).

Si përfundim, në pajtim rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, Gjykata shpalli kërkesën si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese dhe, rrjedhimisht, e papranueshme.

 

 

Parashtruesit:

Lubisha Trajkoviq

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile