Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nr. AC-I-16-0122, të 1 tetorit 2020

Nr. të lëndës KI 20/21

Parashtruesit: Violeta Todorović

Shkarko:

KI20/21 Parashtrues: Violeta Todorović, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nr. AC-I-16-0122, të 1 tetorit 2020

KI20/21 – Aktgjykim i datës 13 prill 2021, i publikuar më 30 prill 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kërkesë e pranueshme, e drejta në ankesë, qasja në drejtësi

Parashtruesja e kërkesës nga viti 1990 kishte qenë e punësuar në N.Sh. “Yumco”. Pasi kjo e fundit ishte privatizuar, AKP kishte publikuar në media listën përfundimtare të të punësuarve me të drejta legjitime në N. Sh. “Yumco” në të cilën listë, parashtruesja e kërkesës nuk ishte e përfshirë. Andaj, parashtruesja e kërkesës kishte paraqitur ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (DHPGJS) lidhur me listën përfundimtare të të punësuarve të N. Sh. ‘Yumco” duke kërkuar që emri i saj të përfshihet në listën e të punësuarve me të drejtë në pagesë të pjesës së 20% të të ardhurave. Më 24 maj 2016, Kolegji i Specializuar përmes Aktgjykimit [C-II-13-0444] refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar. Më 15 qershor 2016, kundër Aktgjykimit të lartcekur të Kolegjit të Specializuar, parashtruesja e kërkesës paraqiti ankesë në Kolegjin e Apelit, duke pretenduar se ajo ishte pjesë e N.Sh. “Yumco” edhe pas vitit 1997. Më 4 tetor 2019, Kolegji i Apelit përmes Aktgjykimit [AC-I-16-0122], e hodhi poshtë ankesën e parashtrueses së kërkesës si të paafatshme, duke theksuar se Aktgjykimi [C-II-13-0444] i 24 majit 2016, i Kolegjit të Specializuar ishte pranuar nga parashtruesja e kërkesës më 3 mars 2016 dhe sipas mjetit juridik të të njëjtit Aktvendim, është paraparë që mund të paraqitet ankesa në afat prej 21 ditëve. Megjithatë, ankesa është parashtruar më 15 qershor 2016, që tregon që është paraqitur jashtë afatit të përcaktuar me ligj.

Më 21 tetor 2019, parashtruesja e kërkesës, në Kolegjin e Apelit, kishte paraqitur një kërkesë për përmirësimin e gabimit të qartë teknik, të Aktgjykimit [Ac-I-16-0122] të Kolegjit të Apelit, të 4 tetorit 2019, duke pretenduar se Aktgjykimin [C-II-13-0444] e Kolegjit të Specializuar, të 24 majit 2016 e kishte pranuar më 3 qershor 2016, derisa ankesën kundër këtij Aktgjykimi në Kolegjin e Apelit e ka parashtruar më 15 qershor 2016, brenda afatit prej 21 ditëve. Më 1 tetor 2020, Kolegji i Apelit përmes Aktvendimit [Ac-I-16-0122], e hodhi poshtë kërkesën e parashtrueses së kërkesës si të papranueshme duke shtuar se Aktgjykimi i Kolegjit të Apelit [AC-I-16-0122] i 4 tetorit 2019, është përfundimtar, edhe pse erdhi në përfundim që deklaratat e parashtrueses së kërkesës që Aktgjykimi i Kolegjit të Specializuar është pranuar nga parashtruesja, më 3 qershor 2016, ishin të sakta.

Parashtruesja e kërkesës pretendoi para Gjykatës Kushtetuese se aktvendimi i kontestuar ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të saj të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) e 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së.

Gjykata shqyrtoi, fillimisht, pretendimet e parashtrueses së kërkesës në lidhje me të drejtën e “qasjes në gjykatë”, si një nga parimet e një gjykimi të drejtë në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së.

Pasi trajtoi pretendimet e parashtrueses së kërkesës, Gjykata gjeti se në Aktvendimin [nr. AC-I-16-0122] e 1 tetorit 2020, Kolegji i Apelit përkundër faktit që gjeti se pretendimet e parashtrueses së kërkesës ishin të sakta, dhe rrjedhimisht se ankesa e saj ishte parashtruar sipas afateve të përcaktuara me nenin 10, paragrafi 6 të Ligjit nr. 04/L-033, kjo e fundit refuzoi kërkesën e parashtrueses për përmirësim të gabimit të Kolegjit të Apelit përmes Aktgjykimit të 4 tetorit 2019, duke e konsideruar kërkesën e saj si kërkesë për rishqyrtim të vendimit gjyqësor.

Andaj, vendimet e Kolegjit të Apelit rezultuan në pamundësinë që ankesa e parashtrueses së kërkesës ndaj Aktgjykimit të Kolegjit të Specializuar të trajtohej në merita përkundër faktit që ankesa e saj ishte paraqitur brenda afatit ligjor. Në këtë mënyrë, Kolegji i Apelit i kufizoi  parashtrueses së kërkesës qasjen në gjykatë, si një ndër parimet kryesore të një gjykimi të drejtë. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se ka pasur shkelje të nenit 31.1 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së.

Parashtruesit:

Violeta Todorović

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile