Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, [nr. AC-I-14-0339-A0001], të 29 nëntorit 2019

Nr. të lëndës KI 236/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI236/19, Parashtrues: Hamdi Kuleta, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, [nr. AC-I-14-0339-A0001], të 29 nëntorit 2019

KI236/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 prillit 2020, publikuar më 7 maj 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për mjete juridike, taksë gjyqësore, kërkesë  qartazi e pabazuar  

Parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Kolegjin e Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, kundër Vendimit [PRN047-0221] të Autoritetit të Likuidimit NSH “Amortizatorët” të Agjencisë Kosovare të Privatizimit duke pretenduar se ndarja e mjeteve nga ana e menaxhmentit të NSH “Amortizatorët”, të inkasuara nga qiraja e ambienteve të NSH “Amortizatorët”  për punëtorët e ndërmarrjes, ishte bërë në mënyrë arbitrare, jo të barabartë dhe pa kritere. Kolegji i Specializuar, me Aktgjykimin C-IV-13-2814, vendosi të refuzojë kërkesën e parashtruesit si dhe e obligoi parashtruesin që të paguajë taksën gjyqësore. Pas ankesës së parashtruar nga parashtruesi i kërkesës, Kolegji i Apelit, me Aktvendimin nr. AC-I-14-0339-A001, konstatoi se ankesa e parashtruesit të kërkesës kundër Aktgjykimit të Kolegjit të Specializuar, C-IV-13-2814, konsiderohet e tërhequr pasi parashtruesi i kërkesës nuk e kishte paguar taksën gjyqësore.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës Kushtetuese se atij i ishin shkelur të drejtat e garantuara me nenet  31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [ E Drejta për Mjete Juridike].  Më konkretisht, parashtruesi i kërkesës pretendoi se Kolegji i Apelit në kundërshtim me dispozitat ligjore e ka konsideruar ankesën e parashtruesit të tërhequr dhe në këtë mënyrë i është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm si dhe e drejta për mjete juridike.

Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur dëshmi, fakte dhe argumente që tregojnë se procedurat para Kolegjit të Apelit kanë paraqitur në ndonjë mënyrë shkelje kushtetuese të të drejtave të tij të garantuara me Kushtetutë, në të cilat thirrej parashtruesi i kërkesës. Rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese konkludoi se në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 48 të Ligjit, dhe në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, kërkesa e parashtruesit ishte qartazi e pabazuar.

Parashtruesit:

Hamdi Kuleta

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile