Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit [AC-I-23-0083-A0001], të 16 marsit 2023
Nr. të lëndës KI77/23
Parashtruesit: Interlex Associates sh. p. k.
KI77/23, Parashtrues Interlex Associates sh. p. k, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit [AC-I-23-0083-A0001], të 16 marsit 2023;
KI77/23, Aktvendim për papranueshmëri i 4 shtatorit 2024, publikuar më 24 shtator 2024
Fjalët kyçe: masa e sigurimit; autorizimi; qartazi të pabazuara;
Parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontrata me një numër të ish-punëtoreve të ndërmarrjes shoqërore “PMN SHARR”, për t’i përfaqësuar ata pranë AKP-së në lidhje me dëmshpërblimet financiare për shkak të sëmundjes profesionale të shkaktuar nga ekspozimi ndaj azbestit. Bordi i AKP-së kishte nxjerrë vendime për dëmshpërblimet financiare për afro 400 punëtorë dhe kishte realizuar pagesat e tyre, sipas kontratave të nënshkruara. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë në AKP edhe për realizimin e pagesave edhe për 18 punëtorë të tjerë të cilët i kishte përfaqësuar dhe kishte kontrata me ata. AKP-ja e refuzoi kërkesën me arsyetimin se, këta punëtorë kishin vdekur dhe trashëgimtarët e tyre nuk dëshironin t’ia vazhdonin autorizimin parashtruesit të kërkesës. Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesëpadi në DHPGJS me pretendimin se, në kohën e marrjes së vendimeve për dëmshpërblimet financiare, këta punëtorë ishin të gjallë dhe kishin nënshkruar kontrata të përfaqësimit, prandaj AKP-ja duhet t’ia ekzekutonte parashtruesit të kërkesës përqindjen nga vlera e përgjithshme e kompensimit në emër të përfaqësimit dhe kërkoi caktimin e masës së sigurimit. DHPGJS-ja dhe Kolegji i Apelit refuzuan propozimin për caktimin e masës së sigurimit, me arsyetimin se parashtruesit të kërkesës i mungonin autorizimet nga trashëgimtarët e punëtorëve të vdekur; dhe AKP-ja nuk ishte palë në këtë kontest.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë në Gjykatë, me pretendimet se vendimet e DHPGJS-së dhe Kolegjit të Apelit janë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës sepse nuk përmbajnë arsyetim të mjaftueshëm; dhe nenin 46 të Kushtetutës, sepse cenuan të drejtën e tij të pronës.
Në lidhje me arsyetimin e vendimit, Gjykata theksoi se gjykatat e rregullta ofruan arsyetime të mjaftueshme në lidhje me refuzimin e masës së sigurimit. Gjykata nuk mund t’i zëvendësojë vlerësimet e gjykatave të rregullta në lidhje me plotësimin e kritereve ligjore për caktimin e masës së sigurimit. Gjykatat e rregullta arsyetuan se sipas nenit 95 të LPK-së, me vdekjen e personit fizik shuhet edhe prokura të cilën e ka dhënë, ndërsa sipas nenit 175 të LPK-së, parashtruesi i kërkesës duhej të sillte autorizime të reja nga trashëgimtarët e atyre punëtorëve.
Në lidhje me të drejtën e pronës, Gjykata theksoi se gjykatat e rregullta nuk vendosën për të drejtat pronësore të parashtruesit të kërkesës por vetëm mbi masën e sigurimit. Parashtruesi i kërkesës e ka mundësinë që gjatë procesit gjyqësor të ngritë pretendimet për realizimin e pagesave nga trashëgimtarët e punëtorëve, sipas kontratave të nënshkruara me paraardhësit e tyre.
Gjykata i shpalli pretendimet e parashtruesit të kërkesës si qartazi të pabazuara.
Interlex Associates sh. p. k.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar