KI73/23, Parashtrues: Ali Bytyqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-22-0147, të 16 marsit 2023.
KI73/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 janarit 2024, publikuar më 30 prill 2024.
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesës qartazi e pa bazuar.
Në rastin konkret ishin zhvilluar dy procedura gjyqësore. Procedura e parë ndërlidhet me kërkesën e parashtruesit drejtuar Autoritetit të Likuidimit të AKP-së, për kompensimin e 5 (pesë) pagave të papaguara në shumën prej 930,75 euro. Autoriteti i Likuidimit të AKP-së refuzoi kërkesën e lartcekur të parashtruesit të kërkesës. Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në DHPGJS për anulim të Vendimit të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së dhe kompensimin e pagave të papaguara për periudhën 2004-2013 në shumën prej 15,558,16 euro. Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së përmes Aktgjykimit [C-IV-15-0442], refuzoi ankesën e parashtruesit si të pabazuar dhe konfirmoi Vendimin e AKP-së, me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës nuk i ka mbështetur pretendimet e tij me prova se ka qenë në marrëdhënie të punës në kohën e fillimit të procedurës së likuidimit. Pas ankimimit, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së, përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0245], vendosi në favor të parashtruesit të kërkesës duke ndryshuar Aktgjykimin paraprak të Kolegjit të Specializuar dhe duke detyruar AKP-në që t’ia paguaj paditësit shumën prej 930,75 euro në emër të 5 pagave të papaguara si kompensim për ndërprerje të parakohshme të kontratës së punës. Gjithashtu, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes të njëjtit Aktgjykim vlerësoi se kërkesa e parashtruesit për kompensimin e pagave të papaguara për periudhën 2004-2013, në shumën prej 15.558,16 euro, nuk ishte konsideruar nga Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së me arsyetimin se kjo pjesë e kërkesës nuk ishte objekt trajtimi nga Autoriteti i Likuidimit dhe as nuk është e dëshmuar se kjo çështje ishte ngritur fillimisht tek AKP-ja nga vet parashtruesi i kërkesës.
Ndërsa, procedura e dytë ndërlidhet me kërkesën e parashtruesit për përsëritjen e procedurës së përfunduar kundër Aktgjykimit [AC-I-21-0245], të Kolegjit të Apelit, të 18 shkurtit 2022, më konkretisht, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në procedurën e dytë paraqiti kërkesë për përsëritjen e procedurës përkitazi me kërkesën e tij për kompensimin e pagave për periudhën 2004-2013, në shumën prej 14.00,00 euro me arsyetimin se ky pretendim nuk ishte konsideruar/shqyrtuar nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së. Në mënyrë që të procedohet me kërkesën e parashtruesit, DHPGJS kishte lëshuar një vërejtje për pagesën e taksës gjyqësore në vlerë prej 30 euro dhe informoi parashtruesin se mospagimi i taksës brenda afatit mund të çonte në tërheqjen e kërkesës së tij, ndërsa gjithashtu kishte njoftuar për mundësin e paraqitjes së kërkesës për lirim nga taksa gjyqësore për mungesë financiare. Ndonëse, parashtruesi i kërkesës kishte pranuar vërejtjen e lartcekur, ai nuk iu kishte përgjigjur vërejtjes pozitivisht dhe as nuk kishte parashtruar kërkesë për lirimin nga taksa gjyqësore për procedurën ankimore.
Gjykata rithekson se parashtruesi i kërkesës konteston para Gjykatës, Aktvendimin [AC-I-22-0147], e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, të 16 marsit 2023, duke pretenduar se konsiderimi i kërkesës së tij për përsëritje të procedurës, si të tërhequr nga Kolegji i Apelit të DHPGJS-së përmes Aktvendimit [AC-I-22-0147], si pasojë e mospagesës së taksës gjyqësore i ka pamundësuar atij ushtrimin e të drejtës në ankesë, përkatësisht marrjen e një përgjigje lidhur me kërkesën e tij dhe sipas tij kjo përbën shkelje të nenit 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Siç rezulton nga shkresat e lëndës, Gjykata vëren se parashtruesi nuk ka adresuar kërkesat brenda afatit të përcaktuar prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh dhe rrjedhimisht ankesa e tij ishte konsideruar si e tërhequr nga Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes Aktvendimit [AC-I-22-0147], duke u bazuar në nenin 253.4 të LPK-së dhe Udhëzimit Administrativ 01/2017 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore. Gjykata vëren se edhe pas lëshimit të vërejtjes së lartcekur, parashtruesi kishte dështuar që të vepronte sipas kërkesave nga DHPGJS dhe rrjedhimisht, kjo ka ndikuar në rezultatin e rastit të tij duke e refuzuar kërkesën e tij për arsye administrative.
Prandaj, në këto rrethana, Gjykata duke u mbështetur në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore në raste të ngjashme dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, konstaton se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës bie në kategorinë e tretë (iii), pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, andaj Gjykata, si të tilla, në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit se Aktgjykimi [AC-I-21-0245], i 18 shkurtit 2022, i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së, është nxjerr në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se në këtë pikë kërkesa është parashtruar jashtë afatit të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
Ali Bytyqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile, Administrative