Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-19-0065, të 6 qershorit 2019

Nr. të lëndës KI 107/19

Parashtruesit: Gafurr Bytyqi

Shkarko:

KI107/19, Parashtruesi i kërkesës: Gafurr Bytyqi, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-19-0065, të 6 qershorit 2019

KI107/19, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 11 mars 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme, masë e përkohshme, procedurë paraprake.  

Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, përmes të cilit është refuzuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës për vendosjen e urdhrit paraprak gjyqësor në pronën e kontestuar, dhe për pasojë, sipas pretendimit të parashtruesit të kërkesës, atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 10 [Ekonomia], 41 [E Drejta e Qasjes në Dokumente Publike], 42 [Liria e Medieve], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 53 [Interpretimi i dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.

Parashtruesi i kërkesës, pretendimin kryesor të parashtruar në Gjykatë e ka vendosjen e masës së përkohshme për ndalimin e shitjes së një prone për të cilën Agjencia Kosovare e Privatizimit, fillimisht e kishte njoftuar si ofertuesin me çmimin më të lartë të ofruar, e më pas e kishte njoftuar se është anuluar tenderi për rastin në fjalë në përputhje me Rregullat e Tenderit të Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata fillimisht vlerësoi aplikueshmërinë e këtij neni në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rrethanat e rastit konkret, duke marrë parasysh se të njëjtat ndërlidhen me një kërkesë për urdhër paraprak gjyqësorë, dhe rrjedhimisht bien në kategorinë e “procedurave paraprake”, dhe në të cilat, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, garancitë e mishëruara në nenet e lartcekura, në parim, nuk janë të aplikueshme. Në këtë kontekst, Gjykata shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës, përkitazi me aplikueshmërinë e nenit 6 të KEDNJ-së në “procedurat paraprake”, përfshirë kriteret që duhet plotësuar për një aplikueshmëri të tillë, dhe më pas aplikoj të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Në aplikimin e këtyre e këtyre kritereve, Gjykata konstatoi se neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, janë të aplikueshme në rrethanat e rastit konkret.

Më tej, Gjykata trajtoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës përkitazi me nenin 31 të Kushtetutës, dhe sqaroi se (i) parashtruesi i kërkesës e ka ndërtuar rastin e tij mbi baza ligjshmërie, përkatësisht mbi vërtetimin e fakteve dhe interpretimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm nga gjykatat e rregullta; për më tepër që (ii) të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës të paraqitura para kësaj Gjykate përkitazi me urdhrin paraprak gjyqësor, janë paraqitur edhe para Kolegjit të Specializuar dhe atij të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, dhe të njëjtat i kanë shqyrtuar dhe arsyetuar ato. Gjykata më tej sqaroi, se parashtruesi i kërkesës nuk argumenton se ligji i aplikueshëm në rastin e tij është interpretuar dhe aplikuar në mënyrë qartazi të gabuar dhe se bazuar në shkresat e lëndës, ajo konsideron se ky nuk është rasti në rrethanat e rastit konkret. Për më tepër, Gjykata theksoi se procedurat para Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme  dhe Kolegjit të Apelit, në tërësinë e tyre, nuk ishin të padrejta apo arbitrare. Gjykata gjithashtu trajtoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës përkitazi me cenimin e sigurisë juridike, duke sqaruar se bazuar në praktikën e gjyqësore të Gjykatës dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, rrethanat e rastit konkret, nuk përmbushin kriteret për të rezultuar në mungesë të konsistencës, përkatësisht divergjencës në praktikën gjyqësore përkatëse.

Ndërsa, përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me nenet 10, 41, 42, 32 e 53 të Kushtetutës, Gjykata sqaroi se (i) i pari, përkatësisht neni 10, nuk është pjesë e Kapitullit II [Të drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës, dhe rrjedhimisht nuk mund të zbatohet nëse faktet e çështjes nuk bien në fushën e veprimit e të paktën të njërës ose më shumë dispozitave të Kushtetutës që kanë të bëjnë me “gëzimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”; (ii) i fundit, përkatësisht neni 53, vetëm përcakton që të drejtat njeriut dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të GJEDNJ-së, detyrim ky të cilit i përmbahet Gjykata në vlerësimin e secilës kërkesë para saj; ndërsa (iii) parashtruesi i kërkesës nuk kishte paraqitur asnjë arsyetim përkitazi me shkeljet e pretenduara të neneve 41, 42 e 32 të Kushtetutës, dhe në këtë aspekt, Gjykata e ritheksoi qëndrimin e saj  sipas së cilit vetëm përmendja e një neni të Kushtetutës, pa arsyetim të qartë dhe adekuat se si është shkelur ajo e drejtë, nuk mjafton si argument për të aktivizuar makinerinë e mbrojtjes që ofron Kushtetuta dhe Gjykata.

Rrjedhimisht, Gjykata (i) konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe duhet të deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës; dhe (ii) se në pajtim me nenin 27 të Ligjit dhe rregullin 57(4)(a) të Rregullores, kërkesa e parashtruesit për masë të përkohshme duhet të refuzohet, sepse e njëjta nuk mund të jetë objekt shqyrtimi, pasi kërkesa deklarohet e papranueshme.

 

Parashtruesit:

Gafurr Bytyqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri