Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-19-0007, të 14 marsit 2019

Nr. të lëndës KI 81/19

Parashtruesit: Skender Podrimqaku

Shkarko:

KI81/19, Parashtruesi i kërkesës: Skender Podrimqaku, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-19-0007, të 14 marsit 2019

 KI81/19, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 7 nëntor 2019,  publikuar më 9 dhjetor 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme, masë e përkohshme, procedurë paraprake.

Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, i cili pretendohet të ketë shkelur të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenet 10 [Ekonomia], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 46 [Mbrojtja e Pronës], 53 [Interpretimi i dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).

Parashtruesi i kërkesës, pretendimin kryesor të parashtruar në Gjykatën Kushtetuese e ka vendosjen e masës së përkohshme për ndalimin e shitjes së një prone për të cilën Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte njoftuar se është anuluar tenderi për rastin në fjalë. Masa e përkohshme u kërkua deri në momentin kur Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: DHPGJS ) të vendoste për meritat e padisë së tij.

Për pretendimin e lartpërmendur, Gjykata vlerësoi se për sa i përket zbatueshmërisë së nenit 6 të Konventës dhe nenit 31 të Kushtetutës në procedurat paraprake, duke marrë parasysh se e drejta e përfshirë në “procedurat paraprake” është një e drejtë civile dhe se masa e përkohshme është përcaktuese për të drejtën civile në fjalë, ajo konstatoi që në rrethanat e rastit konkret, bazuar në praktikën e GJEDNJ-së, përmbushen kriteret për aplikimin e garancive procedurale të përcaktuara në nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Gjykata konstatoi se pretendimet dhe argumentet e ngritura nga parashtruesi i  kërkesës nuk tregojnë se procedurat pranë Kolegjit të Specializuar dhe Kolegjit të Apelit të DHPGJS ishin të padrejta apo arbitrare, në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të bindet se parashtruesit të kërkesës i është mohuar ndonjë garanci procedurale, që do të çonte në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Gjykata, duke i trajtuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës në lidhje me pretendimet për shkelje të nenit 46, vëren se parashtruesi nuk e ka arsyetuar në veçanti shkeljen e së drejtës së pronës dhe nuk i referohen konkretisht ndonjë prej parimeve të përmbajtura në nenin 46 të Kushtetutës, por konsideron se kjo e drejtë i është shkelur si pasojë e shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm (nenit 31 të Kushtetutës).

Megjithatë, gjatë shqyrtimit të këtyre pretendimeve në kuadër të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 para. 1 të KEDNJ-së, Gjykata tashmë ka  ardhur në përfundim se këto pretendime janë qartazi të pabazuara. Prandaj, Gjykata konsideron se në rastin konkret nuk dëshmohet se parashtruesi ka kërkesë të arsyetuar lidhur me shkeljen e të drejtës së pronës sipas nenit 46 të Kushtetutës.

Sa i përket shkeljeve të pretenduara të nenit 10, Gjykata vëren se ky nen nuk hyn në kategorinë e të Drejtave dhe Lirive Themelore të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës. Rrjedhimisht, pretendimi për shkelje të këtij neni duhet të ndërlidhet dhe të argumentohet me ndonjë të drejtë tjetër të paraparë në kapitullin II. Ndërsa sa i përket shkeljeve të pretenduara të nenit 32 të Kushtetutës, Gjykata vëren se parashtruesi vetëm ka përmendur shkeljen e këtij neni të Kushtetutës në rastin e tij, por një pretendim të tillë nuk e ka shtjelluar dhe mbështetur me argumente.

Prandaj, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe duhet të deklarohet e papranueshme, në pajtim me rregullin 39 paragrafi (2) të Rregullores së punës.

Përfundimisht, në pajtim me nenin 27.1 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 57 (4) (a) të Rregullores, kërkesa e parashtruesit për masë të përkohshme refuzohet, sepse e njëjta nuk mund të jetë objekt shqyrtimi, pasi kërkesa deklarohet e papranueshme.

 

 

Parashtruesit:

Skender Podrimqaku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile, Tjetër