KI92/21, Parashtrues: Fadil Ponosheci, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-19-0146-A001, i 14 janarit 2021
KI92/21, Aktvendim i 21 tetorit 2021, publikuar më 9 nëntor 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, taksa gjyqësore, mungesë e dukshme ose evidente të shkeljes, kërkesë qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesën kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit (në tekstin e mëtejmë: AKP), si administratore e ndërmarrjes shoqërore N. Sh. Agimi-Gjakovë për kompensim dëmi në shumën përkatëse. N. Sh. Agimi-Gjakovë i ishte nënshtruar procesit të likuidimit nga AKP-ja. Fillimisht, Autoriteti i Likuidimit refuzon si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për kompensim, dhe pas parashtrimit të ankesës në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: DHPGJS), e njëjta fillimisht kërkon që parashtruesi i kërkesës të paguajë taksën gjyqësore dhe dërgoi dy vërejtje në adresën e parashtruesit të kërkesës për pagesën e taksës gjyqësore me paralajmërimin që ankesa e tij do të konsiderohej e tërhequr, nëse ai nuk paguan taksën. Meqenëse parashtruesi i kërkesës nuk e kishte paguar taksën, DHPGJS konsideroi ankesën e parashtruesit të tërhequr, për të cilën parashtruesi i kërkesës parashtron ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, dhe e njëjta e refuzon ankesën.
Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese ka dy pretendime kryesore, për shkeljen e të drejtës së tij kushtetuese për “gjykim të drejtë”, sepse sipas tij (i) nuk është e drejtë të konsiderohet e tërhequr ankesa e tij vetëm për shkak të mospagesës së taksës; (ii) dhe se i njëjti kishte përfaqësues të autorizuar, dhe për këtë arsye aktvendimi është dashur t’i dërgohet atij.
Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar praktikës së saj gjyqësore dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) theksoi se ka raste të cilat Gjykata i ka trajtuar lidhur me çështjen e taksës gjyqësore dhe të njëjtat i kishte konsideruar si qartazi të pabazuara. Gjykata bëri dallimin lidhur me rastin e saj KI80/19, duke sqaruar se në të njëjtin Gjykata kishte gjetur shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, për arsye se parashtruesi i kërkesës, në këtë rast, kishte kërkuar zgjatje të afatit të pagesës së taksës gjyqësore dhe Kolegji i Apelit, pa e trajtuar këtë kërkesë të parashtruesit, e kishte nxjerrë një aktvendim përmes të cilit e konsideron të tërhequr ankesën. Në fund, Gjykata trajtoi edhe rastin e GJEDNJ-së Reuters kundër Gjermanisë, duke theksuar se kërkesa për t’ia paguar një shumë të caktuar gjykatës, nuk mund të konsiderohet kufizim mbi të drejtën e qasjes në një gjykatë, përjashtimisht në rastet e taksave të larta.
Me këtë rast, Gjykata lidhur me pretendimin për mospagesën e taksës gjyqësore, konstatoi se nuk ishte e mundur të vërtetohej vullneti i parashtruesit të kërkesës për të paguar ose refuzuar pagesa e taksës gjyqësore, përderisa DHPGJS nuk kishte arritur të vendoste një komunikim të rregullt me parashtruesin e kërkesës, për shkak të ndërrimit të vendbanimit nga ana e tij, duke rezultuar në pretendime me “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”. Lidhur me pretendimin e dytë, për mosnjoftimin e përfaqësuesit, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte bashkëngjitur prova materiale, ashtu siç i ishte kërkuar nga Gjykata me shkresën e saj, nga ku mund të konfirmohej një pretendim i tillë, duke konstatuar se pretendimi i tillë është “i pambështetur dhe ose i paarsyetuar”.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar Gjykata konstatoi se duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e Kolegjit të Apelit, konsideroi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.
Fadil Ponosheci
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile