Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, AC-I-22-0372-A0001, të 26 tetorit 2023

Nr. të lëndës KI45/24

Parashtruesit: Reshad Neziri

Shkarko:

KI45/24, Parashtrues: Reshad Neziri, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, AC-I-22-0372-A0001, të 26 tetorit 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qasja në gjykatë, kërkesë qartazi e pabazuar

Çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me mungesën e qasjes në gjykatë, si rezultat i pretendimit të tij për mospranimin vërejtjes së DHPGJS për pagesën e taksës gjyqësore, me ç’ rast ankesa e tij ishte konsideruar e tërhequr. Parashtruesi i kërkesës kishte punuar në ndërmarrjen “Radusha” dhe se i njëjti, kishte kërkuar kompensim për 83 paga të papaguara në shumën prej 22.983.00€ (njëzet e dy mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e tre euro), nga NSh “Radusha” e cila ishte vendosur në Likuidim nga autoriteti i likuidimit i AKP-së. Këtë kërkesë të parashtruesit e refuzon si të pavlefshme Autoriteti i Likuidimit të AKP-ë, vendim ky ndaj të cilit parashtruesi i kërkesës ushtron ankesë. Më 11 qershor 2021, DHPGJS lëshoj për parashtruesin urdhër me vërejtje për të dorëzuar Vendimin e AKP-së kundër të cilit e kishte ushtruar ankesën si dhe të bëhet dorëzimi i provave shtesë në mbështetje të ankesës së tij. Parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar provat shtesë në mbështetje të pretendimeve të tij, mirëpo i njëjti nuk e kishte dorëzuar vendimin e kundërshtuar të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së. Urdhrin e dytë të DHPGJS-ë të 11 qershorit 2021, për dorëzimin e vendimit të atakuar të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së, parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar më 22 korrik 2021, mirëpo përsëri nuk e kishte dorëzuar vendimin e kundërshtuar sipas kërkesës së DHPGJS-ë. Në vijim ndaj vendimit të DHPGJS-ë për të hedhur poshtë ankesën e parashtruesit të kërkesës si të papranueshme, i njëjti parashtroi ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS, duke propozuar që të aprovohet ankesa dhe të nxirret vendim i ri me të cilin ankesa do të konsiderohet e pranueshme dhe të vazhdohet me procedimin e çështjes. Në vijim, Kolegji i Apelit të DHPGJS-ë, fillimisht më 15 korrik 2022, përmes zyrës së financave të DHPGJS-ë dërgoi tek parashtruesi i kërkesës një vërejtje për pagesën e taksës gjyqësore, e cila përmbante njoftimin se edhe mund të kërkoj që të lirohet nga kjo pagesë nëse nuk ka mundësi financiare. Më 22 shtator 2023, kjo vërejtje është përsëritur edhe njëherë dhe pasi që nuk ka pasur asnjë lëvizje në drejtim të pagesës së taksës e as kërkesë për lirim nga kjo pagesë, më 18 tetor deri më 25 tetor 2023, ishte bërë afishimi i urdhrit në tabelën e shpalljeve të gjykatës. As pas këtij veprimi nga DHPGJS, nuk ka pasur asnjë reagim, nga ana e parashtruesit të kërkesës. Përfundimisht, Kolegji i Apelit të DHPGJS-ë përmes Aktvendimit e konsideroi si të tërhequr ankesën e parashtruesit të kërkesës.

Gjykata sqaron që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar: shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës, si rezultat i mungesës së qasjes në Gjykatë.

Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mungesë të qasjes në gjykatë, si rezultat i pretendimit të tij për mospranimin e vërejtjes për pagesën e taksës gjyqësore të DHPGJS-ë, me ç’ rast ankesa e tij ishte konsideruar e tërhequr, Gjykata theksoi se të njëjtit, i janë dërguar dy vërejtje të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-ë, për pagesën e taksës gjyqësore, si dhe informimi i tij për mundësinë e parashtrimit të  kërkesës për lirim nga kjo pagesë, rrjedhimisht kjo nuk mund të konsiderohet si një kufizim në të drejtën e qasjes në një gjykatë. Prandaj, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe si të tilla, këto pretendime janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Reshad Neziri

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile