Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, AC-I-19-0114, të 19 shtatorit 2019 për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit

Nr. të lëndës KI 224/19

Parashtruesit: Islam Krasniqi

Shkarko:

KI224/19, Parashtrues: Islam Krasniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, AC-I-19-0114, të 19 shtatorit 2019 për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit

KI224/18, Aktgjykim i miratuar më 10 dhjetor 2020 dhe i publikuar më 29 dhjetor 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë civile, e drejta për gjykim të drejtë, e drejta në pronë, kërkesë e pranueshme, shkelje e nenit 31 të Kushtetutës

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese kontestoi kushtetutshmërinë e Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, AC-I-19-0114, të 19 shtatorit 2019, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta). Parashtruesi i kërkesës pretendoi se me vendimet e tyre, instancat e DhPGjS-së shkelën të drejtat e tij të garantuara me nenet e sipërcekura të Kushtetutës, sepse: i) Aktvendimi (urdhri) i parë i DhPGjS-së, siç e quan ai, i 18 korrikut 2017 nuk ka mbërritur asnjëherë në adresën e tij, nga papërgjegjësia e Postës së Kosovës; dhe ii) se Kolegji i Apelit i DhPGjS-së, nuk ka shqyrtuar dhe administruar parashtresat e dorëzuara nga ai, të cilat i ishin bashkëngjitur ankesës së ushtruar pranë këtij kolegji, më 26 korrik 2019, siç janë: 1) Vendimi i Agjencisë për ndihmë juridike falas, dhe 2) kërkesa për lirim nga pagesa e taksës gjyqësore. Si rezultat, ai pretendon se i është mohuar e drejta në gjykim të drejtë.

Duke iu referuar rastit konkret, Gjykata konstatoi se barra e përgjegjësisë për mosadministrimin e parashtresave të parashtruesit të kërkesës i takon Kolegjit të Apelit të DhPGjS-së, sepse parashtruesi i kërkesës ka bërë çdo veprim që i është kërkuar me dispozitat ligjore në fuqi, për t’u siguruar se ankesa e tij e ushtruar kundër Aktvendimit [C-III-14-0151] të Kolegjit të Specializuar, do të shqyrtohej meritorisht. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, për shkak të papërgjegjësisë së Kolegjit të Apelit të DhPGjS-së në administrimin e dy parashtresave të parashtruesit të kërkesës, të cilat ishin relevante për vendosjen e meritave të ankesës së 26 korrikut 2019. Gjykata shtoi se vetëm pas shqyrtimit të mirëfilltë të parashtresave të parashtruesit të kërkesës, Gjykata do të mund të konstatonte se Kolegji i Apelit i DhPGjS-së ka respektuar të drejtën e tij për qasje në drejtësi, e cila garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së.

Si përfundim, Gjykata gjeti se Aktvendimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit [AC-I-19-0114], i 19 shtatorit 2019, me të cilin është konsideruar e tërhequr ankesa e parashtruesit të kërkesës, nuk ka respektuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës për qasje në gjykatë. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se në rastin konkret ka shkelje të nenit 31 të Kushtetutës [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe të nenit 6.1 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNj-së.

 

Parashtruesit:

Islam Krasniqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile