Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prizren CP. nr. 2739/2014, të 27 janarit 2020

Nr. të lëndës KI 19/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI 19/20, Parashtrues i kërkesës: Lutfi Shantir, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prizren CP. nr. 2739/2014, të 27 janarit 2020

KI 19/20, Aktvendim për papranueshmëri  i 22 korrikut 2020, i publikuar më 20 gusht 2020.

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë civile, mos shterim i mjeteve juridike, kërkesë e papranueshme

Në rastin konkret, Gjykata Themelore në Prizren kishte përcaktuar se bazuar në nenin 13.2 të LPP-së procedura e përmbarimit mund të pezullohet në rast se pala kreditore (parashtruesi i kërkesës) nuk i deponon mjetet e kërkuara për mbulimin e shpenzimeve të procedurës përmbarimore.

Në Gjykatën Kushtetuese parashtruesi i kërkesës, nuk iu referua ndonjë dispozite kushtetuese në veçanti, por nga kërkesa e tij rezultoi se ai ankohet: (i) për mos përmbarimin e lëndës përmbarimore në dobi të tij çka ndërlidhet me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim te Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] të KEDNJ-së; dhe (ii) se është diskriminuar për shkak se është pjesëtar i komunitetit pakicë në Kosovë çka ndërlidhet me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenit 14 (Ndalimi i diskriminimit) të KEDNJ-së.

Gjykata rikujtoi se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës i obligon parashtruesit e kërkesave që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion në pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar.

Në rastin konkret, Gjykata vërejti se kundër aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Themelore në Prizren CP. nr. 2739/2014, të 27 janarit 2020, ekziston mundësia e paraqitjes së ankesës si mjet i rregullt juridik kundër aktvendimit të kontestuar në Gjykatën e Apelit të Kosovës.  

Gjykata konstatoi se procedurat në gjykatat e rregullta në lidhje me objektin e kontestit ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe palës kundërshtare janë ende në vazhdim dhe janë në pritje në Gjykatën e Apelit në bazë të ankesës së parashtruar nga parashtruesi i kërkesës dhe se parashtruesi i kërkesës nuk arsyeton se ankesa në Gjykatën e Apelit për ndonjë arsye nuk ishte në dispozicion dhe ishte joefektive në rrethanat e veçanta të rastit ose që kanë ekzistuar rrethana të veçanta për shkak të të cilave ai ishte i liruar nga kushti i shterimit të mjeteve juridike.

Gjykata konkludoi se kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme, pasi që parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar të gjitha mjetet juridike në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Lutfi Shantir

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile