KI245/23: Parashtrues Marigona Boshnjaku, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë [PPR.nr.1299/23], i 26 shtatorit 2023
KI245/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 janarit 2024, i publikuar më 12 mars 2024
Fjalët kyçe: kallëzim penal; sulm ndaj personit zyrtar; mjete juridike;
Parashtruesja e kërkesës kishte paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kundër komunës së Podujevës, me pretendimin se kjo e fundit e zgjeroi një rrugë publike duke i shkaktuar asaj dëme materiale. Prokuroria Themelore e hodhi poshtë kallëzimin penal me arsyetimin se nuk kishte elemente të veprës penale sepse çështja ishte e natyrës pronësore. Në një proces tjetër, Prokuroria Themelore paraqiti kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e arrestit shtëpiak ndaj parashtrueses së kërkesës, për shkak të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”. Gjykata Themelore e refuzoi kërkesën për caktimin e arrestit shtëpiak dhe caktoi masën e paraqitjen në stacionin policor ndaj parashtrueses së kërkesës.
Parashtruesja e kërkesës dorëzoi kërkesë në Gjykatë dhe theksoi se nuk e kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej nga Prokuroria Themelore. Parashtruesja e kërkesës nuk e specifikoi se cilat të drejta dhe liri i janë cenuar.
Gjykata vërejti se parashtruesja e kërkesës ia bashkëngjiti kërkesës së saj dy aktvendime: aktvendimin e Prokurorisë Themelore për hedhjen poshtë të kallëzimit penal; dhe aktvendimin e Gjykatës Themelore për caktimin e arrestit shtëpiak. Gjykata vërejti se parashtruesja e kërkesës nuk i përdori mjetet juridike për të kundërshtuar këto aktvendime, përkundër që sipas ligjit kishte në dispozicion mjete juridike që do të mund t’i përdorte. Gjykata ritheksoi se kërkesat në Gjykatë mund të parashtrohen vetëm pasi të shfrytëzohen të gjitha mjetet juridike, në mënyrë që gjykatat e rregullta të kenë mundësi të korrigjojnë shkeljet eventuale. Në rastin konkret, parashtruesja e kërkesës nuk e bëri një gjë të tillë, dhe kërkesa është e papranueshme për shkak të mos shterjes së mjeteve juridike.
Marigona Boshnjaku
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Penale