KI09/19 Parashtrues i kërkesës: Leutrim Hajdari, i cili kërkon vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë dega në Klinë C. nr. 239/2017 të 6 shtatorit 2018
KI09/19, aktvendim për papranueshmëri i 5 shkurtit 2020, publikuar më 18 mars 2020
Fjalët kyç; kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë dega në Klinë, qartazi e pabazuar, e parakohshme
Parashtruesi parashtroi kërkesën në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 22 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 dhe rregullin 32 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
Më 18 korrik 2017, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi për zgjidhje të martesës në Gjykatën Themelore në Pejë, Dega në Klinë.
Pas disa seancave të mbajtura shqyrtuese, Gjykata Themelore në Pejë. Dega në Klinë me aktvendim ndërpreu këtë procedurë derisa të zgjidhet çështja paraprake në lidhje me njohjen e aktgjykimit të Republikës së Shqipërisë.
Parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, Dega në Klinë.
Më 29 shtator 2019, Gjykata e Apelit e aprovoi si të bazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, anuloi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë Dega në Klinë dhe ia ktheu çështjen të njëjtës për rivendosje.
Gjykata vëren se, pasi që ishte njoftuar me përmbajtjen e aktvendimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila më 29 shtator 2019 e aprovoi ankesën si të bazuar, anuloi aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe ia ktheu të njëjtës për rivendosje. Prandaj, rezulton se procedura në Gjykatën Themelore në Pejë – dega në Klinë, ende nuk ka përfunduar.
Prandaj, për arsyet e lartpërmendura, Gjykata konstaton se kërkesa nuk i plotëson kushtet e pranueshmërisë, sepse parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar mjetet juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës, dhe si e tillë, kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme.
Leutrim Hajdari
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Civile