Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. 317/2018, të 6 nëntorit 2018

Nr. të lëndës KI 199/18

Parashtruesit: Hajriz Haxholli

Shkarko:

KI199/18, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev. 317/2018, të 6 nëntorit 2018 

KI199/18, Parashtrues Hajriz Haxholli

Aktvendim për papranueshmëri i 6 qershorit 2019

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, revizioni i palejuar, paga jubilare 

Parashtruesi i kërkesës ka punuar si mësimdhënës në dy shkolla fillore në Kosovë dhe në gusht të vitit 2013 kishte dalë në pension për shkak të arritjes së moshës 65-vjeçare.

Pas përfundimit të marrëdhënies së punës me Drejtorinë e Arsimit për shkak të arritjes së moshës së pensionimit, parashtruesi i kërkesës kishte filluar procedurat administrative dhe më pas ato gjyqësore në lidhje me kompensimin e pagave jubilare për përcjellje në pension. Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit ia kishin refuzuar kërkesën si të pabazuar, kryesisht me arsyetimin se nuk kishte bazë ligjore për përfitimin e një të drejte të tillë dhe se Kontrata Kolektive, së cilës i referohej parashtruesi i kërkesës, nuk ishte në fuqi në kohën e pensionimit të parashtruesit të kërkesës. Ndërsa, Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës, duke u bazuar në nenin 211 të LPK-së, sipas së cilës revizioni nuk është i lejuar për kontestet pasurore-juridike në të cilat kërkesëpadia nuk e kalon vlerën në të holla prej 3,000 eurosh.

Para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës  konteston pikërisht vendimin e lartcekur të Gjykatës Supreme, duke pretenduar që refuzimi i kërkesës së tij për revizion si i palejuar, i kishte shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenet 3, 4, 21, 22, 23, 24, 31, dhe 57 të Kushtetutës dhe të drejtën e garantuar me nenin 6 të KEDNJ-së.

Duke u thirrur në praktikën e saj gjyqësore dhe atë të GJEDNJ-së, Gjykata përsëriti dhe ritheksoi se nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese të merret me gabimet e faktit ose të ligjit që pretendohet të jenë bërë nga gjykatat e rregullta gjatë vlerësimit të provave apo zbatimit të ligjit (ligjshmërisë), përveç dhe për aq sa ato mund të kenë shkelur të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë (kushtetutshmëria). Është në rolin e gjykatave të rregullta që të interpretojnë dhe të zbatojnë rregullat përkatëse të së drejtës procedurale dhe materiale.

Gjykata vërejti se Gjykata Supreme e kishte refuzuar kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës si “të palejuar” në aspekt procedural dhe pa shqyrtuar meritat e kërkesës, duke u bazuar në dispozitat e LPK-së e sipas të cilave kërkesa për revizion duhet të shpallet e palejueshme në rastet kur vlera e kontestit është nën 3,000 euro. Gjykata vërejti në këtë drejtim se arsyetimi i dhënë në Aktvendimin e Gjykatës Supreme ishte i qartë dhe pas shqyrtimit të të gjitha procedurave, Gjykata gjithashtu gjeti që edhe procedurat para Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore nuk ishin të padrejta apo arbitrare.

Si përfundim, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores, kërkesa e parashtruesit u shpall e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Hajriz Haxholli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile